2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Bibliotekat e vjetra islame të Prizrenit

Më të lexuarat

Nuk ka dilemë se Prizreni është ndër qytetet më karakteristik në trojet shqiptare dhe më gjerë. Nuk është vetëm peizazhi natyror i tij që e bën të veçantë, por Prizrenin, akoma më të veçantë e bën trashëgimia e larmishme kulturore e shtrirë në diversitetin fetar dhe etnik. Në Prizren, gjejnë frymëzim dhe kreacion të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Atdhetari kënaqet me lidhjen e Prizrenit, besimtari me objektet e kultit, zejtari me zejtarinë, arkeologu me arkeologjinë, arkitekti me arkitektoninë, historiani me historinë, dhe kështu me radhë, por, që të gjithë, bashkërisht, ndihen krenarë me mozaikun e qytetit të Prizrenit. Këto, dhe shumë të tjera, Prizrenin e bëjnë të dashur, emër emblematikë dhe qytet shpirtëror të shqiptarëve, e, thënë ndryshe, Prizreni është një Shqipëri në miniaturë.

2. Bibliotekat e vjetra islame të Prizrenit

Por, jo vetëm kaq, Prizreni është edhe qyteti i librit, i bibliotekës, i dijës e i shkencës. Si njëri nga qytetet më të rëndësishme të trojeve shqiptare, Prizreni gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, ka qenë metropol i bibliotekave të para dhe i arsimit shqip. Dhe, në këtë kontekst, bibliotekat më të vjetra te Prizrenit janë bibliotekat nga provenienca islame, e të cilat natyrshëm kanë qenë pjesë e kompleksit të xhamive përkatëse të asaj kohe. Fatkeqësisht, okupimi i egër në Kosovë, duke filluar nga viti 1912, dhe sidomos pas vitit 1945, ka shkatërruar shumë nga monumentet e trashëgimisë historike islame. Një pjesë e tyre janë rrënuar tërësisht, siç është, për shembull, xhamia e Mustafa Pashës, e cila ka qenë në pjesën ku aktualisht është administrata e Kuvendit Komunal të Prizrenit, pastaj xhamia e Arrastës, etj, e një pjesë e monumenteve historike janë shkatërruar pjesërisht. Të njëjtin fat e kanë pasur dhe bibliotekat e vjetra islame. Me të vërtetë hulumtimi i trashëgimisë kulturore të Prizrenit është një arë që ka nevojë për të gjithë punëtorët e zellshëm. Por, ndër dëshmitë e vjetra që japin të dhëna për segmente të ndryshme të jetës në Prizrenin e lashtë, përfshirë edhe bibliotekat e vjetra islame, është Vakufnameja e Suzi Çelebiut, e cila daton nga viti 1513, Vakufnameja e Mehmed Kukli-beut, e vitit 1539, Defteri i hollësishëm (defteri mufassal) i Sanxhakut të Prizrenit, i vitit 1590/91, etj. Duke iu referuar këtyre dëshmive historike, në Prizren mund të veçojmë këto biblioteka të vjetra islame:

2.1. Biblioteka e Suzi Zerrinit

Tashmë të gjithë e dinë se biblioteka e Suzi Zerrinit është më e vjetra në trojet shqiptare dhe më gjerë. Suzi Zerrini, një shkrimtar, poet dhe myderriz i madh, në vitin 1513 e ndërtoi xhaminë, dhe në kuadër te saj e ndërtoi edhe bibliotekën. Për këtë biblioteke nuk do të flasë shumë, jo se nuk e meriton, por se për të është folur edhe nga studiuesit tjerë, në referatet e viteve të kaluara. Por, ajo që duhet ta them për këtë janë dy aspekte relevante:

1) Kjo biblioteke është e para në trojet shqiptare dhe më gjerë, e cila qytetarëve te Prizrenit i atribuon kulturën e librit, arsimimit, shkencës, dhe si e tillë pa dyshim është një krenari kombëtare, dhe;

2) Fati tragjik i sotshëm i kësaj biblioteke dhe lënia e saj në harresë.

Aktualisht objektin e bibliotekës e mban të uzurpuar dhe në shfrytëzim arbitrar një familje prizrenase. Që në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar,

Këshilli i Bl-së Prizren, si pronar legjitim i parcelës së kësaj biblioteke, ka ngritur padi kundër kësaj familjeje, por fatkeqësisht, Gjykata e asaj kohe i ka dhënë të drejtë banimi kësaj familjeje, me kusht që të paguajë qiranë mujore. Këshilli i BI-së i Prizrenit, në vitin 2001 përsëri ka ngritur padi tjetër, dhe përsëri Gjykata Themelore në Prizren, tek ne vitin 2013, pra edhe ashtu me shumë vonesë, familjes Pervançe i jep të drejtën e banimit, përkundër faktit se gjyqtari i lëndës është njoftuar se bëhet fjalë për objektin e Bibliotekës së Suzi Zerrinit.

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, i përballur me këtë padrejtësi për rikthimin e Bibliotekës, në vitin 2011, nëpërmjet shkresës 256/11, dt. 01.06.2011, e ka njoftuar Kuvendin Komunal të Prizrenit për gjendjen e bibliotekës, dhe ka kërkuar që të ndërmerren masa për rikthimin në jetë të kësaj biblioteke. E njëjta shkresë i është dërguar edhe: Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport në Prishtinë, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë, Bibliotekës së Prizrenit dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike të Prizrenit. Por, nga askush nuk është marrë përgjigje, përveç nga drejtoresha e Bibliotekës Rajonale të Prizrenit, e cila së paku është interesuar për rastin.

2.2. Biblioteka e “Mehmet Pasha”

Gazi Mehmet Pasha, një emër i madh për kohën e vet. Ai, në vitin 1573, e ndërtoi xhaminë “Mehmet Pasha”, pra xhaminë e Bajraklisë, dhe në kuadër të kompleksit të saj e ndërtoi: hamamin (banjo publike), medresenë (shkollë e mesme islame), tyrben (mauzoleu), mejtepin (shkollë fillore), ders-hanen (amfiteatër i vogël), si dhe kitabhanen, pra bibliotekën. Mirëpo, edhe kjo bibliotekë akoma mbetet pasive dhe jashtë funksionit që e ka pasur. Personalisht nuk e di se çfarë destinacioni ka objekti i kësaj biblioteke, por një gjë e di se librat e bibliotekës së Mehmet Pashës janë vendosur në tyrben e “Mehmet Pashasë”, të cilën ai e pati ndërtuar për t’u varrosur aty, e që dëshira e tij nuk u plotësua asnjëherë, pasi që në vitin 1596 ra dëshmorë në një fushëbetejë në Hungari. Një pjesë të dorëshkrimeve të kësaj biblioteke, më se 291 sosh, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, më datë 13.03.2004 i ka marrë dhe i ka vendosur në Prishtinë, për një strehim më të mirë, e me qëllim të rikthimit të tyre, por që deri më sot akoma nuk është bërë. Në anën tjetër, fatmirësisht, fondi i librave të kësaj biblioteke përditë vazhdon të plotësohet me dorëshkrime të vjetra. Qytetarët, pra xhemat-i, librat e vjetër që i kanë në shtëpitë e tyre vazhdojnë t’i dorëzojnë në Bashkësinë Islame, dhe vetëm gjatë vitit 2014 janë dorëzuar mbi 15 sosh.

2.3. Bibliotekat tjera islame në Prizren

Përveç bibliotekës së Suzi Zerrinit dhe asaj të Mehmet Pashasë, në Prizren ka pasur edhe biblioteka tjera, siç është ajo e Sinan Pashasë, Emin Pashasë etj.

Është traditë unikate islame, pra po e përsëris: traditë unikate islame, që në çdo xhami të aktivizohet mejtepi dhe biblioteka, qoftë kjo brenda hapësirës së xhamisë apo në objekt të veçantë pranë saj. Kjo ka qenë gjithmonë, dhe është edhe sot në mbarë botën islame. Nëse sot i shikojmë xhamitë e Prizrenit, apo të Kosovës, apo xhamitë e tjera kudo tjetër nëpër botë, do të vërtetojmë atë që po e themi, se secila nga ato, përveç të tjerave, e ka mejtepin dhe një sfond të librave, pra e ka një bibliotekë apo së paku një mini-bibliotekë. Ky rregull, si një parim i kulturës së xhamisë, i ka përshkuar të gjitha xhamitë e periudhës osmane. Bazuar në dokumentet arkivore të dhjetëvjeçarit të katërt të shekullit XVI, të cilat i thekson Hasan Kaleshi,Prizreni në fund të shekullit XVI i kishte 8 xhami, të cilat kishin edhe mejtepet e tyre, e kjo do të thotë se ai i kishte edhe po kaq biblioteka.

3. Bibliotekat e vjetra islame janë vatër e arsimit shqip

Me të drejtë thuhet se arsimimi dhe edukimi islam në Prizren dhe Kosovë, në mënyrë paksa më serioze, ka filluar që në shekullin XV, dhe atë me themelimin e institucionit dhe ndërtimin e xhamisë. Xhamia ka qenë vatër e arsimimit te përgjithshëm, sepse mësimet islame nuk janë të kufizuara vetëm në sferën e ngushtë fetare. Përkundrazi, feja islame është një sistem jete, dhe transmetimi i mësimeve të saj tek individi, gjë kjo e aplikuar nga imamët në mejtep, gjithmonë është me karakter edukativo-arsimor. Dhe, bibliotekat e vjetra të themeluara nga Suzi Zerrini, Mehmet Pashai, etj., e kanë pasur këtë qëllim, po edhe bibliotekat e sotshme islame e kanë këtë qëllim. Flasim për kulturën islame parimore, e cila është unikate dhe e njëtrajtshme. Prandaj, edhe librat në këto biblioteka kanë qenë nga zhanret e ndryshme. Përveç librave me tematike të ngushtë fetare, e që përbënin pjesën dërrmuese të tyre, në bibliotekat e vjetra kanë ekzistuar edhe libra nga lëmi i logjikës, gjuhësisë, retorikës, astronomisë, matematikës, mjekësisë, e kështu me radhë. Themelimi i bibliotekave, të cilat i kanë bërë imamët, në të vërtetë ka qenë një dëshmi e përkushtimit të imamëve për arsimimin e popullatës, sepse vijuesit e mësimeve në mejtepin e xhamisë kanë pasur nevojë që dijen ta arrijnë nëpërmjet librit, si forma më e mirë e mësimnxënies. Kjo kulturë e librit, pra e bibliotekës, pa dyshim e ka ngritur pragun e vetëdijes qytetare, dhe gradualisht Prizreni ishte bërë një metropol i dijës dhe shkencës. Ai nuk do të ishte i tillë sikur mos të kishte lexues. Në Prizren u hapën shumë shkolla, dhe sistemi i përgjithshëm shoqëror pati shënuar një sukses të jashtëzakonshëm. Sipas Sallnames së vitit 1874, Prizreni i kishte 21 mektebe (biblioteka) si dhe 4 medrese. Më 1886 në këtë qytet kishte 17 shkolla për meshkuj, 9 për femra dhe një Ruzhdije (lloj gjimnazi) për fëmijët myslimanë, ku mësohej në gjuhën osmane. Me të drejtë, shumë studiues të zellshëm vijnë me përfundimin se mejtepet kanë qenë shkollat e para shqipe. Edukatorët, që njiheshin me titujt myderriz, mulla, mualim, hafiz, etj. në parim ishin shqiptarë, dhe, pavarësisht nga kultura e tyre orientale, punonin me nxënës shqiptarë e që e dinin vetëm gjuhën amtare. Diskutimet, bisedat, shpjegimet bëheshin në gjuhën shqipe. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një mjedis absolutisht shqiptar, ku nuk ka pasur asnjëherë asnjë komunitet të huaj.

4. Përfundim

Duke marrë për bazë se bibliotekat e vjetra islame të Prizrenit janë ndër më të vjetrat në trojet shqiptare dhe me gjerë, dhe duke vlerësuar rëndësinë e këtyre bibliotekave në ngritjen e vetëdijes qytetare dhe të arsimimit shqip ndër shqiptarë, konsiderojmë se ato janë pasuri e rrallë kombëtare. Institucionet kompetente të Prizrenit dhe Republikës së Kosovës urgjentisht duhet të interesohen për fatin e tyre, dhe t’i funksionalizojnë ato. Përfundimisht, historia dhe krenaria e qytetit të Prizrenit dhe e qytetërimit shqiptar në përgjithësi mbetet e skalitur dhe në bibliotekat e vjetra islame të Prizrenit.

(Kumtesë e lexuar në sesionin shkencor, të organizuar nga Biblioteka Rajonale e Prizrenit, i mbajtur më datë 16.04.2015, në Hotel Theranda në Prizren).

____________________

(1) Avzi Mustafa, Mejtepet, shkollat e para shqipe, cituar sipas: http://shenja.mk/index.php/kulture/histori/3078-inejtepet-shkollat-e-para-shqipehtml (data e Citimit 12,04.2015).

(2) Dosja e xhamisë “Suzi Zerrini”, Arkivi i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

(3) Hasan Kaleshi, Sofi Sinan Pasha dhe xhamia e tij në Prizren, përktheu Nexhat Ibrahimi, Prizren, 2000.

(4) Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar za vrerne turskog perioda, Gj. Albanologjike, 1/1962, Prishtinë.

(5) Haxhi Shabani, Gjuha e arsimit islam te shqiptarët, kumtesë e botuar në: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”(simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992), Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 1995.

(6) Nexhat Ibrahimi, Medreseja, digë e identitetit fetar dhe kombëtar gjatë historisë, sipas: http://wwwzeriisiam.com/artikulli.php?id=2490 (data e citimit: 13.04.2015).

(7) Nexhat Ibrahimi, Suzi Prizreni, dijetar dhe bamirës i shekullit XV- XVI, sipas: http://www.zeriislarn.com/artik1.11ii.php?id=2239, (data e citimit:13.04.2015).

(8) Parim Kosova, Ndërtimet e arkitekturës islame dhe Medresetë në Prizren, sipas: http://islamprizrencom/kbi/indexphp/component/content/articile/37-islamistike/173-medresete-e-prizrenit, (data e Citimit, 13.0-1.2015).

(9) Skënder Rizaj, Gjurmime Albanologjike, seria e shkencave historike, nr. XIII, Prishtinë,1983.

Mr. Orhan Bislimaj

DituriaIslame 298

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit