10 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

“Aktivitetet e FETO-s nuk e kanë jetëgjatësinë në Maqedoni”

Më të lexuarat

Profesori universitar në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, Doc. Dr. Bejtullah Demiri thotë se tentativa për grusht shteti në Turqi më 15 korrik u mundësoi qytetarëve të Maqedonisë të njohin Organizatën Terroriste FETO

SHKUP (AA) – BESAR ADEMI

Profesori universitar në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, Doc. Dr. Bejtullah Demiri thotë se tentativa për grusht shteti në Turqi më 15 korrik u mundësoi qytetarëve të Maqedonisë të njohin Organizatën Terroriste FETO. Ai thekson se “Aktivitetet e kësaj organizate nuk e kanë jetëgjatësinë në Maqedoni”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Demiri thotë se gjithmonë kur ndodh një grusht shteti në vendet e ndryshme të botës, kemi ndryshime sociale dhe politike në atë vend, ndërsa, sipas tij, ndryshim i tillë është duke u zhvilluar edhe në Turqi.

Ai vlerëson se përmes forcave të brendshme të instaluara në Turqi dhe përkrahjes së madhe nga faktori ndërkombëtar, FETO ka arritur të shkaktojë trazira të mëdha në Turqi. “Gjithmonë grusht shtetet e dështuara lënë pasoja të mëdha në vendet ku ndodhin. Mirëpo, në Turqi ne kemi një situatë ku shteti apo pushteti fillon të stabilizohet, ndërsa suksesi apo pozicioni i Turqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare është duke u rritur”, shprehet Demiri.

Demiri në vijim thekson se populli dhe shteti i Maqedonisë është i lidhur ngushtë me popullin dhe shtetin e Turqisë. “Tentativa për grusht shteti në Turqi u mundësoi qytetarëve të Maqedonisë të njohin Organizatën Terroriste FETO. Rrjedhimisht, aktivitetet e FETO-s nuk e kanë jetëgjatësinë në Maqedoni”, vazhdon Demiri.

Duke shpjeguar aspektet se pse shteti i Maqedonisë nuk ka ndërmarrë masa për mbylljen dhe bllokimin e aktiviteteve të FETO-s në Maqedoni, Demiri thotë se Maqedonia në dy vitet e fundit është në një krizë të thellë politike, ku institucionet e shtetit nuk funksionojnë në mënyrë të drejtë.

Sipas tij, reformat në shoqëri janë shumë të rënda dhe për transformimin e një sistemi apo një organizate e cila ka qenë thellë e instaluar në sistemin e Turqisë dhe të shteteve të tjera në Ballkan dhe më gjerë, është një proces i cili kërkon kohë.

Demiri potencon se Maqedonia është në kohën e formimit të qeverisë së re, duke shtuar se “Establishmenti i ri politik do të gjejë metodat dhe rrugën përmes së cilës do të ndalojë funksionimin e këtyre organizatave të cilat janë dëm për qytetarët e Maqedonisë, por edhe për shtetin e Maqedonisë”.

Demiri shton se tashmë është e qartë se nga cila anë janë qytetarët e Maqedonisë dhe me vetëdije të lartë ata bojkotojnë institucionet e FETO-s dhe dalëngadalë kjo organizatë bashkë me institucionet e saj që veprojnë në Maqedoni do të shkruhen në historinë e këtij vendi dhe nuk do të përmenden aspak.

“Një Turqi stabile, do të jetë në dobi të Maqedonisë”

Qytetarët dhe shteti i Maqedonisë, thotë Demiri, janë shumë të interesuar për situatën politike në Turqi. Ai shton se “Nëse kemi një Turqi stabile, demokratike dhe të zhvilluar si dhe me perspektivë dhe ndikim në rajon dhe në botë, kjo do të jetë në dobi për qytetarët dhe shtetin Maqedonisë”.

Siç thekson ai, ndryshimet kushtetuese apo ndryshimi i sistemit politik në Turqi janë nevojë e kohës dhe rrethanave ndërkombëtare politike. Kjo, sipas tij, është nevojë për një Turqi më efikase, por edhe më gjerë.

Duke vënë në dukje se bota është në një dinamizëm të pakontrollueshëm dhe në një situatë shumë komplekse dhe turbulente, Demiri thotë se “Një shtet si Turqia, një shtet me përgjegjësi të madhe, i cili paraqet një urë përmes lindjes dhe perëndimit, krishterizmit dhe islamit si dhe lidhje mes njerëzve të varfër dhe të pasurve, është normale që të bëhet një sistem i ri politik, një kushtetutë e re e cila do të mundësojë aplikimin dhe realizimin e këtyre politikave”.

Sipas tij, për të qenë Turqia efikase, i nevojitet një institucion presidenti i cili do të ketë kompetenca për të menaxhuar situatën brenda shtetit. “Përgjegjësia e Turqisë si anëtare në NATO është shumë e madhe, duke nënkuptuar këtu se Lindja e Mesme me luftën në Siri dhe krizën në Irak është gjithmonë në ndryshim e sipër” konsideron Demiri, duke shtuar se Turqisë i nevojitet një menaxhment dhe një lidership i cili do të ketë kompetenca, pozicione dhe mekanizma përmes së cilave do t’u përgjigjet të gjitha sfidave dhe problemeve në shtet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit