10.7 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Ndikimi i agresivitetit te fëmijët

Më të lexuarat

Nocioni i agresivitetit

Në fjalorin e psikologjisë termi agresion (lat. agressio-sulm), shpjegohet si lloj i veprimtarisë së individit, të cilin e karakterizon sulmi në tjetrin, në ndonjë objekt me vlerë të posaçme dhe në bartësin e vlerave të këtilla. Aktiviteti i këtillë rrjedh nga motivi i agresivitetit, dhe manifestohet në dhunimin e atyre që pengojnë realizimin e qëllimeve të caktuara. Ai ka përmasa të gjëra, dhe paraqitet e përjetohet te të gjithë, në forma dhe me intensitet të ndryshëm.

Mbështetet në prirjen e individit për ekzistencën dhe afirmimin e personalitetit të tij. Forma më e vrazhdë e agresivitetit është sulmi fizik i njërit individ ndaj tjetrit.

Nën ndikimin e faktorëve socialë, janë kultivuar forma të ndryshme të motivit të sjelljes agresive ndaj të tjerëve (replika, sjellja ironike, të folurit thumbues etj.).

Psikologët socialë janë në kërkim të përkufizimit të agresivitetit që dallon qartë nga veprimet që janë agresive dhe ato që nuk janë të tilla. Megjithatë, përkufizimi i përafërt e quan agresivitetin si një veprim që shkaktohet nga qëllimi paraprak për të dëmtuar ose fyer një person tjetër.

Elementet bazë të përcaktimit janë:

Veprimi, Qëllimi dhe Dëmtimi.

– Veprimi: Dikush provon ndjenjën e urrejtjes kur mendon për padronin, ose i dyti fantazon se si të vrasë konkurrentin e tij. Të gjitha këto raste të sjelljeve janë formë e agresivitetit.

– Qëllimi: Zakonisht ne i quajmë agresivë ata që bëjnë dëme, kur kanë qëllim t’u shkaktojnë dëm të tjerëve. P.sh.: dentisti që na punon dhëmbët, ose një kalimtar që na pengon pa dashur, megjithëse na shkaktojnë dhembje, nuk janë agresorë. Agresiviteti nuk ndodh aksidentalisht, por kur një individ ka qëllim të dëmtojë të tjerët.

– Fyerja dhe dëmtimi: Në qoftë se sjellja e të ndihmuarit është veprim prosocial, agresiviteti është sjellje antisocial, sepse sjell pasoja të dëmshme dhe fyese për të tjerët. Pasojat e dëmshme përfshijnë dëmin fizik, kur dikush sulmohet, dhunohet ose vritet, si dhe fyerjen ose dëmin psikologjik, si: pasojat e kërcënimit, izolimit, përzënies etj. Por, reagimet e viktimave ndaj pasojave të tilla ndryshojnë. Në qoftë se dikush kënaqet nga dhembja, ky mazohist nuk është objekt i veprimit agresiv. Agresiviteti përfshin viktimën që është pjesëmarrës dhe pa dëshirë në një ndërveprim kur ai paraqitet të shmangë pasojat e ndërhyrjes agresive.

Duke u bazuar në elementet që e përcaktojnë agresivitetin si sjellje subjektive të karakterit, mund të themi se për këto elemente kemi edhe argumente në Kuran dhe Sunet. Allahu xh.sh. në një ajet ka thënë: “…të keqen ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai me të cilin kishit njëfarë armiqësie do të bëhet mik i afër!” (Fussilet 34). Allahu na ka porositur që ta shuajmë ndjenjën e zemërimit ndaj të tjerëve përmes emocioneve, sepse një sjellje agresive mund të çojë në shumë probleme të ndryshme, e që karakterizohen në aspektin fizik dhe në atë mendor.

Janë propozuar shumë teori për të gjetur përgjigjen e pyetjes së madhe dhe shumë të përhapur, se nga lind agresiviteti. Ndër këto mund të përmendim teorinë e instinktit, teorinë e të mësuarit social, teorinë frustracion-impuls, teorinë kognitivie-neoasosiacioniste.

Teoria frustracion-impuls u propozua nga psikologët socialë Dollard, Doob, Miller, Mowrer dhe Sears. Sipas kësaj teorie, frustracioni çon në zgjimin e një impulsi agresiv, për të goditur burimin e frustracionit p.sh.: nëqoftëse dëshironi të shkoni në një festë, por prindërit nuk ju lejojnë, frustracioni mund t’ju çojë në frustracion ndaj prindërve tuaj. Kjo teori hodhi idenë se agresiviteti ynë vjen si rezultat i frustracionit, dhe mënyra për ta kontrolluar është që të qëndrojmë në një mjedis ku mund të eliminojmë frustracionin. Atëherë kur njeriu ka çdo gjë që i nevojitet dhe në momentin kur e do, kjo

e bën të mundur zhdukjen e frustracionit.

Berkowitz propozoi teorinë kognitive-neoasosia-cioniste, e cila thotë që agresiviteti është një reagim ndaj ngjarjeve të pakëndshme. Sipas kësaj teorie, kur njerëzit përjetojnë ngjarje të pakëndshme, ato gjithashtu marrin një gjendje emocionale negative. Kjo gjë bën që njerëzit t’i shmangin ngjarjet që mund të sjellin veçse sjellje agresive kundrejt tyre.

Sado që janë bërë përpjekje për të eliminuar këtë fenomen, akoma nuk është arritur asgjë, me sa duket nuk do të jemi në gjendje ta zhdukim derisa të ketë jetë në këtë planet dhe njerëzit të jenë pjesë e tij. Kështu është gatuar natyra e njeriut.

Edukimi prindëror ndikon pozitivisht ndaj agresivitetit te fëmijët

Bota më e ndjeshme që meriton kujdes dhe me domosdoshmëri duhet të ruhet nga ndikimi i agresivitetit janë fëmijët. Prindërit strukturojnë mjedisin social dhe fizik në të cilin jetojnë fëmijët. Si pasojë, mënyra se si sillen prindërit me fëmijët përcakton në një shkallë vendimtare besimin ose mosbesimin e tyre ndaj botës.

Studimet vënë në dukje gjashtë dimensione të prindërimit, e që ndikojnë në zhvillimin social, emocional dhe intelektual të fëmijës: të kushtuarit vëmendje, kontakti fizik, stimulimi verbal, stimulimi material, responsiviteti dhe sjellja kufizuese. Pesë të parat kanë një efekt pozitiv, ndërsa dimensioni i fundit ka efekt negativ. Sa më shumë dhe sa më herët të stimulohet fëmija aq më shumë zhvillohet intelektualisht. Ata që janë kufizues, që limitojnë stimulimet ndaj fëmijës, çojnë në një efekt të kundërt.

Prindërit që janë të kënaqur me rolin e tyre si prind shprehin më shumë ngrohtësi ndaj fëmijës, sesa prindërit që nuk janë të kënaqur. Kjo ndikon në cilësinë e ndërveprimit prind-fëmijë. Fëmijët ndikohen nga sjellja emocionale e prindërve të tyre, në mënyrë direkte dhe indirekte. Prindërit ndikojnë në mënyrë direkte kur modelojnë reagime specifike emocionale te fëmijët e tyre. Fëmijët ndikohen në mënyrë indirekte kur vëzhgojnë ndërveprimet e zemëruara të prindërve të tyre, edhe pse këto ndërveprime nuk drejtohen direkt në ta.

Ndëshkimet – Hiqe dhe anuloje fare ndëshkimin fizik nga mënyrat e kultivimit të rregullit në jetën e fëmijës tënd! Kjo formë mund ta detyrojë të heqë dorë momentalisht nga një sjellje problematike, por nëse duam që t’ia çrrënjosim këtë sjellje për një kohë afatgjate, na nevojitet edukimi pozitiv. Ndëshkimi fizik nuk i shkakton dhimbje vetëm trupit, por edhe shpirtit. Ai fëmijës i shkakton tension, pasi nuk e kupton përse atij i derdhet e gjithë zemërata dhe inati. Nëse fëmija hedh ushqimin përtokë, e derdh mbi tapetë, kafshon fëmijën që ka ardhur për vizitë etj., butësia e edukatorit ose prindërve është mënyra më e pranuar që fëmija të motivohet për sjellje të rregullta. Sigurohu se fëmija që akoma s’i ka mbushur dy vjeç nuk e kupton gabimin që po bën. Nëse i bërtet dhe çirresh në fytyrë, do të qajë, por sërish nuk do të kuptojë. Është me mirë t’i thuash: “Jo, mos e bëj këtë”, dhe ta heqësh që andej. Fëmija është i aftë ta kuptojë domethënien e fjalës “jo” para se të mësojë kuptimin e “përse”-ve. Varet se si edukuesi i fëmijës

e përdor dhunën. Kur do të mësosh një fëmijë që të kuptojë gabimin, kjo nuk bëhet duke e abuzuar fëmijën, por gabimin. Sepse kështu i jep të kuptojë se fëmija është i mirëpritur, por jo edhe gabimi. Ndëshko fajin, dhe jo fajtorin!

Mendoj se ndëshkimi duhet të përdoret, por në mënyrë konstruktive. Skinner ka propozuar shumë teori se si ndëshkimi dhe përforcimet për të eliminuar ose për të vazhduar tipa të ndryshëm të sjelljeve mund të përdoren, pa pasur pasoja psikologjike negative në zhvillimin mendor dhe emocional të njeriut.

Mendoj se çdo lloj dhune fizike apo psikologjike ndaj fëmijës ka më shumë efekte negative sesa pozitive. Ndoshta për momentin dhuna mund t’i japë ”zgjidhje” problemit, por në “long run” shkakton pasoja të dëmshme në karakterin e personit.

Në të njëjtën kohë, nuk jam kundër disa dënimeve të mundshme që janë “reinforce” sjellje pozitive. P.sh.: Në qoftë se fëmija bën një sherr, duhet t’i thuhet se nuk do t’i blihet asgjë. Por, nëse sillet mire, do t’i blihet filan dhurata. Gjithashtu, nuk mjafton ta shpërblesh fëmijën me diçka materiale, sepse edhe kjo mund të ketë anët e saj negative. Por, kjo duhet të bëhet edhe me mbështetje shpirtërore. P.sh.: Ta trajtosh si duhet, të mos e injorosh, ta pranosh ashtu siç është, ta dëgjosh, të luash me të, t’i bëhesh mik, t’i gjendesh pranë kur ka nevojë për ndihmën tënde etj. Këto metoda janë të njohura në shumë studime psikologjike të bëra nga psikologë të ndryshëm. Në vend të dhunës, prindi, motra, vëllai, apo kushdo mund të përdorë taktika të tjera, si p.sh.: shpjegimi, paralajmërimi, ndalimi, qoftë edhe dënimi, por jo ai fizik apo psikologjik.

Zoti në Kuranin famëlartë i porosit dhe i urdhëron prindërit që të kujdesen për familjen dhe fëmijët e tyre. “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj nga një zjarr, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et Tahrimë, 6).

Sipas shumë komentuesve dhe interpretuesve të Kuranit famëlartë, është përgjegjësi e babait që t`i edukojë dhe orientojë fëmijët dhe bashkëshorten drejt më të mirës. Ai duhet të caktojë një kohë të përshtatshme, e cila duhet të jetë për edukimin e tyre.

Babai dhe nëna janë ata që i lindin fëmijët. Kurse atësia dhe mëmësia kanë të bëjnë më së shumti me edukimin, përkujdesjen, orientimin e duhur, mbikëqyrjen, faljen e dashurisë dhe dhembshurisë etj.

Procesi i edukimit të fëmijëve është një proces që kërkon mund, dhe nuk është aspak i lehtë. Për këtë prindërit kanë nevojë të lexojnë dhe t’iu referohen librave, faqeve elektronike në internet, programeve televizive, revistave, kasetave dhe institucioneve që merren me këtë fushë.

Ne duhet të bëjmë çmos që fëmijët tanë të edukohen sa më mirë, dhe të lënë gjurmët e tyre të dobishme në këtë jetë. Do të ishte një ndër gabimet më trashanike nëse do të donim që fëmijët tanë të jenë një kopje jona.

Ne duhet t’i edukojmë të jenë të suksesshëm, sipas modelit më të mirë, profetit Muhamed a.s.

Pra, agresiviteti është një fenomen shumë i pranishëm në jetën tonë, saqë nganjëherë ndihemi shumë të dobët përballë tij. Agresiviteti është i pranishëm në çdo moshë, si te të rriturit ashtu edhe te fëmijët, e te këta të fundit lind si pasojë e imitimit të të rriturve, apo të asaj që ata vëzhgojnë.

________________

(1) Dr. Pajazit Nushi, Fjalor i psikologjisë, Pishtinë, 1987.

(2) Dr. Theodor Karaj, Psikologjia e zhvillimit të fëmijës.

(3) Edmond Dragoti, Psikologjia sociale.

(4) Aid El-Karni, Mos u trishto, Gostivar, 2006.

(5) Kurani, përkthim më komentim në gjuhën shqipe.

(6) http://www.forumishqiptar.com/threads/91814-Agresiviteti.

(7) http://dictionaryreference.com/browse/aggression.

Ardiana Hajraj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit