BE: Ngërçi në negociata e afron Serbinë gjithnjë e më shumë me Rusinë dhe Kinën
Serbia ka pritur që nga viti 2012 që Bashkimi Evropian t’i përgjigjet kërkesës së saj për t’u bërë një anëtare e plotë e BE-së.
Pavarësisht negociatave rraskapitëse, kjo përgjigje po vjen ngadalë dhe shkaku kryesor i ngërçit ka një emër të qartë: Kosova. Para se të pranojë kërkesën e Serbisë për anëtarësim, BE-ja kërkon një zgjidhje përfundimtare për marrëdhëniet bulaterale midis Serbisë dhe Kosovës ku kjo e dyta ishte haptaz e shkëpur nga Serbia pas konfliktit të vitit 1999, kur NATO u erdhi në ndihmë shqiptarëve të Kosovës dhe shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.
Serbia nuk e ka njohur kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës, ashtu siç nuk e kanë njohur shumë vende të tjera të rëndësishme: nga 193 vendet anëtare të OKB-së, vetëm 110 kanë pranuar zyrtarisht pavarësinë e republikës së re, ndërsa pjesa tjetër, përfshirë Rusinë, Kinën, Spanjën, Greqinë dhe Rumaninë, për të përmendur vetëm ato më të rëndësishmet, refuzojnë të njohin pavarësinë e shqiptarëve të Kosovës që dikur ishte një rajon i okupuar nga Serbia.
Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë që një prej anëtarëve të tij në fakt nuk është në gjendje të garantojë kontroll mbi kufijtë e tij, siç do të ishte rasti me Serbinë nëse anëtarësimi i saj pranohej.
Në fakt, që nga përfundimi i luftës midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ka një kufi të qartë dhe të kontrolluar midis dy vendeve. Në mënyrë që të shmangen përplasjet e vazhdueshme, Kosova dhe Serbia në fakt e kanë lënë kufirin të hapur, duke e mbyllur njërin sy ndaj “tregtisë së kontrabandës” që lulëzon në të dy anët e kufirit.
Në këtë situatë, nëse Serbia do të bëhej anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, do të krijonte një hendek në kufijtë e të gjithë zonës Shengen, pasi çdokush që kalonte përmes Kosovës mund të lëvizte në të gjitha vendet e BE-së. Kjo nuk është pengesa e vetme për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian: shumë kancelari evropiane janë të kujdesshme ndaj politikës së jashtme serbe e cila, që nga shpërbërja e Federatës Jugosllave, ka mbajtur një marrëdhënie të privilegjuar me Rusinë, duke refuzuar t’i përmbahet sanksioneve të vendosura nga Evropa kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë në dëm të Ukrainës.
Gjatë pandemisë Covid-19, Serbia madje ra dakord të prodhonte vaksinën ruse “Sputnik V” direkt në laboratorët e saj, duke anashkaluar në mënyrë të qartë ofertën e vaksinave të BE-së.
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të rëndësishme evropiane, pranimi zyrtar i Serbisë në Bashkimin Evropian mund të zhvendosë qendrën e gravitetit të gjeopolitikës së Evropës drejt Lindjes, duke hapur një kanal preferencial për dialog midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian përmes Serbisë.
Kjo mundësi, megjithatë, nuk shihet në mënyrë të pafavorshme nga Gjermania, e cila, në synimet e Presidentit të CDU -së, Armin Laschet, kandidati i radhës për të pasuar Angela Merkelin si kancelare, kohët e fundit ka deklaruar se është në favor të një politike të jashtme që zhvillohet në shumë udhëzime, duke paralajmëruar partnerët e tij perëndimorë për rrezikun që rezulton nga ndërprerja e dialogut me Rusinë dhe Kinën. Në lidhje me këtë, Laschet ka deklaruar publikisht se politika e jashtme gjithmonë duhet të përqendrohet në gjetjen e mënyrave për të bashkëvepruar, përfshirë bashkëpunimin me vendet që kanë modele të ndryshme shoqërore nga tonat, të tilla si Rusia, Kina dhe kombet e botës arabe.
Sot, nuk e dimë nëse në vjeshtë Laschet do të marrë udhëheqjen e vendit më të fuqishëm në Bashkimin Evropian, por ajo që është e sigurt është se anëtarësimi i mundshëm zyrtar i Serbisë në Bashkimin Evropian mund ta detyrojë Evropën të rishikojë disa nga qëndrimet e saj të politikës së jashtme, nën presionin e një aksi të ri serbo-gjerman.
Sidoqoftë, aktualisht anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian duket ende shumë larg, pikërisht për shkak të ngërçit në negociatat Serbi-Kosovë.
Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia nënshkruan të ashtuquajturin “Pakti i Brukselit”, një marrëveshje e konsideruar me optimizëm nga diplomatët evropianë se është e aftë të normalizojë me shpejtësi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, në funksion të njohjes reciproke politike dhe diplomatike.
Pjesë përbërëse e marrëveshjes ishte, nga njëra anë, angazhimi i autoriteteve të Kosovës për të njohur një shkallë të lartë të autonomisë administrative për komunat e Kosovës të banuara nga një shumicë serbe ndërsa nga ana tjetër, bashkëpunimi i serbëve në kërkim për eshtrat e mijëra shqiptarëve të Kosovës të eleminuar nga trupat e Millosheviçit gjatë rebelimit që i parapriu luftës së vitit 1999.
Asnjë nga dy zotimet deri më tani nuk është përmbushur dhe gjatë takimit të mbajtur në Bruksel më 21 korrik midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u shkëmbyen fjalë të ashpra dhe akuza reciproke në lidhje me dështimin për të zbatuar “Paktin”, në tavolinën që shefi i politikës së jashtme evropiane, Jozef Borrel, u kërkoi publikisht të dy palëve që të mbyllnin kapitullin e një të kaluare të dhimbshme përmes një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella, me synimin për të ndërtuar një të ardhme evropiane për qytetarët e të dy vendeve. Kjo e ardhme duket e turbullt, nëse marrim parasysh se Serbia, në fakt, refuzon të njohë vlerën ligjore të gradave dhe diplomave të dhëna nga autoritetet akademike të Kosovës, madje edhe për pjesëtarët e pakicës serbe të Kosovës.
Serbia shihet në mënyrë të favorshme nga presidenti aktual slloven i Bashkimit Evropian, Janez Jansa, i cili është një mbështetës i anëtarësimit të saj, sepse kjo do të shënonte përfundimisht shpërbërjen e Federatës Jugosllave. Shumica dërrmuese e partive të krahut të djathtë evropian, duke filluar nga “Rassemblement National” (franceze) deri në “Fydesz” (hungareze), gjithashtu miratojnë aplikimin e Serbisë për anëtarësim dhe u drejtohen hapur pakicave serbe që jetojnë në vendet e tyre përkatëse. Ndërsa, pas viteve të shkëputjes së SHBA-ve nga Ballkani nën presidentët Bush, Obama dhe Trump, administrata e Bajdenit ka vendosur ta përcaktojë rajonin përsëri në listën e angazhimeve prioritare të politikës së jashtme, duke ia besuar dosjen e Serbisë nënsekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Matthew Palmer, një autoritet dhe diplomat me përvojë.
Me synimin për të mbështetur kërkesën e saj për anëtarësimin evropian, Serbia ka vendosur gjithashtu lobistë zyrtarë.
Qershorin e kaluar, firma lobuese e Natasha Dragojilovic Ciric, “ND Consulting”, u regjistrua zyrtarisht në të ashtuquajturin ‘regjistri i transparencës’ i BE-së për të promovuar mbështetjen për anëtarësimin e Serbisë. “ND Consulting” financohet nga një grup donatorësh ndërkombëtarë dhe këshillohet nga Igor Bandovic, ish-studiues në “American Gallup” dhe Shef i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Beograd, nga avokatja Katarina Golubovic e Komitetit të Avokatëve të të Drejtave të Njeriut dhe Jovana Spremo, ish-konsulente e OSBE-së.
Këta janë ekspertët ligjorë të vendosur nga Serbia në Bruksel për të mbështetur aplikimin e saj për integrim formal evropian, por ndërkohë Serbia nuk po i neglizhon aleancat e saj “lindore”.
Në fillim të këtij muaji (korrik), Shefi i SVR-së, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse, Sergey Naryshkin, bëri një vizitë zyrtare në Beograd, disa javë pas përfundimit të një stërvitje të përbashkët ushtarake midis forcave speciale ruse “Spetznaz” dhe forcat speciale serbe.
Në kryeqytetin serb, Naryshkin përveç se u takua me homologun e tij serb Bratislav Gasic, i cili është Shef i Agjencionit për Informacionet e Sigurisë, shërbimi i vogël sekret serb, por i fuqishëm, ai gjithashtu u prit nga Presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiç, me qëllim të publikimit të afërsisë mes Serbisë dhe Rusisë.
Koha e vizitës përkon me rinisjen e bisedimeve në Bruksel për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe mund të konsiderohet qartë si e dobishme në ushtrimin e presionit delikat diplomatik që synon të bindë Bashkimin Evropian për mundësinë që, në rast të një refuzimi, Serbia mund të vendosë që patjetër t’i kthejë shpinën Perëndimit dhe të bëjë aleat me një Lindje që është padyshim më e gatshme t’i trajtojë Serbët me dinjitetin dhe vëmendjen që një popull si ato beson se e meriton.
Një lajm që konfirmon se Serbia është e gatshme t’i kthejë shpinën Perëndimit, nëse Evropa vazhdon të shtyjë vendimin për pranimin e saj në Bashkimin Evropian është fakti që Kina së fundmi ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Serbinë në fushën e kërkimit farmaceutik, një marrëveshje që e bën Serbinë një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës në kontinentin Evropian.