Kur dëgjon togfjalëshin Feja Islame cila është gjëja e parë që të vjen ndërmend? Përfytyrimi i parë që të vjen ndërmend kur përballesh me këtë togfjalësh tregon nëse ke njohje të saktë apo të gabuar rreth saj. Fjala vjen, në qoftë se përzgjedhim dy atribute të kësaj feje; bamirësinë dhe drejtësinë, cila prej tyre të vjen ndërmend e para kur dëgjon togfjalëshin Feja Islame?!
Atributi i parë që të vjen ndërmend përcakton kuptimin tënd për fenë. Në qoftë se mendja të shkon tek bamirësia le të themi, me siguri që ke përfytyrim të mangët për Fenë Islame, dhe sigurisht kjo gjë nuk ndodh veç për fajin tënd, por edhe për fajin tënd me siguri, sepse në sferën publike i mëshohet shumë natyrës bamirëse të fesë, që fundja nuk është e pavërtetë, sepse Feja Islame e nxit me të madhe bamirësinë, dhe ky dimension social vihet re kollaj po të lexosh për të, por nuk është ky atributi i saj kryesor dhe as më i rëndësishmi, madje bamirësia nuk është atribut absolut, që do të thotë se jo të gjithë njerëzit kanë nevojë për bamirësi, madje vetë njeriu bamirës nuk mund t’i ndihmojë të gjithë njerëzit, ndërsa drejtësia nuk mund të jetë dot ndryshe përveçse absolute, përndryshe do të konsiderohet padrejtësi.
Pra njeriu nuk mund të bëhet i drejtë me disa persona dhe me disa të tjerë jo, sepse kjo me siguri që konsiderohet padrejtësi, pra drejtësia nuk mund të fragmentarizohet sepse humbet vlerat e saj. Për drejtësinë Zoti flet shumë në Kuran, dhe kërkon vendosjen e saj me çdo kusht, madje qoftë edhe kundra vetes: “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut,qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju.”
Ky ajet kuranor sugjeron se drejtësia është vlerë absolute. Drejtësia mund të jetë e tillë, pra vlerë absolute, kur zbatohet për çdo rast, qoftë edhe kundra vetes, përndryshe ajo nuk konsiderohet më drejtësi, por padrejtësi.
Xhibrili zbret nga shtatë qiejt për ta marrë në mbrojtje Zejd ibn Seminin, një izraelit i cili qe në konflikt me një musliman, dhe ky i fundit në fakt ishte zullumqar, sepse kishte vjedhur diçka dhe akuzonte izraelitin e pambrojtur. Dhe Zoti prej shtatë qiejve e mori në mbrojtje dhe shpalli këtë ajet kuranor si qortim për të dërguarin e tij: “Vërtet, Ne (o Muhamed) ta kemi zbritur Kuranin me të drejtën, në mënyrë që ti të gjykosh ndërmjet njerëzve sipas asaj që të ka shpallur Allahu. Dhe mos u bëj mbrojtës i tradhtarëve!”
Janë pa fund ajetet kuranore ku Zoti nxit dhe urdhëron për drejtësi, Allahu thotë në Kuran: “E, nëse i gjykon, gjykoji me drejtësi! Vërtet, Allahu i do të drejtët.”, dhe “Thuaj: “Zoti im urdhëron drejtësi”, dhe “O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju.”
Sigurisht që bamirësia është një virtyt i lartë, sidomos për kohën që jetojmë, e zhytur në materializëm dhe kapitalizëm, dhe vetë Zoti i nxit njerëzit të jenë bamirës, prandaj Allahu ka sanksionuar me ligj zeqatin e pasurisë, zeqatin e fitrit, dhe shpagimin e veprave të gabuara e lidh me bamirësinë, dhe nxit për lëmoshë, por bamirësia nuk është atribut absolut, njeriu bën bamirësi kur dëshiron dhe atij që dëshiron, dhe kjo jo vetëm që nuk është padrejtësi por shkruhet vepër e mirë tek Zoti.
Bamirësia shpesh herë vjen si nevojë e brendshme e njeriut, për të shlyer gabimet, që nuk është veprim i gabuar duhet thënë, përkundrazi. Njeriu gabimtar përpiqet të shuajë me të zjarrin e zemrës, ndërsa drejtësia është mundësi për ta frenuar zjarrin e saj. Edhe në këtë kuptim drejtësi qëndron më lart se bamirësia, sepse parandalimi i gabimit vlen më shumë se shlyerja e tij.
Madje edhe në një rast që Zoti i bën bashkë drejtësinë dhe bamirësinë në Kuran, drejtësinë e rendit të parën gjë që konfirmon këtë që sapo thashë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”
Hoxhë Dorian Dalliu