0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Allahu është pranues i pendimit

Më të lexuarat

Në Kuranin Fisnik rreth pendimit lexojmë shumë ajete, prej të cilave janë edhe këto: “Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt.” (Nisa, 17)

Gjithashtu fjala e Allahut të Madhërishëm: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet.” (Zumer, 53)

“Ai e pranon pendimin e robërve të Vet, i fal gjynahet dhe i di të gjitha çfarë punoni ju.” (Shura, 25)

“A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet?” (Tevbe, 104).

Dijetarët thonë: “I gjithë umeti është unanim se pendimi (tevbeja) është obligim për besimtarët, duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Madhërishëm: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur, 31)

Çështja e pendimit në Islam është një çështje madhore dhe konsiderohet një dhunti me të cilën Allahu i Lartësuar i begaton robërit e Vet. Ai u ofron mundësinë që të rishikojnë llogaritë, të arrijnë atë që u ka kaluar dhe të kthehen tek ajo që është shpëtim nga shkatërrimi. Në vijim do të flasim lidhur me ajetet të cilat i theksuam në fillim të këtij shkrimi, tematika e të cilave është pendimi.

Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu është pranues i pendimit” është konfirmim dhe premtim nga ana e Allahut të Madhërishëm për pranimin e pendimit nga robërit e Tij, të cilët i bënë dëm vetes së tyre me gjynahet, të mëdha dhe ato të vogla. Sikur (falja e mëkateve) nënkuptohet se është obligim për Allahun e Lartësuar, por asgjë nuk është obligim për Të, vetëm se ajo që ia ka obliguar Vetes.

Lidhur me fjalën e Allahut: “Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria”, nga ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Kush punon ndonjë të keqe, ai është i paditur e nga padituria e tij është bërja e ndonjë të keqeje.”

Fjala e Allahut “pendohen shpejt” nënkuptohet që mëkatari të shpejtojë drejt pendimit pas mëkatit duke mos këmbëngulur në mëkatin dhe gabimin e tij.

Ndërsa sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar: “Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija” (Nisa, 18), është paralajmërim për mospranimin e një lloj pendimi, e ai është në momentin e afrimit të vdekjes dhe humbjes së shpresës nga jeta “e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem” (Nisa, 18). Prej robit gjatë pendimit kërkohet që punën ta shoqërojë me fjalë. Atij nuk i mjafton të thotë atë që nuk punon e as të punojë atë që nuk e thotë. Deklarim i pendimit thjesht nuk janë vetëm fjalët që thuhen dhe shprehjet që përsëriten, por patjetër duhet ta vërtetojë puna dhe vepra, përndryshe nuk konsiderohet pendim i sinqertë.

Kur humb shpresa për jetë, pendimi atëherë nuk ka dobi për faktin se nuk ka hapësirë për punë dhe veprim. Në këtë kontekst kanë ardhur hadithe të shumta të cilat konfirmojnë një gjë të tillë. Prej tyre është edhe ky hadith i cili transmetohet nga Abdullah b. Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu i Lartësuar e pranon pendimin e robit para se të gargarisë.” (Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu)

Nëse pendimi në ajetin e parë të sures Nisa “Allahu është pranues i pendimit” është i përgjithshëm për secilin që bën mëkat, ajeti i dytë “e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”, e specifikon këtë përgjithësim në kohën kur afrohet vdekja, ngase pendimi atëherë nuk ka dobi.

Allahu i Lartësuar gjithashtu në suren Nisa ajeti 48 thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” Nga pamja e jashtme e këtij ajeti kuptojmë se Allahu i Lartësuar i fal të gjitha mëkatet përveç idhujtarisë (shirkut), të cilin nuk e fal. Ky përgjithësim është kufizuar në rastin e vdekjes së robit duke qenë idhujtar, sepse falja e Allahut nuk e arrin as nga afër e as nga larg, mirëpo nëse robi pendohet nga idhujtaria para vdekjes së tij, atëherë Allahu i Gjithëmëshirshëm e pranon pendimin nga robërit e Tij dhe ua fal mëkatet.

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i Lartësuar lajmëron se nuk fal që t’i bëhet shirk Atij, respektivisht nuk ia fal robit nëse e takon Allahun duke qenë idhujtar dhe i fal gjynahet e tjera, nëse do. Lidhur me këtë ajet kanë ardhur hadithe, prej të cilëve është edhe ky, të cilin e shënon Ahmedi, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “O robi Im, përderisa ti më lutesh Mua dhe shpreson në Mua, Unë do t’i fal mëkatet e mëparshme. O robi Im, nëse më vjen me gjynahe sa toka dhe më takon Mua duke mos më shoqëruar diçka në adhurim, Unë do ta kthej këtë me falje.”

Në fund, themi se dijetarët janë unanimë se me pendimin nga mosbesimi dhe me bindjen në besim shpresohet falja nga Allahu, ndërsa vdekja në mosbesim pa dyshim se nuk i falet. Gjithashtu, ata janë unanimë se mëkatarit, nëse pendohet, i falet gjynahu nëse plotëson kushtet e pranimit të pendimit. Ndërsa nëse mëkatari vdes me mëkatin e tij – përveç shirkut- duke mos u penduar, ajeti i sures en Nisa dhe ajete të tjera argumentojnë se çështja e tij i mbetet dëshirës dhe vullnetit të Allahut të Lartësuar; nëse do, e fal me mëshirën dhe faljen e Tij, ndërsa nëse do, e dënon me drejtësinë e Tij. Allahu e di më së miri!

Almedin Ejupi
26.4.2009

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit