3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Adhurimi i Profetit (a.s)

Më të lexuarat

Nga: Doktor Ragib Sirxhani

Adhurimi i Profetit (a.s)

Falenderimi i Profetit (a.s):
Profeti (a.s) e falenderonte gjithmonë Allahun për mirësitë e panumërta, që Ai i kishte dhuruar. Realiteti që përjetonte Profeti (a.s) ishte në harmoni të plotë me mirësitë që i kishte dhuruar Allahu. Falenderimi i Profetit (a.s) nuk ka qenë thjesht disa fjalë, të cilët dilnin nga goja, por ato buronin nga realiteti që ai (a.s) përjetonte. Duke hedhur një vështrim në jetën e Profetit (a.s), e gjejmë atë lavdërues, falenderues, të përkulur në ruku, të përulur në sexhde, rob të Allahut dhe njeri që kryen punë të mira, duke zbatuar kështu ajetet kuranore, që flasin rreth lavdërimit dhe falenderimit të Allahut. Një prej këtyre ajeteve është fjala e Allahut: “O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim”.[1]
 
Namazi i  Profetit (a.s.):
Janë transmetuar shumë hadithe dhe një sërë ngjarjesh, që flasin rreth realitetit të adhurimit që bënte Profeti (a.s). Aishja tregon, se Profeti (a.s) falej aq shumë natën, saqë i plasariteshin këmbët. Aishja e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, pse e bën këtë gjë, përderisa Allahu t’i ka falë të gjitha gabimet që ke bërë dhe ato që do të bësh”?! Mirëpo ai (a.s) u përgjigj: “A nuk duhet të jem rob falenderues?!”[2] Me anë të kësaj përgjigje ne kuptojmë, se Profeti (a.s) çështjen e namazit nuk e konsideronte vetëm obligative, por ai (a.s) e bënte atë me dëshirë dhe dashuri. Nëpërmjet namazit të natës, ai (a.s) shprehte mirënjohjen e thellë për Allahun e Lartësuar, i Cili i kishte dhënë shumë mirësi e begati. Po ashtu, ky veprim i Profetit (a.s) shpjegon adhurimin e gjatë  të tij.
Në një hadith tjetër, bashkëshortja e Profetit (a.s) Aishja përshkruan namazin, që Profeti (a.s) e falte për çdo natë: “Me të vërtetë, Profeti (a.s.) falte 11-të rekate. Ky ishte namazi që falte natën. Kur binte në sexhde qëndronte aq sa ndonjëri prej jush mund të këndojë 50-të ajete. Përpara se të falte farzin e Sabahut, falte dy rekate, pastaj shtrihej në krahun e djathtë derisa vinte muezini që thirrte ikametin për të falur namazin.”[3]
Profeti (a.s) gjente qetësinë shpirtërore, kur falte sa më shumë namaz dhe kur këndonte Kuran. Hudhejfe (r.a) ka thënë: “Një natë u fala pas Profetit (a.s). Ai filloi të lexojë suren El Bekare. Kur lexoi 100-të ajete mendova se do të bjerë në ruku, por ai (a.s) vazhdoi. Mendova se ai do ta plotësojë atë deri në fund. Kur e mbaroi, mendova se do të bjerë në ruku, mirëpo ai filloi të lexonte suren En Nisa dhe më pas suren Ali Imran[4]. Leximi i tij ishte normal dhe jo i shpejtë. Kur lexonte një ajet lavdërimi, e lavdëronte Allahun, kur lexonte një ajet lutjeje, lutej dhe kur lexonte një ajet për të kërkuar mbrojtje, kërkonte mbrojtje. Më pas ra në ruku dhe tha: “Subhane rabbijel adhim.” Ai e zgjati rukunë afërsisht sa qëndrimi në këmbë. Më pas tha: “Semiallahu limen hamideh” dhe qëndroi në këmbë afërsisht po aq sa qëndroi në ruku. Më pas ra në sexhde dhe tha: “Subhane rabbijel a’ala.” Ai e zgjati sexhden afërsisht sa qëndrimi në këmbë.” [5]
        Profeti (a.s) e falte gjithmonë namazin e natës, sepse gjatë natës ai kishte më tepër kohë që të kontaktonte me Krijuesin e Tij. Pikërisht, për këtë arsye ai (a.s) ka thënë: “Namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës.”[6] Nga dëshira e madhe që kishte për të falur namazin e natës, kur për ndonjë arsye nuk e falte atë, ai (a.s) e falte kaza atë në mëngjes. Aishja (r.a) thotë: “Profeti (a.s.) e kishte zakon që kur të falte një namaz, ta falte vazhdimisht atë. Nëse e zinte gjumi apo kishte dhimbje dhe si rrjedhojë nuk e falte namazin e natës, gjatë ditës falte 12-të rekate.”[7]
Këtë dëshirë të madhe për të adhuruar Allahun e Lartësuar, veçanërisht për të falur namazin, e shpjegon shumë qartë fjala e Profetit (a.s) drejtuar Bilal ibnu Rebahas: “Çohu o Bilal dhe na kënaq me namazin.”[8] Ndërsa në një hadith tjetër Profeti (a.s) thotë: “Kënaqësia ime është tek falja e namazit.”[9]
Nuk ka dyshim se njeriu duhet ta falenderojë shumë Allahun e Lartësuar për mirësitë e mëdha e të panumërta që i ka dhënë. Pikërisht këtë gjë bënte edhe Profeti (a.s). Gjuha e tij (a.s) gjithmonë ka qenë e lagur me dhikrin e Allahut dhe falenderimin ndaj Tij për mirësitë dhe begatitë e dhururara. Aishja (r.a) thotë: “Profeti (a.s.) e ka përmendur Allahun në çdo kohë.”[10]
 
Profeti (a.s.) gjatë agjërimit:
Gjatë agjërimit, Profeti (a.s) sakrifikonte më shumë dhe ishte më bujar. Në dhjetë ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit ai e shtonte akoma më tepër adhurimin. Aishja (r.a) thotë: “Kur hynte dhjetë ditëshi i fundit i Ramazanit, Profeti (a.s.) shtrëngonte rrobën, e kalonte natën me adhurim dhe zgjonte pjestarët e familjes.”[11]
Po ashtu, Profeti (a.s) ka agjëruar rregullisht ditën e hënë dhe të enjte. Shkakun e agjërimit në këto ditë e ka përmendur në hadithin e mëposhtëm: “Ditën e Hënë dhe të Enjte paraqiten veprat (tek Allahu). Unë kam dëshirë, që kur të më paraqiten veprat, të jem agjërueshëm.”[12] Profeti (a.s) ka pasur shumë dëshirë që të agjëronte në ato ditë, ku temperatura ka qenë shumë e lartë. Ebu Derda (r.a) thotë: “Njëherë, gjatë muajit të Ramazanit dolëm me Profetin (a.s.) në vapën përvëluese, saqë ne vendosnim duart mbi kokë nga vapa e madhe. Askush prej nesh nuk agjëronte përveç Profetit (a.s) dhe Abdullah ibnu Reuahas”.[13]
Ky ka qenë adhurimi i Profetit (a.s). Motivi i tij nuk ka qenë në aspektin obligativ, por ai e ndjente se nëpërmjet adhurimit shprehte falenderimin dhe mirënjohjen ndaj Allahut të Lartësuar. Në këtë mënyrë ai i dha adhurimit një formë, që dallon nga të gjitha format e tjera të adhurimit.
                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               

[1] Sure El Haxh: 77.
[2] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.
[3] Transmetojnë imam Buhariu, imam Ebu Daudi dhe imam Et Tirmidhiu.
[4] Suret El Bekare, En Nisa dhe Ali Imran janë tre suret më të gjata të Kuranit. Surja e El Bekare ka 286-të ajete, En Nisa 176 dhe Ali Imran  200
[5] Transmetojnë imam Muslimi, imam En Nesaiu dhe imam Ahmedi.
[6] Transmetojnë imam Ebu Daudi dhe imam Ahmedi. Dijetari i hadithit Shuajb Arnauti ka thënë, se zinxhiri i transmetimit të ketij hadithi është i saktë.
[7] Transmetojnë imam Muslimi. Imam Ahmedi dhe imam Ibnu Hibbani.
[8] Transmetojnë imam Ahmedi dhe imam Ebu Daudi. Imam Albani e ka vlerësuar këtë hadith të saktë.
[9] Transmetojnë imam Ahmedi, En Nesaiu, El Bejhakiu dhe Abdurrezaku në musanafin e tij. Imam Albani e ka vlerësuar këtë hadith të saktë.
[10] Transmetojnë imam Muslimi, Et Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ahmedi.
[11] Transmetojnë imam Buhariu, imam Ahmedi dhe Ibn Huzejme.
[12]Transmetojnë imam Et Tirmidhiu dhe imam Ahmedi. Imam Albani e ka vlerësuar këtë hadith të saktë.
[13] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi
Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit