1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Arkivi kujton korçarin e madh, nuhatësin dhe paralajmëruesin musliman të mynxyrës komuniste

Më të lexuarat

Veprat që la pas Hafiz Aliu, cila ishte më e rëndësishmja?

Arkivi Shqiptar kujton ditën e ikjes nga kjo botë të Hafiz Ali Korçës, një prej figurave më të shquara shqiptare të mendimit islam, njëherësh një figurë e përmasave kombëtare, pjesëmarrës në dy kongrese.

Në një biografi të shkurtër, Arkivi shkruan për të:

“Si sot, më 7 janar 1957, ndërroi jetë Hafiz Ali Korça.

Ali Korça, biri i Iljas efendiut, ka lindur në vitin 1866 në qytetin e Korçës. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku mbaroi shkollën ibtidaije, rushdije dhe idadije. Studimet e larta i kreu në Stamboll. Më pas u kthye në Korçë dhe nisi të punojë si mësimdhënës në shkollën shqipe, ku jepte gjuhë osmane, matematikë, shkrim dhe drejtshkrim të gjuhës turke.

Në vitin 1890 emërohet mësues në shkollën Rushdije të Korçës. Në vitin 1903 u emërua mësues gjeografie dhe historie në shkollën idadije të Spartës në Anadoll. Mori pjesë në kongresin e Manastirit (1908) dhe në kongresin e Dibrës (1909). Me rastin e ardhjes së Princ Vidit (1914), mbajti një fjalim në gjuhën frënge.

Në vitin 1916 pati detyrën e drejtorit të zyrës së arsimit për Tiranën, për Durrësin dhe për Shqipërinë e Mesme. Në periudhën 1918-1924 ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit. Me vendosjen e diktaturës, Hafiz Ali Korça u burgos dhe u internua, si pasojë e bindjeve të tij.

Mes punimeve të tij veçojmë përkthimin e Kuranit, Mevludin, “303 fjalë të Imam Aliut”, “Jusufi me Zelihanë”, “Rubaijati”, “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit” dhe “Historia e shenjtë dhe katër kalifët”. Bashkëngjitur, fragmente nga përkthimi në shqip prej Korçës i “Rubairave” të Omer Khajamit, si edhe pjesë nga artikulli i tij mbi zhvillimet në Shqipëri, në kopurat e një gazete në gjuhën perse”.

Në krijimitarinë e tij duhet veçuar fakti se qe ndër të parët mendimtarë të kohës që paralajmëroi mynxyrën e komunizmit, me veprën “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Dhe kjo, atëbotë kur komunizmit ishte dhe modë mendimi apo praktikimi politik, i cili për këtë arsye molepsi dhe shtresa qytetare shqiptare. Dhe për ironi historike, do qe ky korçar, Hafiz Aliu, që do denonconte një sistem që pati bërthamë pikërisht në Korçën e tij, me grupin komunist të Korçës, që startoi veprimtarinë politike me Demostratën e Bukës në 1940-ën. /tesheshi.com/   

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit