0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheval, urtësi dhe dobi – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Pejgamberi, ﷺ, thotë:

مَن صامَ رَمَضانَ ثُمَّ أتْبَعَهُ سِتًّا مِن شَوَّالٍ، كانَ كَصِيامِ الدَّهْرِ.

“Kush e agjëron Ramazanin dhe pastaj e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval i llogaritet sikur të ketë agjëruar tërë vitin”.

Muslimi, nr. 1164.

Pejgamberi, ﷺ, në çdo muaj agjëronte disa ditë agjërim vullnetarë, nafile, dhe i nxiste shokët e tij që të agjërojnë. Gjithashtu Pejgamberi, ﷺ, nxiste që të agjërohen ditë të caktuara të disa muajve, sepse shpërblimi për këtë agjërim kishte shpërblime të mëdha.

Në këtë hadith Pejgamberi, ﷺ, u tregoi muslimanëve shpërblimin e madh që e fitojnë muslimanët që i agjërojnë këto gjashtë ditë të muajit Sheval pas agjërimit të muajit Ramazan.

Në këtë hadith Pejgamberi, ﷺ, na e sqaroi se ai që e agjëron muajin Ramazan të plotë dhe më pas i agjëron edhe këto gjashtë ditë nga muaji Sheval, të ngjitura një pas një, apo të ndara brenda muajit, e ka shpërblimin e agjërimit të tërë vitit.

Krejt kjo e nxjerr në shesh shpërblimin e madh që ua jep Allahu muslimanëve për veprat e mira që i bëjnë.

Këtë gjë e dëshmon edhe ajeti Kuranor:

مَن جَآءَ بِٱلْحَسَنَةِ فَلَهُۥ عَشْرُ أَمْثَالِهَا ۖ وَمَن جَآءَ بِٱلسَّيِّئَةِ فَلَا يُجْزَىٰٓ إِلَّا مِثْلَهَا وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ

“Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetë fish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë”. (El-Enam: 160).

Sipas kësaj matematike na bëhet e qartë se agjërimi i muajit Ramazan shpërblehet sa dhjetë muaj dhe se me agjërimin e 6 ditëve të muajit Sheval plotësohen edhe dy muajt tjerë të mbetur dhe bëhen tërësisht dymbëdhjetë muaj me agjërim.

 

Dobitë nga agjërimi i gjashtë ditëve të Muajit Sheval

 

Imam Ibën Rexhebi në librin e tij “Letaiful-Mearif” (Dituritë e Stërholluara) thotë:

Vazhdimi me agjërim pas Ramazanit ka dobi të shumta, prej tyre janë edhe këto:

  1. Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval pas muajit të Ramazanit na ndihmon të plotësojmë fitimin e shpërblimit për agjërim të tërë vitit.
  2. Agjërimi i muajit Sheval së bashku me agjërimin e muajit Shaban i ngjan namazeve sunete para dhe pas namazeve farze, të cilat e mbulojnë boshllëkun dhe mangësinë që e shkakton njeriu duke i kryer farzet, sepse farzet plotësohen me namazet sunete në ditën e llogarisë.
  3. Vazhdimi me agjërim të muajit Sheval pas agjërimit të muajit Ramazan është shenjë e pranimit të agjërimit të muajit Ramazan, sepse kur Allahu ia pranon një vepër besimtarit i jep sukses për të vazhduar me një vepër tjetër, ashtu siç kanë thënë dijetarët: “shpërblimi i një të mire është e mira pas saj”.

Letaiful-Mearif, (Dituritë e Stërholluara), fq. 219.

 

Urtësitë nga agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval

 

Kurse shejh Abdul-Aziz ibën Abdullah Er-Raxhihi duke folur për këtë hadith thotë kështu:

“Urtësia e agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval del në shesh në këtë formë:

  1. Me këtë veprim e shfaqim falënderimin ndaj Allahut për suksesin e agjërimit të muajit Ramazan.
  2. E edukojmë veten duke vazhduar me vepra të mira pas çdo vepre të mirë.
  3. Sqarojmë se veprat e mira nuk janë të veçanta vetëm për në Ramazan por ato duhet të janë pjesë e jetës tonë gjatë tërë jetës tonë, ashtu siç thotë Allahu:

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ ٱرْكَعُوا۟ وَٱسْجُدُوا۟ وَٱعْبُدُوا۟ رَبَّكُمْ وَٱفْعَلُوا۟ ٱلْخَيْرَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ ۩

“O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhuronie. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim”. (El-Haxh: 77).

Bekir Halimi

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit