-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ambasadori i Turqisë për situatën në veri: Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje, vetëm një zgjidhje diplomatike do të siguronte stabilitet të qëndrueshëm

Më të lexuarat

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për marrëdhëniet Turqi –Kosovë, investimet turke në vendin tonë si dhe rolin e presidentit Recep Tayyip Erdogan në dialogun Kosovë – Serbi.

Diplomati turk që në Kosovë është që pesë muaj thotë se Turqia do të jetë gjithmonë një partner i besueshëm i Kosovës.

Diplomati turk ka folur edhe për dronët Bayraktar, të blerë së fundmi nga Turqia si dhe për ushtarët e KFOR-it në kuadër të misionit të NATO-s.

Lexo intervistën e plotë:

Telegrafi: Ambasador Angili, ka 5 muaj që jeni në Kosovë, si po e shihni sot situatën politike dhe ekonomike në vend?

Angili: Kosova gjithmonë më mban të zënë por nuk ankohem. Sepse për ne paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkan është shumë i rëndësishëm dhe Kosova ka një vend qendror në këtë aspekt. Turqia është një vend Ballkanik dhe ne kemi lidhje të forta mes njerëzve me Kosovën dhe kombet e tjera ballkanike. Prandaj, çfarëdo që të ndodhë në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit ndihet thellë në zemrën e popullit turk. Kjo e bën punën time të vështirë dhe të kënaqshme. Besoj se që nga viti 2008, në 15 vjet si shtet i pavarur, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në shumë fusha. Kosova ka një ekonomi tregu funksionale me një sektor privat dinamik. Institucionet shtetërore po përmirësojnë kapacitetet e tyre. Ekziston një atmosferë shumë e gjallë politike dhe një kulturë demokratike. Megjithatë, shkalla e lartë e papunësisë sidomos tek të rinjtë, ikja e trurit, progresi i kufizuar në investimet në infrastrukturë, veçanërisht në sektorin e energjisë janë sfida të rëndësishme. Jam i bindur se Kosova do të bëjë përparim në këto fusha. Turqia do të jetë gjithmonë një partner i besueshëm i Kosovës.

Telegrafi: Turqia së fundi ka shtuar numrin e ushtarëve të saj në Kosovë në kuadër të KFOR-it, çfarë do të thotë kjo për shtetin tuaj?

Angili: Si ushtria e dytë më e madhe e NATO-s, Turqia kontribuon në mënyrë aktive në NATO në fronte të ndryshme. Gjatë incidentit që ndodhi më 29 maj në veri të Kosovës, NATO kërkoi trupa shtesë nga Turqia. Tani disa nga ushtarët tanë po kontribuojnë në stabilitetin në veri. Kjo e bën publikun tonë të ndjekë edhe më nga afër ngjarjet në Kosovë. Besoj se KFOR-i është i domosdoshëm për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit. Prandaj, si në të kaluarën do të vazhdojmë të jemi një nga kontribuuesit më të rëndësishëm të KFOR-it.

Telegrafi: Si i keni parë tensionet në veri të Kosovës?

Angili: Ne mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje. Vetëm një zgjidhje diplomatike do të siguronte stabilitet të qëndrueshëm. Prandaj, të gjitha palët duhet të punojnë për të arritur progres në procesin e dialogut. Përshkallëzimi nuk është i dobishëm. Pra, ne duam të shohim de-përshkallëzimin në veri, i cili do të hapte rrugën për rifillimin e procesit të dialogut. Në këtë drejtim, zgjedhjet në veri me pjesëmarrjen e plotë të popullatës serbe do të ofronin terrenin e nevojshëm për negociata kuptimplote. Turqia do të jetë e gatshme të kontribuojë në këtë proces nëse të dyja palët dëshirojnë ta bëjmë këtë.

Telegrafi: Cili është roli i Turqisë dhe presidentin Erdogan në dialogun Kosovë-Serbi?

Angili: Ne kemi marrëdhënie miqësore si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë telefonuar Presidentin Erdogan për ta uruar pas zgjedhjeve. Këto telefonata dhanë gjithashtu një mundësi për të diskutuar se si mund të kontribuojmë në procesin e dialogut. Ne deklaruam hapur se Turqia mbështet procesin e dialogut të lehtësuar nga BE dhe është e gatshme të luajë një rol nëse të dyja palët kërkojnë. Megjithatë, dua të sqaroj se Turqia nuk është një zëvendësues i procesit të dialogut në vazhdim. Qëllimi ynë është të përforcojmë procesin e vazhdueshëm dhe të ndihmojmë për të bërë progres në rast nevoje. Fatkeqësisht, unë shoh një tregim të rremë që e paraqet Turqinë si një konkurrent ose një aktor zëvendësues kundër BE-së. Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ne mbështesim integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë në institucionet euroatlantike.

Telegrafi: Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të shumta në shumë fusha, ku mendoni se mund të rritet ky bashkëpunim?

Angili: Turqia dhe Kosova janë partnerë strategjikë. Kjo do të thotë se kemi bashkëpunim të thellë në disa fusha. Për dy fushat më të rëndësishme janë siguria dhe ekonomia. Në fushën e sigurisë, ne vazhdojmë t’u themi miqve tanë kosovarë se prania e organizatës terroriste FETO në Kosovë nuk është vetëm kërcënim për Turqinë, por edhe për Kosovën. Kjo organizatë terroriste përdor shkolla, kompani apo xhami për të fshehur agjendën e tyre të paligjshme. Ata i përdorin këto institucione për të rekrutuar njerëz, për të financuar aktivitetet e tyre terroriste nga pastrimi i parave, mashtrimi apo evazioni fiskal. Prandaj, ne i propozuam një mekanizëm efektiv Kosovës për të luftuar kundër FETO-s dhe organizatave të tjera terroriste si dhe krimit të organizuar. Ne presim përgjigjen e tyre. Në fushën e ekonomisë, investimi i Turqisë në Kosovë është rreth 10% e të gjitha investimeve tona në Ballkan. Turqia ishte partneri numër një tregtar i Kosovës vitin e kaluar. Kompanitë turke punësuan drejtpërdrejt 10 mijë persona në Kosovë. Tani duhet të kalojmë në një fazë tjetër të bashkëpunimit tonë ekonomik. Ndryshimet në zinxhirët e furnizimit pas COVID-it, rëndësia e sigurisë së ushqimit dhe energjisë pas luftës në Ukrainë kërkojnë një model të ri partneriteti ekonomik midis vendeve tona. Për këtë qëllim, ne i propozuam Kosovës një mekanizëm të quajtur JETCO (Mekanizmi i Përbashkët i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar). Deri më tani ne e kemi krijuar këtë mekanizëm kryesisht për vendet anëtare të BE-së. Por ne shohim një potencial të madh në Kosovë dhe mendojmë se këtë potencial duhet ta realizojmë duke krijuar një mekanizëm efektiv institucional.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë Sabri Tunç Angili, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: A ka interes për investitorë nga Turqia në Kosovë edhe në cilat fusha?

Angili: Ka një interesim të madh të investitorëve turq për të investuar në Kosovë. Fushat primare janë energjia, infrastruktura, tekstili, siguria ushqimore dhe zhvillimi rural. Ne propozuam krijimin e grupeve punuese specifike sektoriale për të marrë në detaje projektet e mundshme në këto fusha. Shpresojmë të shohim një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.

Telegrafi: Kosova së fundi ka blerë dronët Bayraktar nga Turqia, a do të ketë blerje tjera ushtarake?

Angili: Siç thashë edhe më lart, bashkëpunimi për mbrojtje është vetëm një pjesë e bashkëpunimit tonë me Kosovën. Megjithatë, kohët e fundit filloi të konsolidohet një perceptim se roli i Turqisë është vetëm në fushën e bashkëpunimit të mbrojtjes. Kjo nuk është e vërtetë. Ashtu si anëtarët e tjerë të NATO-s, ne mbështesim tranzicionin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Në këtë proces ne mbështesim Forcat e Sigurisë së Kosovës si aleatët e tjerë të NATO-s. Deri më tani, blerjet e reja ushtarake nuk janë në agjendën tonë. E rëndësishme është që qëllimi i tyre është mbrojtës dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje është plotësisht në përputhje me kornizën e NATO-s dhe jo kundër ndonjë vendi të tretë përfshirë Serbinë.

Telegrafi: Për fund, si po ndiheni në Kosovë dhe çfarë po ju pëlqen më shumë?

Angili: Në Kosovë ndihem si në shtëpinë time. Ne kemi kaq shumë ngjashmëri bazuar në kulturën dhe historinë tonë të përbashkët. Dhe më së shumti më pëlqejnë njerëzit dhe kafeja!. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit