8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Komentimi i ajetit “Dhe rrini në shtëpitë tuaja” (El Ahzab, 33)

Më të lexuarat

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Thënia e Allahut: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja.” (El Ahzab 33), do të thotë që femrat të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe të mos dalin nga shtëpia përveç për ndonjë nevojë. Nevojë në Islam është namazi në xhami, duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, që e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë ik kënaqur me të: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut (femrat) të shkojnë në xhamitë e Allahut dhe kur të dalin të dalin të paparfumuara.” (Ebu Davudi 1/155. Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen-sahih. Shih Sahih Ebu Davud 529.) Në një transmetim tjetër ka thënë: “Dhe qëndrimi i tyre në shtëpitë e tyre është më i mirë për to.”

Gjithashtu Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka dyshim se e gjithë femra është avret dhe kur të dalë femra (jashtë shtëpisë), e shoqëron atë shejtani dhe më së afërmi kënaqësisë së Allahut është nëse ajo rri në shtëpinë e saj.” (Tirmidhiu, Ibn Ebi Shejbe, Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe hadithi është sahih.)

Po ashtu ka thënë: “Namazi i femrës në dhomën e saj është më i mirë sesa namazi i saj në dhomën e pritjes (sallon) dhe namazi i saj në dhomën e fjetjes së saj është më i mirë sesa namazi i saj në dhomën e saj.” (Ebu Davudi 570, Tirmidhiu 1173. Shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih. Shih Sahih Et-tergib uet-terhib 1/136) (Tefsir el Kuranil Adhim i Ibn Kethirit 3/482.)

Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Thënia e Allahut: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja” (El Ahzab 33), i urdhëron femrat të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Edhe pse ky ajet u është drejtuar grave të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i përfshin edhe femrat e tjera për shkak se nuk ka ardhur ndonjë argument që tregon se ky ajet ka për qëllim vetëm gratë e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem e jo edhe femrat e tjera dhe Islami është i mbushur me argumente të cilat e urdhërojnë femrën të qëndrojë në shtëpinë e saj dhe të mos dalë nga shtëpia përveçse për ndonjë nevojë. Allahu xh.sh. i ka urdhëruar gratë e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe i ka ndaluar ta shfaqin bukurin e tyre duke u zhveshur (ky urdhër i përfshin të gjitha femrat muslimane).

Pastaj vazhdon Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, dhe thotë: “Tregon Thalebiu dhe të tjerët se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e lexonte këtë ajet, qante saqë i lagej hixhabi nga lotët e saj.

Po ashtu theksohet se kur Sevdeja (gruaja e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem) është pyetur se pse nuk shkonte në haxh dhe umre ashtu siç po shkojnë edhe motrat e saj. Ajo tha: “Unë e kam bërë haxhin dhe umren dhe Allahu xh.sh. më ka urdhëruar të qëndroj në shtëpi.” Thekson transmetuesi i këtij hadithi dhe thotë: “Vallahi nuk ka dalë prej derës së dhomës së saj derisa e kanë nxjerrë xhenaze. Allahu qoftë i kënaqur me të.”

Pastaj Kurtubiu thotë: “Nuk ka për qëllim ajeti: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja” që mos ta kalojnë gratë pragun e shtëpisë së tyre asnjëherë. Atyre u është lejuar të dalin, mirëpo nëse kanë nevojë.

Dhe duhet ta dimë se ky lejim (që të dalin femrat jashtë shtëpisë nëse kanë nevojë) nuk është i përgjithshëm dhe pa kushte, pra nuk i lejohet femrës të dalë jashtë shtëpisë kur të dëshirojë dhe nga të dëshirojë ajo, po ashtu të përzihet me meshkujt në ndeja të ndryshme. Nevoja janë ato gjëra të cilat gruaja patjetër duhet t’i kryejë apo gjëra që patjetër duhet t’i blejë.

Dhe pa dyshim se nuk kemi mundësi t’i përfshijmë dhe t’i përmendim të gjitha rastet se kur i lejohet femrës të dalë nga shtëpia dhe kur jo. Po ashtu nuk ka mundësi të vendoset ndonjë rregull për këtë çështje, mirëpo njeriu ka mundësi të gjykojë dhe t’i shikojë rastet se kur i lejohet gruas të dalë dhe kur jo sipas haditheve dhe kushteve që ka përmendur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem për lejimin e daljes së femrës jashtë shtëpisë. (El Hixhab f.309)

Prej tyre, si p.sh. kërkimi i lejes për të shkuar në xhami, shkuarja e femrave në haxh apo në faljen e xhumasë apo të dy bajrameve, po ashtu edhe vizita e varrezave apo prania në luftë dhe në të gjitha këto raste ka rregulla, kushte dhe ndalesa.

Argument për lejimin e daljes së gruas jashtë shtëpisë për nevojat e saj (në rast se nuk ka mundësi tjetërkush t’i kryejë këto nevoja) është hadithi që transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: “Ka dalë Sevdeja pasi ka zbritur urdhri i mbulesës për nevojat e saj dhe ajo ishte një grua me shtatë të lartë dhe posa dilte ajo nga shtëpia, njihej nga ata persona të cilët e njihnin atë para se të bëhej obligim mbulesa. Dhe kur ajo doli për nevoja të saj, e takoi atë Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “O Sevde, vallahi nuk ke mundësi të fshihesh nga ne! Për këtë shkak, ki kujdes se si del.” Thotë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pastaj ajo u kthye dhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ishte tek unë duke ngrënë drekë dhe në dorën e tij kishte një kockë me mish dhe Sevde hyri brenda dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, unë dola nga shtëpia për disa nevoja të mia dhe më takoi Omeri dhe më tha këto fjalë.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Pastaj Allahu e inspiroi Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke qenë kocka me mish ende në dorën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe tha: “Me të vërtetë ju është lejuar juve (femrave) të dilni (nga shtëpia) për nevojat tuaja.” (Muslimi dhe Buhariu 1/249)

Shejh Mustafa Adevi, Allahu e ruajttë, thotë: “Sa i përket daljes së gruas nga shtëpia e saj, dije se është e urryer dalja e gruas nga shtëpia e saj pa nevojë për shkak se Allahu xh.sh. thotë: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El Ahzab 33) Edhe pse Allahu xh.sh me këtë ajet ju ka drejtuar grave të pejgamberit salallahu alejhi ue selem, ky ajet vlen edhe për femrat e tjera dhe dalja e saj lejohet në rast të sigurisë nga fitneja. Po ashtu, kur del nga shtëpia e saj për nevojat e saj, ajo duhet t’u përmbahet ligjeve të Islamit, të dalë e mbuluar, të mos parfumohet, të largohet nga vendet ku ka meshkuj, të mos ecë në mes të rrugës, të mos veshë këpucë që kërcasin dhe në përgjithësi duhet të dalë duke i plotësuar kushtet që i ka caktuar Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij. (Xhami Ahkam En-nisa f.120)

Ibn El Arabij ka thënë: “Kam vizituar më shumë se një mijë vende dhe nuk kam parë gra më të kujdesshme ndaj familjes së tyre dhe më të matura dhe modeste se sa femrat e Nablusit (palestinës), ku është hedhur Ibrahimi alejhi selam në zjarr. Unë kam ndenjur në atë vend dhe nuk kam parë asnjë femër në rrugë ditën, përveç ditën e xhuma (premte). Në atë ditë ato dilnin për namazin e xhumasë, saqë u mbushte xhamia prej tyre dhe kur përfundonte namazi, shkonin nëpër shtëpitë e tyre dhe nuk ka parë më syri im asnjë femër deri në xhumanë e ardhshme.” (El Xhami El Ahkam el kuran, të Kurtubiut 8/5450)

Dijetari Ebul Ala el Mevdudi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ka thënë tabiini, komentatori i njohur i Kuranit, Katade ibn Deame: “Pozita e femrës dhe vendqëndrimi i saj është shtëpia dhe nuk i është obliguar gruas ndonjë punë jashtë shtëpisë së saj për ndonjë shkak tjetër përveçse që të qëndrojë në shtëpi e qetë dhe të kryejë obligimet e saj familjare. Nëse femra ka nevojë të dalë, i lejohet të dalë nga shtëpia me kusht që të dalë kokulur, mos të ketë në rrobat e saj ndonjë zbukurim tërheqës që tërheq shikimin e njerëzve dhe mos të ketë për qëllim të zbulojë bukuritë e saj duke zbuluar fytyrën ndonjëherë apo duart. Po ashtu nuk duhet të ecë me një ecje tërheqëse dhe nuk i lejohet të vendosë stoli. Nuk i lejohet të ngrejë zërin që të dëgjojnë të tjerët. I lejohet të flasë për nevojat e veta, mirëpo nuk lejohet të flasë me një gjuhë tërheqëse. Nëse i zbaton të gjitha këto kushte, i lejohet të dalë nga shtëpia për nevojat e veta.” (El Hixhab f.308)

Përktheu: Eroll Nesimi
3.5.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit