Në këto rreshta do të jepen disa prej nocioneve të muajit të Ramazanit. Sa herë që në mendje më ngulitet një nocion, papritur më shfaqet një tjetër. Sa herë që ndiej aromën e tij të këndshme, të tjera aroma më pushtojnë. Nuk e di nga t’ia filloj e as deri ku të ndalem, por, më lejoni, që për disa çaste, të notoj me shpirtin dhe mendjen time në oqeanin e dritës, mirësisë e bukurisë, të notoj në detin e bujarisë së pakufishme hyjnore. Hyrja e hënës së re dhe njoftimi se Ramazani tashmë ka filluar më paralajmëron se mëshira dhe mirësia më kanë përfshirë edhe mua. Më bëhet sikur dëgjoj një zë nga qielli, i cili thërret me gëzim të madh: Portat e Xhenetit janë hapur, portat e Xhehenemit janë mbyllur dhe shejtanët janë prangosur. Këtu ia vlen të meditojmë pak. Hapja e portave bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, portat që mbyllen askush nuk mund t’i hapë, kurse shejtanët prangosen fort, që të mos kenë liridalje. E gjitha kjo ndodh vetëm në Ramazan. Ramazani është festë në tokë, festë në qiell, festë në zemrat e atyre që kërkojnë faljen, mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut.
Një vit i tërë ka kaluar ku besimtari ka qenë në luftë të hapur me shejtanin, nefsin dhe epshet e tija. Një vit i tërë ka kaluar me lodhje e stërmundime derisa në mesin tonë vjen muaji i bekuar i Ramazanit, ku Allahu i Lartësuar i thotë robit të Tij: Qetësohu, sepse i kemi hapur portat e Xhenetit, i kemi mbyllur portat e Xhehenemit e shejtanët i kemi prangosur; e për sa i përket nefsit tënd, që është dhënë pas epsheve, ia kemi lënë në dorë barkut tënd duke agjëruar, kështu që ti të qetësohesh, rehatohesh e të lartësohesh. Ke rastin më të mirë që të pasurosh shpirtin, prandaj shfrytëzoje atë në maksimum. Gjëma më e madhe që i vjen njeriut, nefsit dhe mendjes së tij, buron nga stomaku. Kjo jo për faktin se njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri për shkak të kulturës, prejardhjes, pozitës apo pasurisë, por se ndryshimi i tyre i vërtetë vjen nga ‘stomaku’ dhe ndikimi që ai ushtron mbi ndjenjat dhe logjikën e tyre.
Përpara nesh paraqitet agjërimi, që i bën të gjithë të barabartë. Tashmë ata kanë vetëm një ndjenjë. Agjërimi i vendos në një gjendje të përafërt shpirtërore, në Lindje qofshin apo në Perëndim. Tashmë dëgjohet zëri i mëshirës, i mirësisë dhe jo i stomakut; barazohet i pasuri me të varfrin e jeta bëhet më e këndshme në mbarë shoqërinë njerëzore. Allahu i Lartësuar nëpërmjet agjërimit dëshiron që robin e Tij ta shpërblejë me Xhenetin e Amshueshëm. A ka begati më të madhe se kjo?! Dihet botërisht se mëshira apo begatia vjen si rrjedhojë e përkushtimit. Ndoshta ky është sekreti i madhështisë së agjërimit, ku njeriu e privon veten nga mirësitë e kësaj bote për një kohë të caktuar. Kjo është mënyra e vetme e edukimit të egos. Në momentin që i pasuri ndjen realisht për të varfrin, zëri i brendshëm i njeriut ka fuqi ekzekutive. Asnjë ideologji e asnjë forcë tokësore nuk ka pushtet që t’i mbledhë njerëzit përreth saj. I vetmi synim pa interes që i grumbullon njerëzit është nënshtrimi, përulja dhe bindja ndaj vullnetit hyjnor.
Agjërimi është bërë obligim tridhjetë ditë në vit për të edukuar vullnetin e njeriut në praktikë. Aroma që lëshon agjërimi përhapet edhe në llojet e ndryshme të adhurimit. Ai kultivon te besimtari ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut ndaj robit të Tij. Të gjitha adhurimet që kryen besimtari, kryhen bashkërisht, si falja e namazit, haxhi, etj., ndërsa për sa i përket agjërimit, ai është një adhurim i fshehtë ndërmjet robit dhe Krijuesit të Madhërishëm. Ti nuk mund t’u thuash njerëzve: Shikoni, unë po agjëroj. A nuk është i mjaftueshëm fakti që, në kohën e çeljes së iftarit, besimtari lutet dhe lutja është e pranuar e nuk kthehet mbrapsht.
Aroma e agjërimit ndihet në ndërmjetësimin që ai do të bëjë për besimtarët në Ditën e Gjykimit; aroma e tij ndihet në leximin e Kur’anit, në faljen e namazit të teravive, në Natën e Kadrit, e cila është e specifikuar me një bujari të pakufishme hyjnore; aroma e agjërimit ndihet te Porta e Rejanit nëpërmjet të cilës hyjnë në Xhenet vetëm agjëruesit. Në një hadith kudsij, Allahu i Lartësuar thotë: “Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë shpërblej për të”. Në krahun tjetër dëgjojmë qortimin e ashpër, se kush e lë një ditë pa agjëruar, pa kurrfarë arsye të njohur nga sheriati, nuk i vlen edhe sikur të agjërojë gjatë gjithë vitit. Prandaj gjatë Ramazanit, pavarësisht diversitetit të njerëzve, vërejmë se agjëruesi nuk e ndërmerr hapin e rrezikshëm që të pijë qoftë edhe një gllënjkë uji, pavarësisht kohëzgjatjes së tij.
Ramazani është si shiu që pastron pluhurat e tokës. Ramazani është si pastrimi që njeriu bën kur dëshiron të largojë erën e keqe nga trupi, kurse agjërimi e ndihmon njeriun që të largojë egoizmin; koprracia nuk ka vend në zemrën e tij, fjalët e pahijshme nuk janë pjesë e fjalorit të gjuhës, po ashtu grindjet e zënkat as që i shkojnë ndërmend e jo më të vihen në zbatim. Besimtari nëpërmjet agjërimit thith aromën e durimit, qëndrueshmërisë, vullnetit e altruizmit, duke u ngritur në majat më të larta të vëllazërisë, lirisë e barazisë. Liria e vërtetë është kur njeriu çlirohet nga vargonjtë e epsheve kafshërore. Kjo liri i jep besimtarit garanci edhe pas Ramazanit. Kush agjëron gjatë Ramazanit, duke qenë i nënshtruar e i bindur ndaj Allahut, përgatitet shpirtërisht dhe me vendosmëri për ta agjëruar të gjithë muajin, bën durim në këto ditë të nxehta të verës, e ka shumë të lehtë që t’i nënshtrohet dhe bindet Allahut me adhurime përgjatë gjithë ditëve të tjera të vitit.
Ramazani është dhuratë nga Allahu. Është një rast shumë i mirë që duhet shfrytëzuar në maksimum. Nëpërmjet tij, Allahu i Lartësuar e shpërblen njeriun me Xhenet, hapësira e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës. Ai që nuk nënshtrohet dhe nuk përulet në këtë muaj, në cilin muaj të vitit do t’i përulet Allahut?! Nuk ka kohë më të përshtatshme dhe tokë më pjellore se Ramazani. Detyra e vetme e besimtarit gjatë këtij muaji është të fitojë kënaqësinë e Allahut. Ai që gjatë kësaj kohe merret me probleme e preokupime të tjera, realisht ka humbur shumë nga atmosfera e begatë e Ramazanit. Një aromë tjetër që na dhuron muaji i Ramazanit është edhe në kuptimin e kësaj fjale nga gjuha arabe: Nga shkronja “Ra” vjen fjala Rahmet, që do të thotë mëshirë e i gjithë Ramazani është mëshirë, ashtu sikurse thotë Profeti a.s. në hadith, se fillimi i Ramazani është mëshirë. Nga shkronja “Mim” vjen fjala Magfire, që do të thotë falje. Aroma e Ramazanit shpërndahet tek të gjithë agjëruesit, për t’ua falur të gjitha mëkatet dhe të metat. Nga shkronja “Dad” vjen fjala Daman, që do të thotë garanci. Kush agjëron me bindje dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, e ka të garantuar faljen e gjynaheve, shpërblimin e pakufishëm dhe hyrjen në Xhenet. Nga shkronja “Elif” vjen fjala Emane – besnikëri, që do të thotë se besimtari e ruan amanetin që i është ngarkuar prej Allahut. Nga shkronja “Nun” vjen fjala En-Nur, që do të thotë dritë. I gjithë Ramazani është dritë që shpërndahet tek të gjithë agjëruesit.
Ramazani është sistemi i të jetuarit, që kuron sëmundjet fizike, mendore, shpirtërore dhe sociale të mbarë shoqërisë. Ramazani e shtyn shpirtin me forcë përpara, që të triumfojë ndaj materies. Ramazani është koha kur dynjaja pastrohet dhe parfumoset me erë të mirë, prandaj përfitoni sa më shumë nga aroma e këndshme e këtij muaji të bekuar.
Elton Harxhi