4.5 C
Pristina
Thursday, January 9, 2025

Aktivistët në Ballkan kërkojnë solidaritet për viktimat në Alepo

Më të lexuarat

Aktivistët nga Bosnja, Kroacia dhe Serbia nxitën qeveritë e tyre të pranojnë refugjatët nga Siria ndërsa dënuan vrasjet e civilëve në qytetin e Alepos.

Nga Natalia Zaba, BIRN

Teksa qeveria siriane po merr edhe zonat e fundit të mbajtura nga rebelët në Alepon lindor – mes raportimeve për sulme të reja ajrore dhe viktima në civilë – aktivistë nga e gjithë ish-Jugosllavia nxitën njerëzit dhe qeveritë të tregojnë më shumë solidaritet me viktimat e konfliktit.

 

Milena Zajoviç, nga rrjeti rajonal për Sirinë “Are you Syrious” me bazë në Zagreb, i tha BIRN se aktivistët kudo në Ballkan po përgatisnin veprime të ndryshme për të shprehur mbështetjen e tyre me njerëzit në Alepo.

“Është e pamundur të ruash qetësinë dhe të vëzhgosh pa folur se si komuniteti ndërkombëtar nuk po reagon [ndaj shkatërrimit të qytetit],” tha Zajoviç për BIRN.

Në Bosnje, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë dolën në rrugët e kryeqytetit Sarajevë të mërkurën në një tubim solidariteti dhe në shenjë proteste kundër vrasjeve që po ndodhin në Alepo.

“Si një qytet që i ka mbijetuar rrethimit më të gjatë në periudhën moderne, si qytetarë të Sarajevës, ne duam të themi te populli i Sirisë se e kuptojmë vuajtjen dhe terrorin që ata po kalojnë dhe njëkohësisht ftojmë fuqitë e botës të përgjigjen siç duhet – arsye përse presim një përgjigje të madhe ndaj këtij eventi,” tha në një deklaratë Komiteti i Organizimit për protestën, publikuar në uebsajtin e OJQ-së Koordinimi i Boshnjakëve.

Tubimi është pjesë e fushatës #StandËithAleppo dhe organizatorët theksuan se ishte për njerëzit e çdo feje dhe bindje politike.

Në Kroaci, Qendra për Studime të Paqes, CMS, i bëri thirrje njerëzve, qeverisë, parlamentit dhe presidentit të kërkojnë një armëpushim në mënyrë që civilët të largohen nga Alepo në paqe. Peticioni online ka arritur deri tani mbi 3000 firma.

“Ne duam që qeveria jonë të njohë emergjencën e kësaj situate në Alepo dhe të kuptojë se do të ketë aleatë të brendshëm dhe të huaj në këtë përpjekje,” tha për BIRN Lovorka Sosiç nga CMS.

Ajo tha se ajo gjithashtu shpresonte që Kroacia të hapte dyert për refugjatët sirianë.

Milena Zajoviç tha se mund të pritet një tjetër valë refugjatësh në vend pas rënies së Alepos në duart e forcave qeveritare, megjithëse nuk është e qartë se si mund të arrijnë ata në Europë.

“Shumë prej këtyre personave i kanë shterrur burimet, si financiare dhe shëndetësore, ndaj ne presim që shumica e njerëzve të rivendosen brenda Sirisë ose të shkojnë në Turqi,” tha ajo.

“Nëse do të flisnim për një krizë migrantësh vitin e shkuar, ky vit është përfshirë në krizë humanitare”, shtoi Zajoviç.

Ivan Gerginov, nga Komisariati Serb për Refugjatët tha për BIRN se tre qendra të tjera për refugjatët do të hapen së shpejti në Pirot, Kikinda dhe Nis, duke shtuar kapacitetet e strehimit nga 6000 në 7100.

Ai tha se shifrat nuk ishin problem dhe theksoi se në vitet 1990, Serbia kishte pranuar më shumë njerëz sesa gjatë krizës së fundit të migrantëve.

Mbështetur nga forcat iraniane dhe ruse, trupat qeveritare siriane morën shumicën e Alepos lindor, të mbajtur nga forcat opozitare për katër vite, më 6 dhjetor.

Ngjarjet e fundit bënë që shumë qytetarë të ngecur në kurth filluan të dërgojnë mesazhet e lamtumirës me botën, të dëshpëruar dhe të zhgënjyer nga mosreagimi për gjendjen e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit