-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Besoniu dhe ndihmoni fëmijët tuaj për realizimin e ëndrrave të tyre

Më të lexuarat

Besoniu dhe ndihmoni fëmijët tuaj për realizimin e ëndrrave të tyre

Imam Ebu Jusufi, nxënësi më i famshëm i imam Ebu Hanifes, ka treguar:

“Babai im më vdiq kur isha i vogël, kështu që për mua u kujdes nëna ime. Ajo më dërgoi tek një rrobaqepës që ta mësojë zanatin e rrobaqepësit, por unë e braktisa rrobaqepësin dhe shkova në xhami për t’i ndjekur ligjëratat e Ebu Hanifes. Mirëpo nëna erdhi në xhami, më mori për dore dhe përsëri më ktheu te rrobaqepësi. Kur e pa dashurinë time për shkencë, Ebu Hanifja gjithmonë ma linte një vend pranë vetes dhe më mësonte. Ikja ime nga rrobaqepësi e detyroi nënën time të vinte në xhami dhe t’i thoshte Ebu Hanifes:

‘Askush nuk po e prish këtë fëmijë veç teje. Ai është jetim të cilin ti po e pengon që ta mësojë zanatin për të cilin e dërgova.’

Ebu Hanife i tha asaj: ‘Lëreni, se ai këtu mëson të hajë delikatesë me fëstëkë!’

Kurse ajo i tha: ‘Ai ta ha këtë ushqim?! Po kjo është një delikatesë që e ha vetëm halifi. Unë mendoj se ti je një mësues që e ke humbur mendjen!’

Dhe kështu unë qëndrova me mësuesin tim Ebu Hanifen për të mësuar fikh.

Kur vdiq Ebu Hanife, unë vazhdova të udhëheqë rrethin shkencor të cilin e udhëhiqte ai. Pasi që u dëgjua zëri për mua, një ditë më ftoi halifi Harun el-Rashidi për të më emëruar për gjykatës (kadi) suprem të shtetit. Unë e vizitova atë në pallatin e tij, meqë rast ai më ofroi një ushqim, duke më thënë: ‘Ha, o Ebu Jusuf!’

Unë e hëngra një ushqim që kurrë më parë nuk e kisha shijuar.

Halifi më pyeti: ‘A e di çka është kjo që ke ngrënë?’

Unë i thashë: ‘Jo, nuk e di.’

Harun el-Rashidi më tha: ‘Kjo është delikatesë me fëstëkë!’

Unë buzëqesha, kurse Harun el-Rashidi më pyeti: ‘Pse po qesh?’

Kështu unë ia tregova atij ngjarjen me nënën time dhe Ebu Hanifen.

Me atë rast Harun el-Rashidi tha: ‘Allahu e mëshiroftë i Ebu Hanifen, ai me syrin e tij të brendshëm (të zemrës) ka parë atë që njerëzit nuk e shohin me shikim të syrit.’

Ebu Jusufi për suksesin e tij, pas Allahut të Plotfuqishëm, duhet ta falënderojë mësuesin e tij Ebu Hanifen, i cili besoi thellë në suksesin e tij.

Imagjinoni sikur Ebu Hanife të mos kishte besim në nxënësin e tij dhe t’ia linte nënës dhe zanatit të rrobaqepësit, çfarë do të ishte fati i tij. Me shumë gjasa do të përfundonte si rrobaqepës, dhe do të vdiste pa ditur askush për të.

Momenti i besimit të mësuesit në nxënësin e tij është ajo që e çoi atë në pozitën e gjyqtarit suprem të shtetit, duke na lënë neve fragmente nga jeta e tij dhe e Imam Ebu Hanifes, si dhe fikhun të përpunuar pikërisht nga Ebu Jusufi.

Sikur të mos ishte ai besim dhe ajo besueshmëri, vetë Ebu Jusufi këtë nuk do të mund ta arrinte.

Shumë talente janë shkatërruar, dhe shumë njerëz të talentuar janë zhdukur, për shkak se ata nuk kanë gjetur dikend i cili beson në ta, i cili do t’i nxjerr ata nga anonimiteti dhe do t’i orientojë rrugës në të cilën do të vinin në shprehje aftësitë dhe talenti i tyre dhe do të konfirmoheshin në kapacitet të plotë.

Jam shumë i shqetësuar për prindërit të cilët i shtyjnë fëmijët e tyre të studiojnë për mjekësi ose inxhinieri, kurse fëmijët e tyre kanë prirje dhe duan një specializim tjetër. E kuptoj plotësisht dashurinë e prindërve dhe atë se ata duan më të mirën për fëmijët e tyre, por kush ka thënë se më e mirë është ajo që sjell më shumë para, dhe, pse prindërit duhet ta jetojnë jetën për fëmijët e tyre, pse ata duan t’ua vjedhin jetën dhe pse ne dëshirojmë t’i arrijmë dëshirat tona përmes fëmijëve tanë?

Nuk ka asgjë më të keqe se shkatërrimi i ëndrrave dhe talentit.

Prandaj, besoni në fëmijët tuaj, mbillni në krahët e tyre edhe një pendë shtesë në vend se ta hiqni atë ekzistuese, madje edhe nëse talenti i tyre është në diçka që ju nuk besoni! Ne të gjithë dimë për Ebu Jusufin, Ebu Hanifen, për poetin El-Mutenebbi, por askush nuk di se kush kanë qenë njerëzit më të pasur në kohën e tyre.

Edhem Sherkavi;
Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit