sh-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Paddy Ashdown, thotë se ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një “rrugë e shtruar me rrezik”.
Ashdown, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, thotë se ideja e tillë do të krijonte precedent për shqiptarët në Maqedoni, për kufirin hungarez-serb e madje edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, për të marrë një pjesë të Ukrainës.
Ashdown dhe dy ish-përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në Bosnje, Carl Bildt dhe Christian Schwarz-Schilling, i shkruan këtë javë letër të hapur shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, duke iu bërë thirrje që të heqin dorë nga planet për “tregtinë e territoreve” midis Serbisë dhe Kosovës.
” Mendoj se këto janë rrethana të rrezikshme. Mendoj se do nisë një seri kërkesash të ngjashme për korrigjim të kufijve, që do të shkaktojnë migrimin e pakicave dhe do të destabilizojnë disa vende, përfshirë Bosnjën. Për shembull, Maqedonia është në prag të një referendumi të rëndësishëm për të ardhmen e saj dhe mundësinë e anëtarësimit në BE. Por, nuk kam dilema se, nëse Presheva i bashkohet Kosovës, edhe shqiptarët në Tetovë dhe Gostivar mund të thonë se duan t’i bashkohen Kosovës. E gjithë kjo do t’i dëmtonte përpjekjet e deritashme për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Ashdown ka folur edhe për qëndrimin amerikan rreth idesë së ndryshimit të kufijve.
“Jo edhe shumë befasues për dy arsye. Ata nuk e kuptojnë se cilat janë pasojat (e ndryshimit të kufijve) në terren dhe nuk e kuptojnë kompleksitetin. Që Shtetet e Bashkuara, me këtë administratë, janë më të prira që ta bëjnë këtë dhe më pak të dinë se çfarë ndodh në terren, nuk më befason. Së dyti, supozoj se (presidenti amerikan, Donald) Trump, si përkrahës i arritjes së marrëveshjeve me çdo çmim, e sheh këtë si ‘kjo është marrëveshje’. Nëse kjo shihet vetëm si marrëveshje dhe nuk mendohet për pasojat shumë të rrezikshme, mund të jetë joshëse për t’u pranuar, por do të jetë gabim i madh nëse pajtohen”, tha ai.