10.9 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Besa e protestës

Më të lexuarat

Latif Mustafa, Preshevë

Protestë shqiptare më 9 maj në Shkup. Jo se protesta si përpjekje kolektive për delegjitimim pushtetesh mund të kombëtarizohet, por metafizika e një proteste shqiptari në arkeologjinë e saj ngjizet nga të qenit shqiptar, si revoltë e një projekti politik të papërfunduar, konsekuencë e së cilës është çdo gjë që e trazon shqiptarin dhe e bën revoltues për një shekull të tërë. Ajo nuk është, thjesht, një manifestim i fuqisë elektorale. Ajo, në vete, është përpjekje individësh për ta ndjerë veten, është kthjellim nga apatia dhe marramendja shoqërore. Për më tepër se demonstrim fuqie, ajo dha një mesazh të qartë: Unë jam këtu!

Të protestosh do të thotë ekzistosh, ta bësh “tjetrin” të dëgjojë. Të protestosh nënkupton shkërmoqje të indiferencës dhe fatalitetit për ta dëshmuar fillimisht veten, duke i dërguar mesazh historisë së ardhmërisë. Është kjo britma e engjëjve të syrgjynosur në ferrin e tokës drejt djajve pushtues të parajsës qiellore. Të protestosh nënkupton të tradhtosh dy herë. Ta tradhtosh “veten” nga zhgënjimi dhe molepsja ndjellakeqe e determinizmit politik dhe ta tradhtosh “tjetrin” për mesazhin se akoma ka një ideal për ta realizuar dhe së unë refuzoj të burgosem në lirinë tënde. Mesazhi më universal i protestës ishte se shqiptarët duan një shtet tjetër, ata duan një botë tjetër, ata duan ta projektojnë botën, gjegjësisht këtë shtet, ashtu siç duan ta projektojnë veten.

Militantët e “Lëvizjes Besa” ishin më meritorët për organizimin e kësaj proteste. Në të vërtetë, një protestë e ngjashme u organizua edhe vitin e kaluar. Nëse militantët e kësaj lëvizje politike janë mobilizuar ndaj “militantëve” të partisë në pushtet, përmes kësaj proteste ata dhanë një mesazh tjetër: militantizmi është manifestim i kauzës ose “çështjes”, të qenët, është mesazh i “ashtësisë” në esencë dhe në potencë synon ta eklipsojë aksidencën. Ashtësia e të qenit shqiptar, para së gjithash, e kuptimëson identitetin e tij protestues dhe protestën si gjenezë të metafizikës shqiptare, si qenie që në një kuptim tjetër ata janë ashti ose kocka, semiotika e një fuqie dhe qëndrese. Militanti është i tillë veç në saje të kauzës. Më e rëndësishmja është se protesta, si identitet i politikbërjes aktive, po kthehet dalëngadalë në spektrin politik opozitar, duke shndërruar masat e mëdha pasive në kolektive politike aktive.

Në kuptimin sociologjik “Besa”, para se të jetë një akt dhe një moment raporti dhe lidhjeje reciproke, ajo në kuptimin filozofik është një shqyrtim kritik dhe reflektim mbi ekzistencën njerëzore. Para se të jetë një reflektim ndaj vetes dhe shenjë që shënjon fillimin e një raporti, ajo është meditim për “fjalën” si shënjues objektesh, idesh dhe fenomenesh. Vetë-reflektimi brenda filtrit të brengës metodike dhe stërvitjes intuitive është dimension epistemologjik që prek dhe thërret në ndihmë metafizikën, hapësirën ku shtrihet dhe zgjerohen përligjjet e bindjeve tona. Përveç të tjerash, shtrojmë dilemën se pse vendosim marrëdhënie me tjetrin dhe kush është tjetri për ne?! Besa jepet nga një dhe merret nga një person tjetër në saje të një dimension transcendental mbi të cilin ajo ndërtohet, dimension sublim, i paprekshëm, i pashkatërrueshëm, thjesht i përjetshëm. Nuk është racionale në përmasa të kalkulimit, por besa, thjesht, jepet për hir të besës. Besa është moment reflektimi dhe përgjegjësie për atë që e jep dhe sfidë për atë që e pret përmbushjen e premtimit të dhënë. Përmbushja e premtimit është vullnetim për veprim.

Në kuptimin politik, përmes aktivitetit “Lëvizjes BESA”, koncepti i besës përtej një kodi të shenjtë etik shqiptar ka filluar të jetësohet edhe si interpretim i një kontrate të zgjeruar ose të dyfishtë shoqërore. Në thelb të kësaj kontrate politike qëndron uniformiteti i frymës kolektive, duke ftuar çdo njeri si qenie politike të bashkuar rreth besës së dhënë si akt i shenjtë dhe i pakotenstueshëm. Kontrata politike është e garantuar nga besa e dhënë e kontraktueseve. Pra, besa si akt, është në thelb politik që manifestohet si patriotizëm në aksiologjinë politike. Patjetërsueshmëria e kësaj kontrate është ideja e kuptimit gjeometrik të drejtësisë, që Lëvizja Besa parapëlqen ta shquajë si “drejtësi simetrike”, e cila është e kundërt me drejtësinë aritmetike ose kalkulative, që manifestohet si padrejtësi, që krijon pabarazi politike dhe është burimi i kaosit ekonomik ose i distribuimit të të mirave materiale në nivel shtetëror.

Fryma e konceptit të besës ka arritur të imponohet edhe në protestat e Lëvizjes BESA, madje edhe në këngën e marshit të tyre “Besa besë, besën e kem dhanë; për Shqipëri jetën dojmë me dhanë” dhënia e besës implikon edhe një jetë të dhënë, një jetë të flakur si eksperiencë epistemologjike të shkrirjes së qenies në idealin politik, kur përmes vdekjes merr kuptimin jeta vetë si dëshmorësi në ekzistencë. Përfshirja e sakrificës si imanencë e idealit e lind edhe militantin intelektual të Lëvizjes Besa, duke e vënë në epiqendër sakrificën për Besën e dhënë ndaj lëvizjes dhe “çështjes” që përbrendëson lëvizja. Besa e dhënë, për çfarëdo sakrifice që e pret lëvizjen, e kuptimëson jetën e çdo militanti dhe shmang çdo tundim të pushtetshëm, parcial dhe grupor, si dhe bindjen për ndjekjen e rrugës së duhur. Edhe pse vazhdimi i refrenit të këngës në një version tjetër është “… për liri jetën dojmë me dhanë”, ashiqare shihet sinonimiteti i lirisë dhe Shqipërisë, se shqiptari është i lirë vetëm në Shqipëri.

Numri masiv i pjesëmarrësve në protestë nuk do të duhej të kuptohej si manifestim i detyrueshëm fuqie elektorale, madje protesta masive nuk mund t’i atribuohet gjithaq mllefit të akumuluar ndaj partisë shqiptare në pushtet, që e mbyti idealin e shqiptarizmës si projekt shekullor. Protestimi duhet t’i atribuohet mundësisë në horizont dhe ngjizjes së idealit të ri, për një botë të re dhe për një shqiptar të ri. Të kërkosh lirinë duke protestuar në Ditën e Evropës dhe në njëvjetorin e skenarit të ngjarjeve të Kumanovës, është mesazh dhe sihariq i krijimit të një epopeje mu ashtu siç krijuan popujt e lirë të Evropës. Mbi të gjitha, imazhet e protestës flasin shumëfish më shumë se fjalët e këtij teksti, por një gjë është e qartë – se Maqedonia do të kalojë nëpër procese të ndryshme substanciale politike, sociale dhe strukturore që domosdoshmërisht do të reflektojnë edhe te shqiptarët e tjerë në Ballkan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit