-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

“A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u provuar!

Më të lexuarat

“A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u provuar si ata që ishin para jush…”
– Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon një rregull të pakthyeshëm, të vendosur për krijesat e Tij, duke thënë se Ai do t’i sprovojë ato, pa diskutim, me të mira e me të këqija, ashtu sikurse veproi me popujt e tjerë më të hershëm.
Ky është ligji i Tij i pandryshueshëm. Çdokush që përqafon fenë e Zotit dhe kërkon të zbatojë dispozitat e Tij, patjetër që do të sprovohet.
Ata që bëjnë durim në këto sprova, për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit, ata që përqendrohen në fenë e Zotit dhe nuk zbrapsen nga asnjë lloj vështirësie që hasin rrugës, pikërisht ata janë të sinqertët, të cilët meritojnë gradat më të larta dhe lumturinë më të madhe. Ata zotërojnë, gjithashtu, mjetin e domosdoshëm për t’u bërë prijës të njerëzve, domethënë durimin.
Ndërsa ata që i konsiderojnë si ndëshkim prej Zotit vështirësitë për shkak të fesë, ata që thyhen në rrugën e Zotit nga çdo lloj sprove, ata që janë të paqëndrueshëm në synimet e larta, pikërisht këta janë mashtrues, që vetëm pretendojnë se e besojnë Zotin e tyre. Imani nuk është thjesht me të pretenduar dhe me të ëndërruar, ai nuk është thjesht me fjalë të thëna me gojë, por sinqeriteti i imanit duhet të vërtetohet me vepra. Edhe bashkësitë para nesh janë sprovuar, madje shumë rëndë. Thotë i Lartësuari:

“Ata u sprovuan nga vuajtje e fatkeqësi dhe ishin kaq të tronditur sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?!” (EL BEKARE, 214)

Ata janë sprovuar me varfëri, sëmundje e me çdo gjë që të trondit, si për shembull, kërcënimet për vrasje, për internim, për marrje të pasurisë, për zhdukjen e të dashurve të zemrës e të tjera si këto.

Aq e fortë dhe e frikshme ishte tronditja e tyre gjatë këtyre sprovave, saqë ndihma e Allahut u dukej shumë larg, edhe pse ishin të sigurt se ajo do t’u vinte. Aq e fortë ishte tronditja e tyre, sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?!”. Por i Madhëruari na ka mësuar se lehtësimi vjen menjëherë pas vështirësisë, se kur çështja ngushtohet, patjetër do të vijë çlirimi, siç thotë më pas:

“Po. Vërtet, ndihma e Allahut është (gjithmonë) afër!”-
Çdokush që përqafon të vërtetën, do të sprovohet. Nëse njeriu bën durim ndaj sprovave, duke llogaritur shpërblimin e Zotit, atëherë ato do t’i shndërrohen në lumturi e gëzim, në qetësi dhe prehje, ndërsa në fund, do të dalë fitues mbi çdo armik të tijin. Këto sprova, gjithashtu, do t’i shërojnë çdo sëmundje që mund të gjendet në shpirtin dhe zemrën e tij. Ky ajet është i ngjashëm me disa ajete të tjera, si Ali Imran 172-175 dhe Ankebut 1-7.

Marrë nga tefsiri i Sadit.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit