1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Antikorrupsioni: koha për ta dashur Shqipërinë si vendin që udhëheq kjo grua

Më të lexuarat

Rezoluta pa pikë vlere e Ramës që nuk i referohet asnjë modeli të moralit qeverisës në botë, Singaporit dhe vendeve skandinave

Parlamenti miratoi të hënën, vetëm me votat e Partisë Socialiste që qeveris vendin, rezolutën për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Pas miratimit të rezolutës, që në fakt kërkonte vetëm një shumicë të thjeshtë, midis palëve pritet të nisin diskutimet për ngritjen e një komisioni të posaçëm, që do të monitorojë punën e institucioneve, përfshirë edhe ato të drejtësisë për luftën kundër korrupsionit, dhe do të propozojë ndryshime ligjore në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Pikërisht për këtë komision, partitë e opozitës kanë shumë rezerva. Ato e cilësojnë atë si një mekanizëm, përmes së cilit shumica aktuale synon që të kontrollojë institucionet e reja të drejtësisë, dhe sidomos SPAK, që vitet e fundit është protagonisti absolut i jetës publike, duke goditur fort rastet korruptive nga të dyja kampet.

Megjithatë, ky organ është paragjykuar dhe fshikulluar dhjetëra herë nga përfaqësuesit e Rithemelimit, një fraksion radikal demokratësh të tubuar rreth ish-kryeministrit Sali Berisha, prej gati 6 muajsh në arrest shtëpie me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Por çfarë do të ndodhë nëse një ditë, palët bien darkord dhe e ngrenë komisionin e posaçëm parlamentar për mbikëqyrjen e SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë?

A do të kemi një rikthim në modelin e vjetër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kandidatët e të cilit zgjidheshin dhe filtroheshin nga parlamenti duke garantuar balancat politike, që sot janë prishur falë ndërhyrjes së ndërkombëtare dhe kryesisht amerikanëve? A mund të luftohet korrupsioni përmes qasjeve të vjetra, të provuara si të dështuara?

Korrupsioni është një plagë sociale e kudogjendur, megjithatë efektin më dërrmues e ka sigurisht tek vendet e varfra. Bazuar tek renditjet e përvitshme nga organizatat më prestigjioze ndërkombëtare, pak janë modelet që spikatin në luftën kundër kësaj dukurie. Në Evropë është modeli skandinav, i përfaqësuar nga Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia.

Ndërkohë në Azi, bie në sy shteti i vogël nga sipërfaqja por me një fuqi të madhe financiare, Singapori. Modeli skandinav bazohet tek transparenca, ku një aspekt kyç është e drejta e publikut për të pasur qasje në informacion. Një element tjetër thelbësor kundër korrupsionit është fokusi i madh tek llogaridhënia, e cila arrihet përmes një kombinimi të organeve të pavarura mbikëqyrëse, mbrojtjes efektive të sinjalizuesve dhe një kuadri ligjor të fortë.

Për shembull, Suedia ka krijuar Ombudsmanin Parlamentar, një institucion i pavarur, përgjegjës për hetimin e ankesave kundër autoriteteve publike. Danimarka ka një agjenci të specializuar për mbrojtjen e sinjalizuesve, duke siguruar që individët që raportojnë korrupsionin të mbrohen nga hakmarrja.

Bazuar tek ky model, tek ne ekziston prej më shumë se dy dekadash institucioni i Avokatit të Popullit. Por raportet e tij vjetore, ku renditen problematiket dhe shkeljet, miratohen formalisht në parlament, pa u shoqëruar me ndonjë adresim real që synon zgjidhen e tyre apo ndëshkimin e shkelësve.

Modeli nordik i kushton një rëndësi të madhe ndërtimit dhe ruajtjes së institucioneve të forta që janë rezistente ndaj korrupsionit. Integriteti institucional promovohet nëpërmjet proceseve rigoroze të rekrutimit, trajnimeve të vazhdueshme dhe kodeve të qarta të sjelljes.

Për shembull, Finlanda ka një sistem gjithëpërfshirës për emërimin dhe monitorimin e nëpunësve civilë, duke siguruar vendosjen në administratë të njerëzve me standardet më të larta etike. Po ashtu, Agjencia për Menaxhimin Publik dhe Qeverisjen elektronike në Norvegji ofron udhëzime dhe mbështetje për agjencitë publike në promovimin e praktikave të qeverisjes së mirë.

Nga ana tjetër, Finlanda ka zbatuar një program arsimor gjithëpërfshirës kundër korrupsionit në shkolla, duke u mësuar që në moshë të re nxënësve rëndësinë që ka integriteti dhe etika në punë. Kjo qasje pro-aktive, synon të rrënjosë një busull të fortë morale tek brezat e ardhshëm, dhe të krijojë një shoqëri që i refuzon praktikat korruptive .

Po në Finlandë, qeveria ka hapur një platformë online të quajtur “Ministri e Hapur”, ku qytetarët mund të propozojnë ligje dhe politika të reja, të cilat më pas debatohen dhe votohen nga publiku. Ky nivel transparence jo vetëm që redukton rrezikun e korrupsionit, por inkurajon pjesëmarrjen dhe angazhimin e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes. Ne në Shqipëri kemi ecur në dukje jo pak në aspektin e dixhitalizimit. Megjithatë sa më dixhitalë që bëhemi, aq më shumë duket se rritet distanca midis qeveritarëve dhe qytetarëve.

Edhe referendumet mbi çështje shumë të ndjeshme, që cilësohen si forma më direkte e demokracisë, ngecin shpesh dhe qëllimisht në disa ingranazhe institucionale e ligjore. Për pasojë, vendimet diktohen nga të zgjedhurit vendorë dhe qendrorë, dhe justifikohen me legjitimitetin e siguruar nga zgjedhjet e fundit lokale apo parlamentare, mbi integritetin e plotë të të cilave ka ende dyshime.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i modelit skandinav është fokusi tek llogaridhënia. Për shembull, në Norvegji, Zyra e Kontrollorit të Përgjithshëm kryen auditime të rregullta për të siguruar që fondet publike po përdoren në mënyrë të përshtatshme dhe efikase. Përveç kësaj, vendet nordike kanë krijuar agjenci të pavarura kundër korrupsionit që hetojnë dhe ndjekin penalisht rastet e korrupsionit.

Këto masa ndihmojnë për të parandaluar korrupsionin dhe për t’i mbajtur individët përgjegjës për veprimet e tyre. Mbrojtja e sinjalizuesve të korrupsionit, është një aspekt thelbësor i luftës kundër korrupsionit në këtë rajon. Duke ofruar masa mbrojtëse dhe stimuj për individët që të japin informacion për shkeljet, ky sistem promovon transparencën, llogaridhënien dhe në fund të fundit, një shoqëri më të mirë.

Në vitin 2016, Ministri i atëhershëm i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, propozoi  një ligj për mbrojtjen e sinjalizuesve të korrupsionit në administratën publike dhe në ndërmarrjet private me mbi 100 punonjës. Nisma parashikonte mbrojtje për punonjësit që spiunonin shefat e korruptuar. Fillimisht nisma u hodh poshtë nga koleget e tij në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, me justifikimin se krijonte hapësirë për spiunët dizinformues që mund të inkriminonin edhe njerëzit e ndershëm. Por për shkak të presionit ndërkombëtar u miratua, dhe një vit më vonë kompanitë shtetërore dhe ato private me mbi 100 punonjës, ishin të detyruara të ngrinin një strukturë të tillë.

Megjithatë nuk ka ende një bilanc të qartë se sa ka funksionuar kjo. Vitet e fundit është bërë një praktikë e rëndomtë, denoncimi i një skandali fillimisht në dy a tre portale të caktuara. Pasi bëhet viral në rrjetet sociale, përfundon në radarët e televizioneve, ku pasdarkeve të njëjtën analistë perifrazojnë të njëjtat gjëra, dhe mundohen ta orientojë opinionin në hullitë që synojnë eprorët e tyre në politikë.

Singapori mbetet sigurisht modeli jo vetëm më efektiv, por edhe më i ashpër në luftën kundër korrupsionit. Singapori, që në gjuhën malaje do të thotë Qyteti i Luanëve, ishte deri në vitin 1959 një koloni britanike e themeluar në fillim të shekullit XVIII-të. Ajo shërbente si pikë pushimi për marinarët dhe tregtarët endacakë të brigjeve të Azisë Juglindore.

Britanikët lanë pas një trashëgimi të qëndrueshme: ligjet e tyre dhe një personalitet të shquar vendas me emrin Lee Kuan Yew, të shkolluar në Kembrixh dhe të aftë ta drejtonte vendin e tij edhe pa praninë e tyre. I bindur se çdo popull duhet të qeveriset në bazë të filozofisë së tij, ai zëvendësoi gradualisht pjesën më të madhe të ligjeve britanike me rregullat e etikës të Konfucit mbi sistemin e vlerave.

Me një sipërfaqe prej më pak se 700 km2, Singaporit i mungonte çdo gjë që i duhet një vendi për të jetuar. Por përpos të tjerave, nuk kishte asnjë pikë ujë të pijshëm. Dhe ky ishte problemi i parë që udhëheqja e re e këtij vendi e zgjidhi në një mënyrë shumë të zgjuar. Lidhi një kontrate 100 vjeçare me Malajzinë.

Uji vinte prej andej me tubacione gjigante mbi det, përpunohej dhe pasi mbahej sasia që i duhej Singaporit, pjesa tjetër shitej. Sot Singapori, falë një teknologjie moderne, bën të mundur përpunimin e ujit të detit, duke e kthyer atë në ujë të pijshëm. Po ashtu Lee vuri në shërbim të vendit të tij të gjitha përparësitë që i jepte pozicioni gjeografik i Singaporit, duke e kthyer atë në qendrën më të madhe portuale detare e ajrore për të gjithë rajonin.

Ai punoi me një strategji të qartë që Singapori t’i shpëtonte perëndimizimit, duke stimuluar vlerat aziatike, si një motor zhvillimi. I shpalli një luftë të pakompromis, madje deri në ekstrem, korrupsionit, krimit dhe sidomos drogës. Asnjë lloj tolerance nuk ka për aktet korruptive të zyrtarëve të administratës publike.

Madje ka pasur dënime mjaft të ashpra të rasteve flagrante edhe pa u gjykuar. As ndërhyrja e Bill Clinton, që ishte mik i ngushtë i tij, nuk mjaftoi për të ulur dënimin e një qytetari amerikan që u akuzua për një gërvishtje makine. Dhe as ndërhyrja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe kryeministrit australian nuk e shpëtoi një qytetar australian nga dënimi me vdekje për disa gramë drogë të fortë.

Ne fillim këto masa i trembën qytetarët, por me kalimin e kohës, çdo gjë u kthye në edukatë e sjellje krejt normale. Lufta kundër korrupsionit në Singapor nisi me një shtyllë thelbësore: krijimin e një agjencie të specializuar të dedikuar për këtë qëllim, e cila ishte Byroja e Hetimit të Praktikave Korruptive, CPIB.

Ajo u themelua në vitin 1952 si një agjenci e pavarur nën Prokurorinë e Përgjithshme derisa u transferua në vitin 1969 në kryeministri, duke pasur autonominë për të vepruar në mënyrë të pavarur. Kështu, nëse kryeministri refuzon të hetojë ose procedojë një çështje, drejtori i CPIB mund ta apelojë drejtpërdrejt tek presidenti i vendit.

Natyrisht që kjo politikë ka rezultuar mjaft e suksesshme për sa kohë që qytetarët singaporas ndjehen të lumtur në vendin e tyre. Janë në top listën e vendeve me të ardhura më të larta për frymë. Çdo njeri flet rrjedhshëm tri gjuhë të huaja, kinezçe, anglisht dhe malaja. Rinia është e përkushtuar pas shkencës dhe teknologjisë.

Në zyrat e administratës shtetërore apo edhe në vendet ku shërbehet gjen mirësjellje, kulturë dhe ngrohtësi njerëzore. Çdo gjë në këtë vend lëviz më shpejt se kudo tjetër. Duke qenë më shumë pragmatist se politikan, Lee nuk e pa asnjëherë qeverisjen si një proces të zbatimit të politikave mbi bazën e parimeve të ngurta.

Përkundrazi, kreu në vendin e tij eksperimente të guximshme, duke ndërtuar parime nëpërmjet gabimeve të së shkuarës për të gjetur politikat më efikase për të ardhmen. Ai mori më të mirat e administratës britanike, por anashkaloi pjesën më të madhe të praktikës së saj.

Ishte një ndër pionierët e kapitalizmit shtetëror, duke bërë që pothuajse të gjitha veprimtaritë ekonomike të vihen nën kontrollin e shtetit, i cili merr përsipër planifikimin dhe menaxhimin e centralizuar të tyre. Singapori njihet me të drejtë si “perla e Azisë”. Sepse atje ekziston një kulturë e fortë integriteti dhe edukimi që përshkon të gjithë popullsinë e saj.

Rrjedhimisht, disa sjellje që janë të zakonshme në shumicën e vendeve thjesht nuk tolerohen në Singapor. Për shembull aktivitete të tilla si shitja ose përdorimi i çamçakëzit, pështyrja në tokë, drejtimi i automjeteve më të vjetra se 10 vjet, ngrënia në mjetet e transportit publik dhe pornografia janë rreptësisht të ndaluara.

Vitin e kaluar, ish-ministri i Transportit S.Iswaran u përball me akuza për korrupsion dhe 27 krime të lidhura me organizimin e Çmimit të Madh të Formula 1. Ky ishte skandali i parë korrupsioni që nga vitet 1980 në Singapor. Ai u arrestua më 11 korrik 2023, u lirua me kusht në këmbim të pagesës prej 800.000 dollarësh, dhe më vonë dha dorëheqjen.

Gjyqi  ndaj tij është në vazhdim. Ky rast i bujshëm përkoi me udhëheqjen e presidentes së parë grua por edhe të besimit musliman, Halimah Yacob, pjesëtare e komunitetin etnik malaja. Yacob që drejtoi vendin gjatë viteve 2017-2023, u vlerësua shumë për integritetin e lartë njerëzor dhe profesional, dhe për thellimin e luftës kundër korrupsionit duke mbështetur pa rezerva punën e CPIB, por edhe për barazinë gjinore, mos-diskriminimin e pakicave, dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Në fund të mandatit, ajo u nderua me medaljen më të lartë të vendit.

Kryeministri Edi Rama u takua në fillim të vitit 2017, me homologun e tij Lee Hsien Loong, dhe  e vlerësoi Singaporin si një model të zhvillimit. Mbetet të shihet nëse vendi ynë do të ndjekë gjurmët e vendit aziatik. Bota e biznesit ka hedhur edhe ide tjetër. Në mars, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, deklaroi se investimi në ishullin e Sazanit është një mundësi e jashtëzakonshme për të kthyer atë në një zonë të lirë ekonomike. Ai propozoi që ishulli të dalë në një tender ndërkombëtar dhe të shndërrohet në një metropol të ngjashëm me Singaporin, me qiellgërvishtëse dhe me seli të kompanive globale. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit