7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

S’ka detyrim në fe

Më të lexuarat

Prej ajeteve që flasin lidhur me lirinë e besimit është edhe ky ajet ku Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (Bekare, 256)

Ky ajet ka ardhur menjëherë pas ajetit kursij, i cili flet rreth madhështisë së fuqisë së Allahut të Lartësuar dhe përsosurisë së dijes së Tij. Cili është shkaku i zbritjes së këtij ajeti dhe ç’kuptim ka?

Librat e komentimit të Kuranit kanë përmendur disa transmetime lidhur me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, prej të cilave përmendim:

Nga Ibn Abasi është transmetuar se ky ajet ka zbritur për një burrë nga ensarët, i cili kishte dy djem të krishterë, kurse ai ishte musliman. Ai i tha të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “A t’i detyroj (të përqafojnë Islamin) sepse ata refuzojnë? Allahu i Lartësuar ka zbritur këtë ajet lidhur me këtë ngjarje. Shënon Taberiu. Kësisoj është transmetuar edhe nga Muxhahidi, Ibn Xhubejri, Sha’biu, Hasan el Basri dhe të tjerët.

Vahidi transmeton nga Muxhahidi, i cili ka thënë se ky ajet ka zbritur për një burrë nga ensarët, i cili kishte një rob të zi që quhej Sabih, të cilin e detyronte ta përqafonte Islamin.

Këto janë disa thënie sa i përket zbritjes së këtij ajeti kuranor. Kanë ardhur edhe disa transmetime të tjera, porse nuk dalin jashtë këtyre kuptimeve që i cekëm.

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e tij thotë se edhe pse ajeti ka zbritur për disa burra nga ensarët, dispozita e tij është e përgjithshme. Atë që ka përmendur Ibn Kethiri është plotësisht në pajtueshmëri me rregullën se i jepet përparësi termit të përgjithshëm e jo shkakut të veçantë. Kjo na jep të kuptojmë se edhe pse ajeti ka zbritur për një shkak të veçantë – që është përmendur më lart – por kuptimi i tij është gjithëpërfshirës. Për rrjedhim, nuk i lejohet askujt detyrimi i dikujt që të hyjë në Islam. Këtë përgjithësim e mbështet edhe kjo që transmeton Ibn Ebi Hatimi rreth një burri të quajtur Esek, për të cilin thotë “se ka qenë rob i krishterë i Umer b. Hatabit. Ky i fundit ia paraqiste Islamin, ndërsa ai refuzonte. Atëherë (Umeri) thoshte: “S’ka detyrim në fe” dhe i drejtohej duke i thënë atij: “Nëse e përqafon Islamin, do të na kishe ndihmuar për disa çështje të muslimanëve.”

Ajeti fisnik përcakton dhe vërteton një rregull dhe parim prej parimeve madhështore të kësaj feje, e ajo është liria e bindjes dhe e besimit. Në origjinë, njerëzit thjesht nga dëshira e tyre bëjnë zgjedhjen për besimin e tyre, pa ndonjë detyrim apo presion. Duke u nisur nga ky parim, assesi nuk i lejohet askujt në asnjë mënyrë ta detyrojë dikë të përqafojë këtë fe, për faktin se detyrimi dhe dhuna janë në kundërshtim me dinjitetin të cilin ia ka dhënë Allahu i Lartësuar çdo njeriu. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit.” (Isra, 70)
Almedin Ejupi
19.4.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit