-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Alkooli, si më shkatërroi jetën!

Më të lexuarat

Matt Maden ishte vetëm dhjetë vjeç kur nisi të pinte alkool. Tani në moshën 26-vjeçare i duhet të bëjë transplant në mëlçi. Nëse nuk do ta bënte, do të vdiste. Historia e trishtuar e një të riu që sot bën apel: “Hiqni dorë nga pija”

Matt Maden ishte vetëm dhjetë vjeç kur nisi të pinte alkool. Tani, në moshën 26-vjeçare, i duhet të bëjë transplant në mëlçi. Nëse nuk do ta bëjë, do të vdesë. Maden, nga Bournemouth, u diagnostikua me cirrozë në mëlçi, si rrjedhojë e abuzimit me alkoolin, kur ishte vetëm 21 vjeç. Që atëherë ka pasur tri herë hemorragji shumë të rrezikshme. Herë pas here mjekët i kanë vendosur në mëlçi një tub plastik, për të parandaluar lëngjet që të kalonin në stomak dhe mushkëritë e tij. Varuna Aluvihare, doktor në “King’s College” të Londrës, aty ku Maden mund të kryejë transplantin nëse gjendet një dhurues, tregon se një në pesë pacientë vdes në listën e pritjeve.

E frikshme
“Tragjikisht, çdo vit ne dështojmë të mbajmë në jetë dikë si Matt. Ne nuk kemi organe të mjaftueshme për momentin dhe ashtu si Matt, njerëzit mund të qëndrojnë në listë deri në 18 muaj”, tregon doktor Aluvihare. Maden e pranon se ky mendim është shpesh i frikshëm. “E kam të vështirë të gjej dikë që e di se çfarë po kaloj”, thotë ai. Hera e parë që Maden e pa veten të dehur ishte në moshën 15-vjeçare. “Më kujtohet tek ecja mëngjesin tjetër dhe mendimi im i parë ishte ‘kur mund ta bëj sërish në të ardhmen’”.

Maden tregon se si ndërtoi një tolerancë të fortë ndaj alkoolit. “Ndërsa më parë tetë kanoçe birre më dehnin, një vit më vonë pija dyfishin e tyre. Pastaj, disa vjet më vonë vetëm një shishe e madhe alkool i fortë mund të më dehte”, vazhdon më tej ai.

Doktor Aluvihare tregon më tej se kultura e të pirit të një shoqërie është për t’u fajësuar për numrin e madh të sëmundjeve të lidhura me alkoolin. “Shumë njerëz në moshën e Matt po vuajnë nga pasojat e lidhura me alkoolin. Është e trishtueshme të shohësh se si doktorët përpiqen t’u mësojnë këtyre 22-vjeçarëve gjërat e tepërta, e në këtë rast se alkooli vret”. Maden, përfundoi duke pirë alkool në çdo orë të ditës, tregon se si jeta e tij sociale nisi të shkatërrohej. “Nisa të bëhesha më i tërhequr. Të mbyllesha në botën time. Për shumë vite alkooli më jepte besim, më vonë e kuptova se ishte ai që po vendoste kontroll mbi jetën time. Nuk po isha më i aftë për asgjë”.

Mohim total
Maden, që punon si kujdestar, tregon se nuk i vjen më turp të pranojë se është një person i alkoolizuar. Por kur u zgjua në spital në vitin 2006, pasi kishte ndenjur rreth dy janë në koma si pasojë e problemeve me alkoolin e tepërt, tregon se ishte në një gjendje që as vetë nuk mund ta përshkruante. “Mendimi i parë që i erdhi në mendje, ishte që të mos pinte më asnjë gllënjkë”.

Maden, që është me origjinë nga Oxford, por u zhvendos në Bournemouth për t’u shtruar në një klinikë, bëri katër javë psikoterapi para se të shtrohej sërish në një klinikë rehabilitimi. “Jam i kënaqur të them se, që kur jam zhvendosur këtu nuk kam futur më alkool në gojë. Më vjen keq se si jam sjellë në të kaluarën. Kam qenë shumë egoist dhe kam bërë që të vuajnë shumë njerëz, përfshi edhe familjen time. Por nuk është e kaluara që ka rëndësi, por e tashmja dhe e ardhmja nëse do të ketë një të tillë për mua. Pija më shkatërroi jetën dhe tani po luftoj me mendimin se çdo ditë mund të jetë e fundit. Nëse nuk gjej një dhurues, rrugëtimi im në këtë botë do të ndërpritet këtu”. Sipas specialistëve, numri i të alkoolizuarve në shoqëri po rritet gjithmonë e më shumë. Por më e keqja është se pjesa më e madhe e tyre janë të rinj në moshë. Shumë e shohin alkoolin si një mënyrë të mirë për t’u argëtuar apo për të harruar problemet e shumta që kanë: si për shembull në shkollë apo jetën sentimentale. Specialistët pranojnë se të rinjtë e sotëm, shumë të dobët para duhanit dhe alkoolit, rrezikojnë të jenë brezi i parë që mund të jetojnë më pak se prindërit e tyre nëse nuk heqin dorë nga këto vese. Por gjithsesi, nuk duhet harruar se një sasi e moderuar asnjëherë nuk të bën dëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit