Tronditja e autoriteteve gjeorgjiane: Të jetë katandisur USAID-i deri në këtë pikë?
Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Gjeorgjisë ka njoftuar se tre shtetas serbë kanë vizituar Gjeorgjinë dhe kanë mbajtur një ligjëratë për “grushtin e shtetit” në kuadër të projektit të mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), transmeton Anadolu.
Zyrtari i shërbimit Bacha Mgeladze, në një deklaratë tha se shtetasit serbë Sinisha Shikman, Jelena Stoishiç dhe Slobodan Jinoviç erdhën në Gjeorgji më 25 shtator si mysafirë të programit të USAID-it “Instituti për Menaxhim Lindje-Perëndim”.
Mgeladze deklaroi se arsyeja e deklaruar zyrtarisht për ardhjen e qytetarëve të Serbisë në Gjeorgji ishte trajnimi me temën “Lufta strategjike jo e dhunshme” për grupet që punojnë në fushën e kulturës.
“Megjithatë, hetimi tregoi se ky nuk ishte qëllimi i mbërritjes së këtyre njerëzve në Gjeorgji”, tha Mgeladze.
Ai shtoi se nga data 26 deri më 29 shtator, në një hotel në kryeqytetin Tbilisi, ky grup ka mbajtur leksione për “përgatitjen dhe zbatimin e procesit të përmbysjes së qeverisë me dhunë” për përfaqësues të disa organizatave joqeveritare dhe aktivistë civilë.
Pjesëmarrësit e ligjëratës u informuan për “marrjen e hapave kundër Qeverisë, institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Gjeorgjiane, mbylljen e rrugëve për trafikun, ngritjen e tendave para ndërtesave administrative, etj”.
“Gjithashtu, ka pasur mësime për tema të tilla si rezistenca ndaj arrestimit nga policia, hyrja në ndërtesën e parlamentit dhe mbyllja e transmetuesit”, tha zyrtari.
Mgeladze tha se Shikman, Stoishiç dhe Jinoviç u dhanë deklarata oficerëve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror si pjesë e hetimit dhe se ata u përpoqën të fshehin arsyen e vërtetë të qëndrimit të tyre në Gjeorgji.
Duke theksuar se hetimi për përgatitjen e pretenduar të një plani për grusht shteti kundër qeverisë së Gjeorgjisë midis tetorit dhe dhjetorit është duke vazhduar, Mgeladze tha se këta njerëz kishin lidhje me revolucionin (Revolucioni i Trëndafilave) që ndodhi në Gjeorgji në vitin 2003, si dhe në procese të ngjashme në Serbi, Ukrainë dhe vende të tjera.
Duke theksuar se shtetasit e lartpërmendur të Serbisë u larguan nga Gjeorgjia më 30 shtator, Mgeladze tha se hetimet po vazhdojnë.
Pritet deklarata e USAID-it
Duke komentuar njoftimin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili tha se në vendin e tij po përgatitet një plan grusht shteti nga disa grupe radikale.
Ai deklaroi se këto grupe marrin mbështetje brenda dhe jashtë Gjeorgjisë.
“Ne pamë pjesëmarrjen aktive të vendeve të huaja. Është një situatë shqetësuese që qytetarët e një vendi të huaj të vijnë në vend dhe të ofrojnë trajnime të maskuar si trajnues të përfaqësuesve të mjedisit kulturor dhe artistik këtu”, tha Garibashvili.
Ai vuri në dukje se njerëzit e dyshuar për “mësime për grusht shteti” u sollën në Tbilisi nga USAID.
“Ky është sigurisht një fakt i trishtuar, por ne do të presim deklaratën e tyre zyrtare. Ne kemi shumë vite që bashkëpunojmë me USAID-in. Prandaj është për të ardhur keq që po ndodhin gjëra të tilla”, nënvizoi kryeministri gjeorgjian.
Një ditë e zezë në historinë e ndihmës amerikane për Gjeorgjinë
Kryetarja e Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, gjithashtu komentoi rastin dhe tha se ka pikëpyetje rreth USAID-it.
“Kjo është një ditë e zezë në historinë e ndihmës amerikane për Gjeorgjinë, ku ne shohim paratë e popullit amerikan që përdoren për të planifikuar procese revolucionare këtu,” tha Papuashvili.
Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Gjeorgjisë publikoi gjithashtu pamjet në lidhje me ligjëratat e mbajtura nga tre shtetas serbë në Tbilisi. /tesheshi.com/