Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se është duke vazhduar trendi i rritjes së të ardhurave, ku nga muaji janar deri në maj 2021 është arritur që të inkasohen 23.9 milionë euro më shumë së parashikimi.
Në njoftimin e ATK-së thuhet se nëse krahasohen parametrat e njëjtë me vitin paraprak kanë arritur të kenë performancë tejet premtuese, duke rritur inkasimin për 56.8 milionë euro.
“Institucioni ndër më të rëndësishmit në mbushjen e buxhetit të shtetit deri më tani (janar-maj 2021) ka mbledhur tatime në total 242.9 milion euro, kjo ecuri e deritanishme e bënë ATK-në dhe stafin e saj edhe më vigjilent, në realizimin e objektivave të saj, të cilat në masë të madhe janë me karakter të modernizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve”.
ATK synon që në pjesën e dytë të këtij viti të vazhdoj me reforma në procese si atë të hartimit dhe zbatimit të planit për përmirësimin e regjistrit të tatimpaguesve / deklaratave tatimore, implementimin e Strategjisë së Kontrollit 2020-2022, si dhe modernizimin e DTM-së.
Gjatë ditës së djeshme edhe Dogana e Kosovës ka treguar se për herë të parë që nga themelimi në këtë periudhë të vitit ka tejkaluar shumën e mbledhur prej 500 milionë euro të ardhura për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Në një njoftim për media nga Dogana thonë se krahasimi me vitin e kaluar tregon që dogana ka mbledhur 27.6% më shumë apo shprehur në terma financiar, shumën prej 108,5 milion më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit paraprak.
Ky trend krahasues ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë muajit Maj dhe tregon tendencë të rritjes edhe ditëve vijuese.