Në frymën e Kurban Bajramit, shteti turk dhe grupet e bamirësisë po ofrojnë vakte ushqimesh për mijëra familje anembanë globit.
Ndërsa myslimanët anembanë botës kremtojnë Kurban Bajramin, apo festën e sakrificës, nga 25 në 28 tetor, Turqia vazhdon të nxisë vlerat e unitetit, dashurisë dhe bamirësisë nëpërmjet programeve të ndihmës ndaj atyre në nevojë.
Gjatë Kurban Bajramit theren kafshë për të simbolizuar gatishmërinë e profetit Ibrahim për të sakrifikuar.
Në frymën e festës, shteti turk dhe organizatat bamirëse mbledhin ndihma dhe dhurata ushqimesh për t’i shpërndarë tek popullsitë e cenueshme në Turqi dhe jashtë.
Që nga 2005, kur një tërmet shkatërrues goditi Pakistanin, Gjysmëhëna e Kuqe turke ka ofruar ndihmë humanitare gjatë Kurban Bajramit. Atë vit, Turqia u ofroi viktimave të tërmetit të Pakistanit 9,000 gjedhe të sakrifikuara.
Gjysmëhëna e Kuqe turke ka rritur që atëherë fushatën e saj, duke përfshirë Pakistanin, Sudanin, Territoret Palestineze, Bosnje dhe Hercegovinën (BiH), Maqedoninë, Serbinë, Moldavinë, Somalinë dhe Mianmar.
Vitin e kaluar Gjysmëhëna e Kuqe bëri therjet dhe shpërndau 5,870 dele e dhi dhe 750 gjedhe për gati 35,500 familje. Ndihma e këtij viti do të përcaktohet nga donacionet e popullit turk.
Gjysmëhëna e Kuqe turke përveç myslimanëve përfshin ne iniciativat e saj edhe jo-myslimanët.
“Lotët nuk kanë fe, as gjuhë, i tha SETimes Hajati Çetin, anëtari i bordit të Gjysmëhënës së Kuqe turke.
“Qëllimi ynë është jo vetëm t’i ofrojmë njerëzve ushqim, por gjithashtu të shtrijmë ndihmën e islamit, bashkë me të gjitha traditat si festimi së bashku në qendër dhe fshat,” shtoi Çetin.
Veprimtaritë e Gjysmëhënës së Kuqe turke shkojnë paralel me projektet e bamirësisë të grupeve të shoqërisë civile.
Që nga 2006, OJQ-ja Kimse Yok Mu?, ka ofruar ndihmë për Kenian, Etiopinë, Nigerin, Indonezinë, Libanin, Pakistanin, Jemenin, Sri Lankën, Shqipërinë, BiH, Azerbaixhanin, Territoret Palestineze, Afganistanin, Kirkistanin, Mozambikun, Mianmarin, perunë, Kamboxhian, Senegalin dhe Gjeorgjinë.
Në 2011, organizata shpërndau mish për 179,043 familje në 43 vende gjatë Eid al-Adha. Këtë vit, zyrtarët e organizatës synojnë të arrijnë 70 vende në Afrikë, Ballkan dhe Lindjen e Mesme.
“Një ndihmë e tillë kontribuon për komente pozitive për Turqinë lidhur me prestigjin, njohjen, besueshmërinë dhe marrëdhëniet e përmirësuara tregtare me të gjitha ato vende që kanë një besim të thellë në vendin tonë,” i thaSETimes Jusuf Jildirim, drejtor i shoqatës për ndihmën e huaj.
“Kur zgjedhim familjet në nevojë ne së pari bëjmë studim social për të përcaktuar njerëzit e duhur. Veçanërisht në të tilla kremtime, ne sjellim me vete lodra të ndryshme për t’ua dhënë atyre fëmijëve në vende të ndryshme. Vetëm kjo buzëqeshje e vogël na bën ne të harrojmë të gjitha distancat që kaluam për të ardhur tek ta,” tha Jildirim.
Jardimeli Dernegi, një tjetër bamirësi, ka në plan të shpërndajë mish në Turqi dhe gati 30 vende me donacione të ofruara nga shtetasit.
Mehmet Deri, bashkërendues i medies i shoqatës, tha se me gjithë se ndihma e ofruar gjatë festës është “vetëm një pikë në oqean,” prania e organizatës i lejon ata të bëjnë parashikime rreth veprimtarive të ardhshme të ndihmës.
“Në këtë mënyrë ne pretendojmë se organizata jonë bashkë me grupe të tjera bamirësie në Turqi, kishte kontribute të rëndësishme në zhvillim, arsim, shëndetësi dhe probleme të varfërisë gjeografi problematike,” tha ai.
Shoqata nisi një projekt në 2008 të quajtur “Familjet Motra” që çifton një familje dhuruese turke me familje në nevojë në Ballkan, Azi, Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Kaukaz, pavarësisht nga feja.
Në Ballkan, mijëra familje kanë përfituar nga mbështetja e Turqisë. Në BiH, Shoqata Merhamet punon me Gjysmëhënën e Kuqe turke dhe Agjencinë Turke të Zhvillimit.
“Ne i jemi mirënjohës popullit turk, qeverisë turke dhe organizatave humanitare turke që na kanë ndihmuar ne përpara, gjatë luftës dhe tani, 20 vjet pas asaj periudhe. Ata ende vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për shtetasit e BiH në nevojë, nëpërmjet organizatës sonë,” i tha SETimesHajrudin Shahiç, president i shoqatës.
Fondacioni Osman Hulusi Efendi, me bazë në qytetin Malatja të Anatolisë qendrore, ka ndihmuar familjet në nevojë në BiH për vite, veçanërisht ata që janë zhvendosur gjatë luftës në krye të viteve 1990.
Gjatë festës mishi u është dhënë familjeve të tilla si e Mumin Kariç, që disa vite më parë iu përgjigj një trokitje në derën për të gjetur një dele që i qe dhuruar familjes së saj.
“Ata kishin dëgjuar se ne jetonim në kushte shumë të këqija dhe vendosën të na ndihmojnë edhe pse ne nuk e njohim njeri tjetrin,” tha Kariç.
“Që atëherë, disa herë në vit, njerëz të mirë vijnë në shtëpinë tonë nga Turqia, dhurojnë diçka dhe flasin me ne,” tha ajo. “Ata janë të interesuar në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm. Ata kanë bërë mjaft për mua dhe familjen time dhe ne i konsiderojmë ata si miq, jo të njohur.”/SET