Feja islame nëpërmjet institucioneve të saj ka trasuar rrugën e madhështisë e të dinjitetit njerëzor. Një nga këto institucione është agjërimi. Thënia e famshme e Profetit tonë Muhamed a.s.: “Agjëroni, që të jeni të shëndetshëm”, nxjerr në pah vlerat kuruese të agjërimit. Fraza “do të jeni të shëndetshëm”, paraqet formën maksimale kurative për agjëruesin, në favor të dy pjesëve përbërëse të njeriut: trupit dhe shpirtit.
Agjërimi si institucion fetar dhe si subjekt mjekësor, është aq i vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Që me shfaqjen në tokë të njeriut të parë, midis shumë detyrash përkundrejt Krijuesit të tij, ishte edhe agjërimi, që prej tij të kish dobi si trupi, ashtu edhe shpirti.
Mjekësia e sheh agjërimin të studiuar apo të aplikuar në shërbim të përmirësimit apo edhe të shërimit të disa sëmundjeve apo të sistemeve në përgjithësi.
“Njeriu është mjek i vetvetes”, thotë babai i mjekësisë, Hipokrati. “Nëse trupi nuk është pastruar, sa më shumë ta ushqesh, aq më shumë e dëmton atë.”
Në mjekësi agjërimi quhet dietë urie dhe ai që e përdori i pari si të tillë në Evropë ishte mjeku francez E. Dui, në vitin 1887. Ai rekomandonte uri terapie në dy lloje: pjesërisht dhe gjithë ditën, duke pirë vetëm ujë për 25-30 ditë. Në këtë mënyrë, kur nuk ushqehemi nga goja, fillon të ushqyerit endogjen (i brendshëm) dhe trupi fillon të shfrytëzojë rezervat në mëlçi, muskuj, etj. Një terapi e tillë rekomandohej në rastet e sëmundjeve të lukthit, të zorrëve, të mënjanimit të lodhjeve fizike, të depresionit nervor, etj. Kështu, uria, armiku më i madh i njerëzve, bëhet njëkohësisht edhe miku më i madh i tyre, shërues i vërtetë.
Në terapi të tilla, organizmi shpenzon dhjamin dhe mbeturinat, kryesisht helmet e grumbulluara nga metabolizmi i parregullt, sëmundjet, ilaçet, etj. Bashkë me peshën e humbur nga uria, përmirësohet veprimi kardiovaskular, tensioni, humb aritmia dhe frymëmarrja e parregullt, forcohet tonusi i zemrës. Agjërimi si metodë e tillë kurimi u aplikua më vonë në shumë klinika mjekësore.
Edhe sot, agjërimi në mjekësi paraqet bashkëkohësi, përparimi dhe i tillë do të jetë sa të jetë bota, sidomos kur masa intelektuale botërore e këtij fillim shekulli po e vërteton me vetëdije rëndësinë e tij.
Por agjërimi, përveç ndikimit që ka në trupin e njeriut, ka edhe një pikësynim tjetër dhe që i shtrin vlerat e tij në drejtimin më të vërtetë, më cilësor të tij, atë të kurimit të shpirtit. Që në lashtësi e deri sot, njerëzimi ka menduar e ka kërkuar të kurojë e të lehtësojë edhe shpirtin, dhe këtë e ka kërkuar vetëm nëpërmjet një qëllimi: braktisjen e brengave. Të gjithë njerëzit, përkundër dëshirave, kërkesave e qëllimeve të ndryshme, nuk bëjnë asnjë lëvizje dhe nuk flasin asnjë fjalë e që me të nuk synojnë të dëbojnë brengën nga vetja. Kur është fjala për këtë synim, është e nevojshme të thuhet se njerëzit e shikojnë atë në mënyra të ndryshme, secili nga pikëpamja e vet.
Ka njerëz që nuk besojnë, prandaj nuk mendojnë fare për shpirtin. Ka edhe të këqij që nuk dëshirojnë të mirën dhe të vërtetën. Ka që synojnë pasuri, ka që duan të mbeten të varfër, ka njerëz të urtë, të devotshëm, por ka edhe nga ata që nuk e çmojnë diturinë e mbesin në injorancë, sikurse shumica e botës së rëndomtë.
Këto janë mënyrat me të cilat njerëzit synojnë t’i dëbojnë brengat. Megjithatë, të ndarë në grupe, njerëzit synojnë të vijnë në një pikë graviteti: askush nuk e konsideron brengën të mirë dhe dëshiron ta largojë nga vetja. Këtë e kërkojnë të gjithë, edhe i padituri, edhe dijetari, edhe i miri, edhe i keqi. Por duke mos gjetur faktorin kryesor e të vërtetë për të gjithë, garojnë në planet e tyre. Ai që synon pasuri, kërkon të mos bjerë në brengën e varfërisë, ai që kërkon dituri, i ruhet brengës së të paditurit, ai që kërkon shoqëri, i largohet brengës që sjell vetmia. Disa nga këto brenga arrijmë t’i pakësojmë, disa të tjera na lindin, disa na kalojnë e disa na mbeten.
Synimi i vetëm dhe i vërtetë ku njeriu duhet të përqendrohet për largimin e brengave është feja. Feja në trajtën e vet të përkryer, paraqet të vërtetën, e cila është në harmoni të plotë me nevojat e shpirtit të njeriut dhe prirjet e tij. Në fenë islame një nga këto të vërteta është agjërimi.
Agjërimi, përveç se është sprovë trupore, është, para së gjithash, sprovë shpirtërore. Në Islam, agjërimi është kohë e jashtëzakonshme me dimensione meditimesh të mëdha, të cilat i adresohen shpirtit nëpërmjet dy rrugëve: humanizmit dhe devotshmërisë. E para reflektohet me dhënien e lëmoshës, si forma më e lartë e fisnikërisë në drejtim të përmbushjes së nevojave njerëzore. “O agjërues, mos shuaj vetëm etjen dhe urinë tënde, por shuaj edhe urinë dhe etjen e të tjerëve”. Ky është akt i manifestimit publik të humanizmit. Ndërsa rruga e dytë, ajo e devotshmërisë, e arrin apogjeun e vet në dialogun me Allahun xh.sh. nëpërmjet zbatimit të udhëzimeve të Tij.
Vetëm agjërimi është institucion, me ligje, rregulla e këshilla, të cilat kanë si qëllim kryesor mjekimin e shpirtit të njeriut. Çdo njeri i arsyeshëm nuk ndërmerr asnjë aksion, derisa nuk e kupton qëllimin e tij dhe nuk përcakton cakun e tij. Qëllimin e agjërimit e gjejmë në domosdoshmërinë e tij si mjekues i shpirtit, i mbështetur në devotshmërinë e abstenimit të atyre faktorëve, që sjellin brenga te njeriu.
Për agjërimin në Islam nuk mjafton që të vijë vetëm ana pasive materiale, e cila shprehet nga përmbajtja, nga ajo që ushqehet. Agjërimi, para së gjithash, është veprim aktiv shpirtëror, me të cilin ai që e kryen, arrin cakun, të cilin ia ka caktuar vullneti i Allahut. Pra, vullneti i agjëruesit përputhet nëpërmjet devotshmërisë me vullnetin e Allahut.
Nëpërmjet rrugës së përkushtimit ndaj Allahut, zhvillohet mjekimi shpirtëror. Përkushtimi ndaj Tij është qëllimi i vërtetë i agjërimit, si abstenim ndaj të gjitha veprave, që te njeriu sjellin çorientim, degradim dhe afirmim jonjerëzor. Përkushtimi ndaj Allahut xh.sh., kjo vlerë e pamatur, i përket atij që kontrollon qëllimet e veta dhe e bën maksimalisht të pastër nga dëshirat, që sjellin dobësi.
Përkushtimi ndaj Allahut, që shprehet në këtë rast në agjërim, e frenon njeriun nga dëshirat dhe pasionet e ulëta, që sjellin tek ai vetëm brenga.
T’i braktisësh ato ka vetëm një mënyrë e ajo është të punuarit e të vepruarit në emër të Allahut. Këtë mundësi më së shumti na e jep agjërimi.
Nuk ka krijesë në tokë e në qiell, që të mos e adhurojë Zotin, edhe pse ne nuk e kuptojmë mënyrën e adhurimit të tyre, me përjashtim të një pjese të njerëzve, të cilët, të mashtruar prej kënaqësive të përkohshme të kësaj jete, qëndrojnë larg adhurimit të Zotit. Besimtarët agjërues janë krenarë e të gëzuar për arsye se janë inkuadruar në adhurim ndaj Krijuesit të tyre, i janë bashkuar rreshtave të të gjitha qenieve në ekzistencë, në adhurim.
Agjërimi si adhurim i përsosur në vlera, e bën njeriun të jetë i pajisur me virtyte të larta. Gjatë agjërimit, njeriu ndihet më bujar me shoqërinë, e sidomos me pjesën më të varfër të saj, sepse, duke agjëruar, ai e ndjen vetë në praktikë urinë dhe vuajtjet e saj, prandaj tregon gatishmëri në ndihmë të tyre.
Agjërimi nuk është vetëm një provë, që bën ndërrimin e praktikës së përditshme jetësore, por është edukim fiziko-shpirtëror, i cili edukon si mendjen dhe qëllimet e saj, ashtu dhe trupin e shpirtin në dobi të vetvetes e shoqërisë. Agjërimi është shprehja më e lartë e durimit, si metoda më e mirë për heqjen dorë nga epshi vetjak ndaj gjithë atyre elementeve që i sjellin dëm shoqërisë.
Agjërimi është kohë lufte për njeriun në emër të Zotit. Luftë kundër gjithë asaj që është e dëmshme e pa vlerë për veten dhe shoqërinë. Kryhet në emër dhe me emër të Zotit, sepse është veprim i fshehtë dhe i vetmi në të cilin nuk mund të ketë hipokrizi. Njeriu ose agjëron në emër të Zotit, ose nuk agjëron fare.
Ky është mësimi i Islamit në domethënien e tij të mirëfilltë. Allahu thotë: “Agjëroni për Mua, Unë jam shpërblyesi i tij”.
Bujar Spahiu