2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Aftësia më e rëndësishme e drejtimit në kohë krize

Më të lexuarat

Të jesh drejtues në vitin 2023 do të thotë të hasësh sfida të shumta. Ne po jetojmë një periudhë tepër të trazuar, duke filluar nga valët e pushimeve nga puna në kompanitë teknologjike të mëdha dhe të vogla, te situatat e vështira financiare, si falimentimi i Silicon Valley Bank.

Alexa von Tobel themeloi një kompani në vitin 2008 dhe e la universitetin kur banka Lehman Brothers falimentoi. Prandaj, ajo e di nga përvoja, se sa stresuese mund të jetë të drejtosh në kohë të tilla.

Por, gjatë dekadës së fundit të karrierës, është bërë e qartë për të, se ka një aftësi që kushdo duhet ta mbajë parasysh: më shumë komunikim.

Të gjithë e dimë se komunikimi është çelësi. Ndërsa ekipi ose kompania rritet, kanalet e komunikimit duhet të përdoren në mënyrë efektive, për të komunikuar pa probleme në të gjithë organizatën.

Këto mënyra komunikimi janë të rëndësishme, por kur gjërat bëhen të vështira, më shumë komunikim është thelbësor. Këtu janë pesë parimet që duhen ndjekur për të komunikuar më shumë dhe më mirë gjatë një krize.

 

Veproni shpejt

Le të themi se qarkullon një thashethem, se kompania juaj po bën pushime nga puna. Heshtja dhe mosdërgimi i një mesazhi informues, sjell vetëm çoroditje dhe stres.

Nuk është keq të dërgoni një mesazh përpara se të keni përmbyllur 100% të detajeve, thjesht për të thënë: ne jemi të vetëdijshëm, ja çfarë dimë sot dhe ja kur mund të prisni më shumë informacion.

Shpejtësia është më e mirë se heshtja.

 

Tregohuni të kujdesshëm

Përpara se të dërgoni një mesazh apo email, kontrollojeni atë me një koleg të besuar, që mund të ofrojë më shumë perspektivë rreth përmbajtjes dhe mënyrës së të shkruarit.

Nëse është një komunikim me shkrim, supozoni se mund të shfaqet në faqen e parë të gazetës së nesërme. Prandaj, bëni kujdes në përmbajtjen e mesazheve.

 

Mos e nënvlerësoni fuqinë e një telefonate

Nëse keni një mesazh të rëndësishëm për të përcjellë, merrni telefonin. Përmbajtja mund të humbasë rëndësinë ose të keqinterpretohet, përmes një mesazhi ose emaili. Toni dhe nuancat e të shprehurit kanë rëndësi.

Pra, nëse duhet të ndani diçka të vështirë, një telefonatë jo vetëm që është më eficiente, por shpesh është edhe më efektive. Në varësi të asaj që duhet të ndani, telefonata mund të ndiqet edhe nga një konfirmim me shkrim të asaj që keni diskutuar drejtpërdrejt.

 

Mbani parasysh të gjitha palët e interesuara

Nëse po punoni për të zgjidhur një problem, ndërsa mundoheni ta zgjidhni atë sa më shpejt, mos harroni të mendoni për të gjitha palët e interesuara, që mund të kenë pyetje.

Është më mirë të jeni proaktivë, në vend që të merrni një lumë mesazhesh të shqetësuara.

 

Mbyllni ciklin

Për shkak se keni komunikuar sa më shpejt që keni mundur, me kalimin e kohës do të ketë më shumë përditësime për t’u bërë.

Mos harroni të shpjegoni: Çfarë informacioni të ri keni marrë? A ka ndonjë përditësim të rëndësishëm për të ndarë, apo korrigjime për të bërë? A kishit pyetje të zakonshme, që mund t’i adresoni në një format grupi?

 

Pa marrë parasysh se çfarë kthese do të shfaqet në rrugën tuaj, ose me çfarë problemi po përballeni në këtë çast, mos harroni të bëni një hap prapa dhe të komunikoni.

Komunikimi mund të ndihmojë, që të gjithë të ndihen të vlerësuar dhe të besojnë në punën tuaj. / Fast Company

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit