1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

BE-ja do të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

Më të lexuarat

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë samitit të së enjtes dhe së premtes në Bruksel do të vendosin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën dhe do të bëjnë ftesë që të përgatitet korniza negociuese e bllokut për këto negociata.

Vende anëtare veçse janë pajtuar që kjo të përfshihet në draftin e konkluzave të përgatitura për miratim në këtë samit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.

“Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat.

Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Pra, pas vendimit që pritet që të enjten nga niveli më i lartë të vazhdojë puna në Këshill para se të nisin negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

Më herët, shtatë shtete anëtare të BE-së, përmes një letre, kërkuan që në samitin e 21 dhe 22 marsit të miratohej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ky grup shtetesh po ashtu ka tërhequr vërejtjen se dështimi për të miratuar një vendim të tillë do të dëmtonte besueshmërinë e bllokut evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në letrën e dërguar bashkërisht nga shtatë shtetet anëtare që kërkojnë nisjen e negociatave me Sarajevën.

Letra është nënshkruar nga ministrat për Çështje Evropiane nga Austria, Kroacia, Greqia, Italia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia.

Përmes kësaj letre, këto shtete kanë argumentuar se Bosnje e Hercegovina në muajt e fundit ka bërë më shumë përparim në reforma sesa në disa vjet dhe se procesi i reformave po vazhdon me një ritëm të shpejtë.

“Duke pasur parasysh këtë, mendojmë se është e domosdoshme të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të vendosim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën”, u tha në letër.

“Një vendim i tillë do ta forcojë rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt BE-së dhe ta sjellë një hap më afër në integrimin në bllok. Nëse dështojmë të bëjmë këtë, atëherë kjo do të dobësonte rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe do të dërgonte një sinjal negativ për gjithë rajonin, të cilit i kemi premtuar para 20 vjetësh se e ardhmja e tyre është në BE”, u tha në fund të kësaj letre.

Bosnja e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Në samitin e dhjetorit të vitit 2023, BE-ja kishte shprehur gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, me disa kushte. Ndërsa me 12 mars të këtij viti, Komisioni Evropian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

Temat e tjera të samitit të BE-së

Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

“Pas paraqitjes së draftit të kornizës negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, Këshilli Evropian fton Këshillin e BE-së që të vazhdojë punën”, thuhet në këtë draft.

Propozimin për kornizën negociues për këto dy vende e ka paraqitur Komisioni Evropian. Por, ajo tani duhet të miratohet nga Këshilli, në mënyrë që të nisin negociatat e anëtarësimit.

Sa i përket Gjeorgjisë, në konkluza thuhet se “Këshilli Evropian merr në dijeni vazhdimin e përpjekjeve aktuale dhe inkurajon këtë vend që të avancojë në reformat e mbetura si prioritet”.

Gjeorgjia ka statusin e vendit kandidat, por jo edhe rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Gjatë samitit dyditor, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për reformat që blloku duhet t’i bëjë para se të jetë në gjendje të pranojë vende të reja anëtare. Edhe kjo do të përfshihet në konkluzat që pritet të miratohen gjatë këtij samiti.

“Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin a radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft.

Në procesin e zgjerimit formalisht ndodhen dhjetë shtete. Nëntë prej tyre kanë statusin e vendit kandidat ndërsa. Kosova mbetet i vetmi shtet i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar formalisht.
|REl|

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit