Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar një muaj paraburgim tre të dyshuarve në aferën për rezervat shtetërore.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po iu ka caktuar masa e paraburgimit secilit për një muaj”, ka thënë shkurt Gashi.
Të dyshuarit, ndaj të cilëve u caktua 30 ditë paraburgim janë dy zyrtarë të MINT-it, drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, person që u raportua i afërt me kryeministrin Albin Kurti, raportojnë mediat.
Dy zyrtarët e MINT-it akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i arrestuari i tretë dyshohet për “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ndryshe, të premten me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës-Njësia e Veçantë e hetimeve të premten ka realizuar bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku arrestoi dy zyrtarët.
Po ashtu të premten Policia bastisi një shtëpi, dy banesa dhe një restorant ndërsa arrestoi Ridvan Muharremi, që në media u raportua si person i afër me kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/