3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

A lindin të mirë fëmijët?

Më të lexuarat

Nga: Abigail Tucker

A lindin të mirë fëmijët?

Kërkimet shkencore të kohëve të fundit në fushën e Zhvillimit të Fëmijës na japin përgjigjie të papritura për pyetjen e moçme se nga vjen morali.
 
Arbër Tasimi është një kërkues shkencor 23 vjeçar në Qendrën e Konjicionit Foshnjor në Universitetin Yale, ku studion prirjet morale të fëmijëve – si e kuptojnë të vegjlit të drejtën nga e gabuara, para se gjuha dhe kultura të ushtrojnë ndikimin e tyre. “Para së gjithash dhe pikësëpari, ç’jemi ne në thelb?” pyet ai. Eksperimentet e tij bazohen në punën e Jean Piaget-së, Noam Chomsky-t, në vetë tezën e tij në Universitetin e Pensilvanisë, si dhe në një ndodhi në New Heaven Connecticut një të premte mbrëma shkurtin e kaluar.
 
Ora ishte rreth 9:45 e darkës dhe Tasimi bashkë me një shok po ecnin drejt shtepisë, pas një darke në Buffalo Wild Wings. Nja njëqind metra nga apartamenti i tij kaluan ndanë një grupi çunash me xhinse dhe kapuça. Ndërkohë që Tasimit veçse i kishin rënë në sy, kur papritur njëri prej tyre i lëshon një grusht pas koke.
 
S’kishte kohë për të vrapuar. Adoleshentët, duke e injoruar krejt shokun e tij, pa thënë asnjë fjalë e rrethuan Tasimin, i cili u kruspullos në trotuarin prej tullash. “Ishin shtatë çuna kundër një doktoranti,” kujton ai. “Fillova të numëroj grushat: një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë. Diku aty te shtata ia behu edhe një thikë.” Tehu i çau xhupin, dhe për pak sa s’i preku mishin.
 
Më në fund agresorët u larguan, duke e lënë Tasimin mes lotësh, shtrirë në trotuar e me një krah të thyer. Më vonë policia tha se me shumë gjasa ai ishte viktima e rastit e një rituali iniciimi të një bande gangsterësh. Pasi kirurgët i vëndosën një shufër metali në krah, Tasimi u kthye në shtëpi dhe u shëndërrua në një krijesë të ngjashme me fëmijët, jetët sociale të të cilëve studion. Nuk mund të bënte dush vetëm. E ëma e lante dhe i lidhte këpucët. E motra i priste mishin në copa të vogla.
 
Pranverë. Një mbasdite të bukur kur temperatura rrihte tek të 20-tat, Tasimi, që s’i ishin shëruar ende plagët e mavijosura, u zgjua me kurajon për të dalë jashtë vetëm, për herë të parë që pas incidentit. Doli një xhiro në një rrugicë afër shtëpisë. U përpoq të mos i vinte re dy adoleshentët, që me ç’dukej. “Boll mendove më të keqen ” i thoshte vazhdmisht vetes, deri sa dy djemtë e ndaluan dhe i kërkuan kufjet.
 
Vjedhja nuk ishte e dhunshme, por e theu Tasimin shpirtërisht. Tani e gjithë bota i dukej kërcënuese. Kur më në fund iu kthye studimeve mbi moralitetin tek Qendra e Konjicionit Foshnjor, ai e parkonte makinën në rrugë, duke paguar të holla në parkometër çdo pak orë, për të shmangur ndonjë parking ai e parkoi makinën në rrugë, duke futur monedha çdo gjysëm ore në parkometër në vend që ta parkonte në ndonjë parking të dyshimtë.
“Kurrë nuk kam qenë kaq poshtë emocionalisht në gjithë jetën time,” më tha kur u takuam për herë të parë në laboratorin e fëmijëve, disa javë pas krimit të dytë. “Nuk mund ta shmangësh pyetjen: A jemi një specie e dështuar?”
Ndonjëherë, Tasimi më tha, “vetëm puna kërkimore që po bëj më jep shpresë.”
 
***
Studimi i bebeve dhe fëmijëve të vegjël është një punë shumë e ndërlikuar. Edhe vëzhguesit më të vëmendshëm mund të tundohen të shohin atë që në të vërtetë nuk është. “Kur fëmija jonë ishte vetëm 4 muajsh mendoja se përpiqej të imitonte tinguj; por mund edhe të kem mashtruar veten,” shkruante Charles Darwin në “Skicë Biografike e një Fëmije,” studimi klasik mbi të birin. Fëmijët nuk e kontrollojnë trupin e tyre në mënyrë të besueshme e as nuk komunikojnë mirë, në mos fare, kështuqë opinionet e tyre nuk mund të përftohen përmes mënyrave të zakonshme. Në fakt kërkuesit iu vendosin një kokore të vogël plot tela për t’iu monitoruar valët e trurit, duke i hetuar ata me kujdes, mu siç do të bënin policët me ndonjë hajdut përmes kamerave dhe xhamave pasqyrë, e duke kryer eksperimente mjaft të hollësishme e të kontrolluara mirë, që një pjesë e mirë e subjekteve të tyre sidoqoftë do t’i refuzonin. Edhe fëmijët më të sjellshëm janë shumë të vështirë për t’u kuptuar: Shprehjet më medituese të fytyrës shpeshherë janë thjesht shenja të lëvizjeve të zorrëve.
 
Por vogëlushët janë njëkohësisht edhe muzat më të fuqishme për psikologjinë. Duke qenë se i janë ekspozuar fare pak botës me normat e saj sociale e kulturore të koklavitura, ata përfaqësojnë ‘materialin bazë’ të njerëzimit: ç’ka jemi vërtet kur lindim dhe jo ç’ka bëhemi. Libri i famshëm i Benjamin Spock-ut, Dr. Spock’s Baby and Child Care, “fillon me fjalinë ‘Ti di më shumë se ç’mendon se di,” thënë nga Melvin Konner, një antropolog dhe mjek i universitetit të Emory-t dhe autori i The Evolution of Childhood. “Ekzistion edhe një çështje tjetër e cila iu duhet bërë me dije prindërve: Fëmija juaj di më shumë nga ç’mendoni ju se di. Pikërisht kjo është ç’ka del në pah nga një kërkim i tillë shkencor.”
 
Vitet ’80-’90 sollën një sërë zbulimesh rreth perceptimeve të sofistikuara të botës fizike nga  fëmijët e vegjël, duke na bërë të kuptojmë se ne vijmë në jetë të pajisur me një ‘kuti veglash’ goxha të larmishme.  (A mund të numërojnë foshnjat 5 muajshe? Absolutisht, po. A kuptojnë ato parime të thjeshta fizike? Prapë, po.) Disa laboratorë shkencor i janë kthyer rishtazi studimit të aftësive sociale të fëmijëve dhe mënyrës se si bebet perceptojnë dhe gjykojnë synimet e qëllimet e të tjerëve. Kështu shkencëtarët shpresojnë se duke hetuar këto funksione, do të na shfaqen cilësitë e lindura të mendjes sonë – “me një fjalë vetë natyra jonë,” thotë Karen Wynn, drejtoresha e laboratorit në Yale.
 
“Ka shkencëtarë që i kanë kushtuar tërë karrierën e tyre studimit të perceptimit por që tani i janë kthyer jetës sociale, sepse aty gjendet pikëprerja e materialit biologjik dhe rrugës evolutive” thotë Konner. “Seleksioni natyror ka pasur ndikim po aq ndikim tek jeta sociale saç ka pasur tek perceptimi. Gjatë evolucionit, mbijetesa dhe riprodhimi varej gjithmonë e më tepër nga aftësia sociale gjatë kalimit nga gjitarë të thjeshtë në primatë në parardhës të njeriut e së fundmi në njerëz.”
 
Qendra e Konjicionit Foshnjor në Universitetin Yale është veçanërisht e interesuar në një nga funksionet sociale më të çmuara: në gjykimin etik dhe në atë nëse bebet janë të afta të bëjnë gjykime të tilla. Studimi i parë i këtij laboratori mbi këtë çështje, i botuar në 2007 në revistën shkencore Nature, e habiti komunitetin shkencor duke demonstruar se në një seri lojerash të thjeshta me temë morale, fëmijët 6 dhe 10 muajsh në masë dërrmuese preferuan personazhet “e mirë” ndaj atyre “të këqinj”. “Kjo aftësi mund të shërbejë si themeli mbi të cilin ndërtohet mendimi dhe veprimi moral,” thonë autorët. “Mund të formojë një bazë thelbësore për …koncepte më abstrakte të së drejtës dhe të gabuarës?”
 
Vitet e fundit janë kryer një sërë studimesh që na lënë të kuptojmë se, larg të qenit një “idiot i përsosur”, ashtu siç argumentonte Zhan Zhak Ruso, apo një i pagdhendur egoist, ashtu siç druhej Tomas Hobsi, një fëmijë vjen në botë i pajisur me prirje gjerësisht pro-sociale dhe duket se është i predispozuar të kujdeset për të tjerët. “T’i Japësh Përparësi Lumturisë tek Fëmijët e Vegjël”, një studim mbi nën-dyvjeçarët, del në përfundimin se fëmijët mund të kuptojnë deri në një farë mase se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, dhe shpesh shfaqin sjellje altruiste.  “Fëmijët e Dijnë se Ç’është e Drejtë” ishte përfundimi i një tjetër studimi mbi fëmijët 19 dhe 21 muajsh. Literatura e re sugjjeron se fëmijët e vegjël janë veçanërisht barazitarë. Ata ndihmojnë natyrshëm  ata që janë në nevojë, edhe në kurriz të humbjes personale, shqetësohen nëse dikush gris vizatimin e një personi/fëmije tjetër, dhe i ndajnë fitimet e tyre pas një pune të përbashkët, në daç në rastet kur përfitimet janë në formën e bukës “së papërtypshme” të thekrës, në daç kur bëhet fjalë për ëmbëlsira.
 
E gjitha kjo ngjan si një lajm i mirë për njerëzimin, veçanërisht për prindërit, të cilët me nervozitet ju thonë të vëgjëlve të tyre “jepu dhe të tjerëve”, teksa fëmijët rrëmojnë në kutinë e përbashkët të lodrave. Në fakt, disa nga këto studime sugjerojnë se prirjet pozitive sociale të fëmijëve janë të ngulitura kaq thellë, saqë nuk ka fare rëndësi se çfarë thonë apo bëjnë prindërit: Një eksperiment në Harvard, pagëzuar si “Studimi Big Mother” (referencë ndaj Big Brother (i.e. Vëllai i Madh) po të vëzhgon), tregoi se të vegjlit i ndihmojnë të tjerët, pavarësisht nëse prindërit i urdhërojnë për të dhënë ndihmë, apo pavarësisht nëse prindërit ishin të pranishëm në dhomën e eksperimentit apo jo.
 
Kujtdo që ka parë fëmijë të vëgjël duke shkulur flokët e moshatarëve në një kënd lojrash, apo duke përdorur dinosaurin plastik si ‘armë’ ndaj të tjerëve, këto gjetje mund t’i duken të papërtypshme. Në rutinën e përditshme të vegjlit mund të ngjajnë krejt primitivë dhe pa ndjenja, ose së paku çuditërisht të cekët, tani kanë frikë nga gomari e një minutë më pas nga hëna, me mendjet e tyre prizmore që rrezatojnë nonsense dhe non sequiturs (mungesë koherence logjike) në vend të të fshehtave të natyrës sonë më të lartë. Asnjë prind me përvojë nuk mund të besojë se ambienti nuk është vendimtar, apo se natyra jonë e brendshme i mposht të gjitha ndikimet e jashtme. Pyetja është se ku qëndron barazpesha.
 
 
“Problemi vërtet i vështirë është se nga vjen morali,” thotë Alison Gopnik, një psikologe zhvillimi në universitetin e Kalifornisë në Berkeley. “Nuk ekziston një modul morali, që gjendet që nga lindja. Por elementët që përbëjnë moralin – altruizmin, simpatinë për të tjerët, të kuptuarit e qëllimit të të tjerëve – gjenden tek fëmijët shumë më herët se ç’e mendonim, dhe qartësisht më herët se fëmijët të mbushin 2 vjeç.”
 
***
 
Megjithëse brenda një ndërtese të sertë prej guri në kampusin e Yale-it, laboratori i konjicionit të fëmijëve është një çerdhe e gëzueshme, një zyrë me një divan të rehatshëm, i vënë aty me idenë që do bëhet copa-copa nga fëmijët që i vërsulen si tornado, dritare të mëdha plot dritë, përmes së cilave kërkuesit shohin kalimtarët atypari. Fëmijët që vijnë për vizitë, nga mosha 3 muajsh deri në 2 vjeç, priten me plan të detajuar nga anëtarët e stafit, të cilët ulen dhe ecin këmbadorazi bashkë me ta, ndërsa prindërit nënshkruajnë formularë. (Një nga kostot pak të njohura të këtij soji të kërkimit shkencor janë edhe kostot e pantallonave të reja; pjesa e gjunjve hollohet shpejt.) Në dhomën ndanë, atmosfera është më pak e hareshme. Atje ka plot kleçka të çuditshme nëpër dhomë: tasa plastike për Cheerios e bimë me gjethet të lyera me spruco gri.
 
Studimet e moralitetit të fëmijëve  janë kaq të reja, sa mjeshtrja më e vjetër është 29 vjeçarja J. Kiley Hamlin, e cila ishte studente doktorature në laboratorin e Yale-it në mes të viteve 2000. Ajo po rropatej për të gjetur një projekt për tezën e saj të diplomës, teksa rastësisht gjeti një prezantim të animuar nga një prej paraardhësve të saj, ku një “sportist (hakçe-hakçe, një rreth i kuq me gjyslyke alpinisti) përpiqej të ngjiste një kodër, dhe një “ndihmues” (një trekëndësh në disa prej provave) e ndihmonte, ose një “pengues” (një katror) e hidhte sportistin poshtë. Puna e mëparshme kërkimore ishte fokusuar në aspektet e tjera të ndërveprimit, por Hamlin u bë kurioze të dinte nëse një fëmijë i vogël që ishte dëshmitar i vuajtjes së sportistit do zgjidhte njërin apo tjetrin nga karakteret që ndërhynin në ngjitjen e sportistit.
 
 “Si të rritur, ne pëlqejmë personazhin që ndihmon, dhe jo atë që pengon,” thotë Hamlin, që tashmë është në pozicionin e asistent-pedagoges në Universitetin e British Columbia. “Ne nuk mendonim që fëmijët do të bënin të njëjtën zgjedhje. Ishte më shumë si për të thënë ‘Le ta provojmë një herë, meqë Kiley është një doktorante e vitit të parë dhe nuk e ka idenë se çfarë po bën.”
 
Wynn dhe bashkëshorti i saj, psikologu Paul Bloom, bashkëpunuan gjatë pjesës më të madhe të punës kërkimore të Hamlin-it, dhe Wynn kujton që ishin disi më optimistë se të tjerët: “A kanë bebet qëndrime të tyre, a gjykojnë? Më dukej një pyetje intuitivisht mahnitëse” thotë ajo. “Nëse përpiqemi t’i shikojmë fëmijët e vegjël si individë, të cilët lindin dhe zhvillojnë qëndrime të tyre në botë si rrjedhojë e përvojave vetjake, atëherë fëmijët nuk duhet të reagojnë apo të kenë qëndrime ndaj skenareve eksperimentale. Por ndoshta ne jemi ndërtuar në mënyrë të tillë që të shquajmë se disa gjëra në botën që na rrethon janë të mira e disa të tjera jo, dhe disa ndërveprime sociale, që janë pozitive dhe me funksion ndihmues, duhen pranuar dhe admiruar si të tilla.”
 
Në fakt bebet 6 dhe 10 muajshe duket se kanë opinione të natyrshme rreth skenareve të ngjitjes: Ato me pasion e ngulmueshëm preferojnë personazhin ndihmues ndaj atij që pengon sportistin në ngjitje, matur nga kohëzgjatja që ato vështrojnë secilin personazh. Rezultati “ishte krejt i papritur,” thotë Hamlin – kaq revolucionar, saqë vetë kërkuesit në këtë studim nuk i zinin besë përfundimeve. Ata hartuan eksperimente shtesë me kukulla prej pellushi, që ndihmonin ose pengonin njëra-tjetrën; në fund të eksperimentit bebeve iu jepej mundësia për të zgjedhur kukullën e tyre të preferuar. “Praktikisht çdo bebe zgjidhte kukullën e mirë,” kujton Hamlin.
Ata testuan edhe bebet 3 muajshe. Studiuesit nuk mund t’i kërkonin fëmijëve të zgjidhnin njërën prej kukullave, sepse s’mund të presësh prej fëmijëve 3 muajsh të zgjaten e të kapin objekte në mënyrë të pavarur, ndaj ata u fokusuan tek lëvizjet e syve të fëmijëve. Edhe këto bebe shfaqnin një përçmim ndaj personazhit që pengonte “sportistin”.
Gjatë vizitës sime atje Tasimi po rikrijonte versione të shfaqjes së Hamlin-it, si një punë parapërgatitore për një projekt të ri.
 
Djali i dy restauruesve shqiptarë, Tasimi ka qejf të thotë se prindërit e tij “do të preferonin që unë të bëja fëmijë e jo t’i studioja ata.” Miqtë e tij i hedhin romuze duke i thënë që ai po shkon në Yale për t’u bërë aktor në teatër kukullash. Megjithëse është pa diskutim jo e modës që në fushën e zhvillimit të fëmijëve të pranosh se kënaqesh në praninë e tyre, Tasimi duket ashiqare që i gëzohet pranisë së tyre. Vetëm disa ditë pasi ishte kthyer në punë, shpesh me një çehre ku lexohej qartazi dhimbja, kur hynte në laborator një buzëqeshje i rrëzëllente në fytyrë. Kur njëri prej subjekteve të tij po i frynte një akulloreje me manaferra, ai më përpëriti: “Më e bukura dhe njëkohësisht më e keqja e kësaj pune është se të vjen për të qeshur, po nuk qesh dot.”
Ai kishte nevojë për 16 subjekte 12 – 13 muajsh  për të përfunduar studimin përgatitor, dhe ndodhi që unë e kisha një të tillë, e kështu e solla në laborator.
 
Eksperimenti quhej “Crackerz.” Vajza ime u ul në prehrin e t’atit; sytë e tij ishin të mbyllur, në mënyrë që të mos ndikonte në vendimet e saj. Unë po e ndiqja prapa skene në praninë e tre të rriturve; njëri që ngrinte dhe ulte perden e teatrit të vogël dhe tërhiqte vëmendjen e bebes me tingujt e një lodre plastike, një tjetër i cili ndiqte fokusin e bebes, duke i rënë një zileje kur subjekti humbiste fokusin, dhe Tasimi, që luante me kukullat, dhe që ia doli mbanë të bënte personazhet e kukullave të kërcenin bukur, pavarësisht shufrës së hekurit në parakrahun e tij. I gjithë produksioni të jepte ndjesinë e një teatri black-box avangard: qëllimisht primitiv, e ndërkaq tejet profesional.
 
Në fillim dy lepuj prej pellushi, njëri me bluzë jeshile dhe tjetri me bluzë portokalli, u shfaqën në skenë me pjatat plot biskota. “Mmm, sa të mira!” ia bënin lepujt. Ra perdja. Kjo ishte e barazvlefshmja e një soneti hyrës në një pjesë teatrale të Shekspirit, një lloj mekanizmi që na jep një kornizë referuese për atë që do të pasojë.
Perdja u ngrit përsëri. Një qengj pellushi u shfaq në skenë, duke u përpjekur të hapë një kuti plastike plot lodra brenda. Lepurushi portokalli erdhi vrik nga mbrapa dhe ia mbylli kapakun. Vajza ime u tërhoq mbrapa menjëherë pas kësaj, megjithëse ishte e vështirë të gjykoje nëse ishte zhurma e kapakut që mbyllej, apo sjellja e keqe e lepurit shkaku pse ajo reagoi ashtu. Ajo mrroli vetullat. Pastaj u mërzit. Një zile ra kur ajo hodhi shikimin tjetërkund për dy sekonda, dhe perdja ra sërish. Pastaj u ngrit edhe njëherë: Në skenë doli lepurushi jeshil. Në vend që të prishte planet e qengjit, ai e ndihmoi atë për të hapur kapakun e kutisë së lodrave. Vajza vështroi ngultazi, përplasi gishtat e saj të shëndoshë mbi tavolinë për një çast, pastaj hodhi vështrimin tutje. Perdja ra.
 
Ky skenar u përsërit gjashtë herë, në mënyrë që bebja ta kuptonte atë që shihte, por lepurushi jeshil në të gjitha rastet ishte i sjellshëm dhe ai portokalli i vrazhdë. Kur përfundoi shfaqja menaxheri i laboratorit iu afrua bebes me dy kukullat. Secila prej tyre i ofronte fëmijës një biskotë. Sapo matesha për t’iu thënë eksperimentuesve që vajza ime s’kish parë kurrë biskota të tilla dhe ishte nazelije në të ngrënë, kur ajo menjëherë mori biskotën nga lepurushi i mirë, mu siç kishin bërë të gjithë fëmijët e tjerë para saj. Pata një ndjesi të beftë krenarie prej prindi. Nuk isha e vetme në gëzim.
“Ajo zgjodhi lepurushin e mirë!” tha Tasimi. “Më në fund, ajo zgjodhi lepurushin e sjellshëm.”
 
***
 
Kur fëmijët në laboratorin e Yale-it mbushin 2 vjeç, prindërit e tyre ftohen me takt që të rikthehen në universitet pas ditëlindjes së tyre të tretë. Studiuesit tentojnë të shmangin periudhën (e tmerrshme) kur ata janë 2 vjeç. Famëkeq për tekat e tyre, 2 vjeçarët janë të vështirë për t’u testuar. Ata flasin, por jo mirë dhe, ndërsa janë tepër aktiv, sakaq janë edhe veçanërisht jo të koordinuar.
Sidoqoftë jo të gjithë studiuesit i shmangin 2 vjeçarët. Laboratori i rradhës që vizitova ishte në Universitetin e Harvard-it në Cambridge, Massachusetts, dhe në një farë mënyre është shndërruar në një lloj qendre të specializuar për këtë grupmoshë, duke punuar mbi altruizmin e dy vjeçarëve (një shprehje që, kuptueshëm, ngjan e cekët në veshët e prindërve.)
 
Një avantazh i testimit të bebeve dhe fëmijëve ca më të rritur është fakti që ata mund të kryejnë detyra relativisht të koklavitura. Në Laboratorin për Studime Zhvillimore, bebet nuk shikojnë shfaqje kukullash: Atyre iu kërkohet të ndihmojnë.
Shkencëtari në krye të këtij eksperimenti është Felix Warneken, një tjetër kërkues i ri në moshë, megjithëse gjëja e parë që mendon kur e takon nuk është shkencëtar bebesh. Ai është rreth 2 metra i gjatë. I takon fëmijët zakonisht ulur në dysheme, duke luajtur me ta para se të ngrihet në këmbë në momentin e fundit të mundshëm. “Vetëm atëherë fëmijët mund ta kuptojnë që kishin të bënin me një gjigand”, thotë Warneken. Ai zakonisht vesh të njëjtën triko të kuqe gjatë eksperimenteve, sepse mendon se fëmijët e pelqejnë ngjyrën e kuqe. Krahas hartimit të studimeve pioniere, ai ka krijuar gjithashtu disa lodra për të shpërblyer ose për t’iu tërhequr vëmendjen subjekteve të tij, përfshi një pajisje që ai e quan kutia e xhinglave: Një ksilofon me kënd i fshehur brenda një kutie kartoni, që nxjerr tinguj kur blloqe prej druri hidhen brenda kartonit.
 
Warneken ishte fillimisht i interesuar në mënyrën sesi fëmijët e vegjël lexojnë qëllimet e të tjerëve, dhe në çështjen nëse fëmijët e vegjël do t’i ndihmonin të tjerët të përmbushin synimet e tyre. Ai donte të krijonte një ide rreth ketyre sjelljeve gjatë disa eksperimenteve të thjeshta fillestare – p.sh., duke lënë që kapelja t’i binte “aksidentalisht”, dhe duke i vëzhguar për të parë nëse do t’ia kthenin apo jo.
 
Por ndërsa kjo ishte një ide interesante në parim, këshilluesit e tij akademik në Institutin e Antropologjisë Evolutive Max Planck në Gjermani i thanë që ishte gati e pamundur në praktikë. Fëmijët e vegjël sapo ua hedhin doçkat e tyre topolake një objekti të dëshiruar, i thanë Warneken-it, “ata thjesht do ta mbajnë, e rrallë bën vaki të ta kthejnë.” Madje psikologë me emër kishin argumentuar që më parë se fëmijët janë egoist, deri sa fillojnë të socializohen; ata fillojnë të shfaqin sjellje altruiste vetëm më vonë gjatë fëmijërisë dhe shpërblehen nëse ndjekin rregullat e qytetërimit, ose dënohen nëse i shkelin ato.
 
 
Warneken e mbajti këtë koncept paraprak mënjanë ndërsa po studjonte aspekte të tjera të bashkëpunimit ndërmjet fëmijëve. Një ditë ai dhe një prej fëmijëve po luanin me top. Krejt aksidentalisht, topi ra tutje – “momenti i rastësisë fatlume”, siç e quan Warneken tani. Impulsi i tij i parë ishte të zgjatej e të merrte lodren e të vazhdonte aktivitetin, por u tërhoq. Në vend që ta kapte topin, ai qëndroi në vend, duke u shtirur sikur nuk e arrinte dot, megjithëse as që i zgjati krahët e tij prej gjigandi. Djali i vogël e vështroi teksa ai po mundohej, e një çast më pas u ngrit, e këmbadorazi iu qas topit dhe – duke sfiduar pritshmëritë cingune të komunitetit shkencor – zgjati krahun e tij të shëndetshëm dhe ia dha topin shokut të tij gjigand të lojës. Në muajt në vijim Warneken hartoi eksperimente për fëmijë 18 muajsh, në të cilat një i rritur i ngathët (shpesh i luajtur nga ai vetë) përpiqej të kryente një sërë detyrash, por pa sukses, teksa fëmijët vështronin. Fëmijët plot mirësjellje mblidhnin lugët, kapset e rrobave që Warneken-it i shpëtonin nga dora ‘pa dashje’, i mblidhnin librat dhe e ndihmonin të hapte dyer të ca rafteve kokëforta, në mënyrë që ai të mund të merrte sendet aty brenda.
 
“Fëmijët tëtëmbëdhjetë muajsh e ofronin ndihmën e tyre në të gjitha këto skenare të ndryshme, dhe e bënin këtë në mënyrë krejt të vetvetishme,” thotë ai. “Ata janë ndihmës të zgjuar. E kjo sjellje nuk është diçka e cila iu është mësuar nga të tjerë, por ata vetë janë krejt të gatshëm të vijnë të të ofrojnë ndihmën e tyre pa u inkurajuar apo pa marrë ndonjë shpërblim.”
Fëmijët madje ofrojnë ndihmë edhe në kurriz të tyre. Warneken-i më tregoi një eksperiment të inçizuar në video të një fëmije duke u sorollatur në një pishinë plot topa plastikë. Ishte e qartë se ai po ia kalonte për shtatë palë qejfe. Pastaj një eksperimentues duarngathët u ul aty pranë dhe lëshoi një laps në dysheme. Ajo bëri sikur po mundohej shumë ta merrte lapsin dhe lëshonte pasthirrma sikur ishte në hall të madh. Fëmija i hodhi një vështrim plot bezdi e pastaj u ngrit nga pishina me topa, i bindur, porsi një manar, duke kapur lapsin dhe duke ia kthyer të zonjës. Më në fund u ndie i lirë të zhytej sërish në pishinën me topa, krejt i pavetëdijshëm se duke ndihmuar dikë tjetër në kurriz të vetes, ai kishte përmbushur kriteret e përkufizimit formal të altruizmit.
 
 
Meqë kjo sjellje shfaqet tek fëmijët 18 muajsh, Warneken-it iu shtua besimi se sjelljet ndihmëse janë të lindura, jo të mësuara apo imitime. Për të testuar hamëndësimin e tij ai iu kthye njërit prej dy primatëve më të afërt me ne, shimpazeve. Intelektualisht një shimpaze e rritur dhe një 2 vjeçar janë krahasimisht të njëjtë: Ata kanë pak a shumë të njëjtën aftësi të përdorimit të veglave, kujtesë të ngjashme dhe kanë pothuajse të njëjtat rezultate në teste të të mësuarit rastësor.
Shimpazetë e para që Warneken-i studioi, të rritura në një kopësht zoologjik në Gjermani, ndjeheshin rehat në praninë e njerëzve. Ai i zëvendësoi objektet që ishin të huaja për shimpazetë (si për shembull lapsat) me materiale më familjare për ta, si sfungjerët që kujdestarët përdornin për të pastruar kafazet e tyre. Warnaken-i priste në korridor, duke vëzhguar përmes një kamere, teksa kujdestari i shimpazeve lëshoi objektin e parë: Sikur të kishin qenë duke pritur rastin, shimpazetë e kapën objektin dhe menjëherë ia kthyen kujdestarit. “Sa nuk u pataksa!” kujton Warneken-i. “Nuk mund t’iu zija besë syve, se nuk e besoja që ata mund ta bënin një gjë të tillë. Po çmendesha nga gëzimi!”
 
 
Pasi euforia u davarit, Warneken-i po vriste mendjen nëse shimpazetë e rritura nga njerëzit mund të ishin kushtëzuar në mënyrë të tillë që të ndihmonin ata që iu sillnin ushqim. Kështu ai organizoi një version tjetër të testit në Ishullin Ngamba të Shimpazeve në Uganda, ku jetojnë shimpaze në gjendje gjysmë të egër. Në këtë eksperiment, dy hulumtues debatojnë plot zjarr rreth një shkopi: Fituesi i dyluftimit e vendos shkopin larg duarve të humbësit dhe e hedh brenda kafazit të shimpazesë, dhe humbësi e ndjek shkopin me shikim plot dëshirë për ta pasur, teksa shimpazeja e vështron gjithë këtë skenë. Shimpazeja duhet të vendosë nëse t’ia japë apo jo trofenë përmes kangjellave të kafazit palës humbëse. Në fakt shumë prej tyre zgjodhën të bënin pikërisht këtë.
 
 
“Pritshmëria ishte që në fillim shimpazetë mund të ndihmonin, por pasi të mos merrnin ndonjë shpërblim kjo sjellje ndihmuese do të zhdukej me kohën,“ thotë Warneken-i. “Por ne nuk vumë re ndonjë gjë të tillë. Ata në mënyrë të qëndrueshme do të ndihmonin kur personi bënte sikur donte të kapte objektin,“ edhe në mungesë të ndonjë shpërblimi.
Ndoshta kafshët do t’i ndihmonin njërëzit paravarësisht rrethanave, duke marrë të mirëqenë se, si sigurues të ushqimit të tyre, një shpërblim do vinte nga ata, sido që të ishte puna. Hapi përfundimtar ishte të shihej nëse shimpazetë do të ndihmonin njëra-tjetrën. Kështu Warneken-i ndërtoi një aparat, ku një shimpaze në kafaz mund të ndihmonte shimpazenë fqinje për të kapur një banana, apo një copë shalqi, që për këtë të fundit ishte tepër e vështirë për ta kapur. S’kish asnjë mundësi që ata të hanin ndonjë copë për vete, e sakaq shimpazetë ‘me pushtet’ i ushqenin miqtë e tyre primatë pavarësisht këtij fakti.
 
 
Shimpazeja e Warneken-it na bën të kuptojmë se altruizmi tek njerëzit është një tipar me të cilin evolucioni, me sa duket, na ka pajisur që në lindje. Por në cilët rrethana fëmijët janë altruistë? Disa studime të kohëve të fundit mbi shimpazetë na sugjerojnë se ato nuk do t’i ndihmojnë të tjerët derisa të dëshmojnë shqetësimin e mërzinë e krijesës në nevojë. A janë edhe të vegjëlit e njerëzve ndihmues “reaktiv, ose a mund t’i vijnë në ndihmë dikujt pa nevojën e treguesve socialë? Warneken-i krijoi një skenar në të cilin një eksperimentues luan me disa kanaçe qumështi në një tavolinë, tëksa një dyvjeçar e shikon. Disa kanaçe fillojnë të bien nga tavolina, gjoja pa dijeninë e eksperimentuesit.
Eksperimentuesi nuk i kerkon fëmijës ndihmë: Ai as që e vë re që problemi ekziston. E megjithatë shumica e fëmijëve të testuar e lexojnë saktë situatën e dhënë dhe nxitojnë në ndihmë të tij, shpesh duke thirrur “Ra kanaçja!” me zell të madh, përpara se ta kthejnë atë mbrapsht. “Mund ta vësh re që në moshën 1.5 deri në 2.5 vjeç shfaqjen e parë të sjelljes ndihmuese proaktive” shpjegon Warneken. “Fëmijët nuk kanë nevojë të nxiten për të ndihmuar. E bëjnë me vullnetin e tyre.” Ndihma proaktive mund të jetë një aftësi unike njerëzore. 
 
***
 
Kritikat ndaj punës kërkimore të pagëzuar si “fëmija i mirë” janë të ndryshme dhe puna me fëmijët më të vegjël është ndoshta më e debatueshmja. Gjatë verës një grup shkencëtarësh nga Zelanda e Re sfiduan studimin “ndihmues/pengues” të Kiley Hamlin-it, duke fituar po aq famë sa Hamlin-i.
Ata vunë në dukje se Hamlin dhe bashkëpunuesit e saj kishin keqidentifikuar stimulin kryesor: Në vend të gjykimeve të stërholluara morale rreth trekëndëshave të sjellshëm dhe katrorëve antisocialë (apo e anasjellta, meqë hulumtuesit e studimit i kishin ndërruar rolet e formave), subjektet e Hamlin-it thjesht po reagonin ndaj ngjarjeve të thjeshta fizike në një format eksperimental. Fëmijët thjesht pëlqenin lëvizjet triumfatore të rrethorit në majë të kodrës, pasi trekëndëshi e kish ndihmuar për t’u ngjitur në majë, dhe atyre nuk iu pëlqente sesi rrethori me raste përplasej me forma të tjera si katrori.
Hamlini dhe kolegët e saj iu përgjigjën akuzave duke vënë në pah se rikrijimi i kushteve eksperimentale të Zelandezëve ishte i metë (për shembull ata i drejtuan sytë e rrethorit poshtë e jo për nga maja e kodrës, duke e çoroditur ndjesinë e qëllimit tek fëmija). Për më tepër, skuadra e Yale-it i kishte replikuar rezultatet me teatrin me kukulla, provë kjo që kritikët nuk e kishin adresuar.
 
Megjithëse Hamlin-i i adresoi bindshëm të gjitha kundërshtimet e tyre, shqetësime të tilla metodologjike nuk janë asnjëherë larg mendjes së një hulumtuesi që punon me fëmijët. Për shembull, Tasimi kishte vetë një dyshim se në një prej versioneve të teatrit me kukulla, fëmijët thjesht po zgjidhnin ngjyrën portokalli ndaj asaj jeshile, jo sepse ata bëheshin me ‘të mirët’ kundër ‘të këqinjve’, por thjesht sepse ju pëlqente ngjyra portokalli. (E megjithatë pëlqimi ndaj lepurushëve ndihmues qëndronte edhe pasi hulumtuesit i ndërronin ngjyrat e bluzave të lepurushëve).
 
Ndërkohë, kritikë të tjerë ia vënë fajin filozofisë së zhvillimit pas këtyre eksperimenteve. Fëmijët mund të duket sikur janë pajisur me aftësi sociale të forta, argumentojnë këta hulumtues, por në fakt ata ia nisin nga hiçi, vetëm me ndihmën e shqisave dhe reflekseve, dhe në pjesën më të madhe mësojnë përmes ndërveprimit me nënat e tyre, duke mësuar kështu rreth botës sociale në një periudhë shumë të shkurtër. “Unë nuk mendoj se ata kanë lindur me njohuri,” thotë Jeremy Carpendale, një psikolog në Universitetin Simon Fraser. Prespektiva morale e një bebeje, thotë ai, nuk është diçka që merret si e mirëqenë.
 
 
E megjithatë shkencëtarë të tjerë mendojnë se studimet mbi fëmijët e vegjël nënvlërësojnë forcën që ka kultura lokale. Joe Henrich, një psikolog i Universitetit të British Columbia, thotë se cilësi të tilla, si sjellja altruiste dhe logjika morale, nuk mund të jenë përjashtimisht gjenetike, siç vihet re nga shumëllojshmëria e sjelljeve ndihmuese tek grupet gjuetar-mbledhës, apo te grupet e vogla hortikulturiste rreth e përqark botës, veçanërisht krahasuar me normat perëndimore. Idetë e së mirës publike dhe dënimit të përshtatshëm, për shembull, nuk janë të pandryshueshme në shoqëri anekënd globit: Tek njërëzit Matsigenka në Amazonën Peruviane, ku punon Henrich, ndihma rrallë ndodh të jepet jashtë vatrës së familjes së drejtpërdrejtë, meqë fiset e tyre kanë prirjen të jetojnë bashkë me kushërinjtë e të afërm të tjerë.
“Ka faktorë biologjikë që njërëzit mendojnë se janë gjenetikë, por në fakt është kultura që ndikon tek ta,” thotë ai, duke shtuar: “Kultura të ndryshon trurin.” Ai na tregon disa skanime të trurit me fMRI (pamje të rezonancës magnetike të trurit) të njerëzve nga kultura të ndryshme.
 
Vetë hulumtuesit që merren me fëmijët e vegjël kanë nxjerrë kritika interesante ndaj punës së tyre. Në 2009, Ëarnaken-i shkruante se “fëmijët fillojnë si altruistë jodiskriminues, të cilët bëhen më përzgjedhës teksa rriten.” Sot, megjithatë, ai mendon se panorama është më e koklavitur, me impulset gjerësisht prosociale në garë me ato egoiste dhe jo duke i paraprirë këtyre të fundit,
Një sërë vëzhgimesh e komplikojnë zbulimin e impulseve fisnike të fëmijëve. Fëmijët janë thellësisht tribal: 3 vjeçarët pëlqejnë njërëz të rracës së tyre me shumë se të rracave të tjera, siç na tregohet nga disa eksperimente, dhe njëvjeçarët preferojnë folës së gjuhës së nënës ndaj atyre të një gjuhe tjetër. Po, një bebe preferon personazhet pozitive – derisa i keqi, ashtu si bebja, ha gjithashtu biskota. Nëse personazhi pozitiv ha bizele, harroje, as kanë për ta zgjedhur fare. Bebet, për më tepër, janë tifozë të mëdhenj të dënimit. Hamlin-i dëshiron të na tregojë një video ku një fëmijë vigjilent nuk zgjedh thjesht midis kukullës së mirë dhe asaj të keqe; ai ia keput edhe disa shpulla mbi kokë kukullës së keqe. Në këto reagime spontane të më të rinjve ndër njerëz, “Ne po dëshmojmë origjinën e gjykimeve që bëjmë si të rritur, por që nën ndikimin kulturor përpiqemi të mos i çojmë deri në fund,” thotë ajo.
 
 
Wynn, po ashtu shkencëtar në Yale, ka vënë në pikepyetje motivet më të thella të altruistëve të vegjël të Warneken-it, duke vënë në dukje se veprime në dukje vetëmohuese në fakt mund të jenë sjellje adaptuese. Ashtu siç e di çdo prind i një 18 vjeçari, ndihma e një fëmije nuk është, le të themi, aq e dobishme. Edhe sikur të përpiqen, ata nuk mund të trazojnë gotën e çajit apo të paketojnë valixhen kur iu kërkohet (dhe prindërit, që të jemi të ndershëm me kalamajt, nuk presin nga ata që t’i ndihmojnë, veç duan që ata të merren me diçka e të mos iu shkaktojnë kokëçarje). Ndoshta fëmijët nuk po përpiqen të ndihmojnë gjatë një momenti të caktuar, më shumë sesa po shprehin detyrimin që kanë ndaj të rriturve të pushtetshëm, të cilët kontrollojnë botët e tyre – duke u sjellë më pak si Nënë Tereza, në një farë mënyre, sesa një oborrtar i Epokës së Rilindjes. Ndoshta prindërit do të investonin më shumë në një fëmijë që ndihmon, i cili si i rritur mund të kontribuojë ndaj mirëqenies familjare, sesa në një dembel egoist – ose le të themi se këtu na çon logjika evolutive.
 
Një interpretim ndryshe na, thotë Warneken-i, në një botë më të thjeshtë ndoshta fëijët e vegjël mund të ndihmonin vërtet, duke kontribuar në produktivitetin e një grupi gjuetar-mbledhës në përpjestim me sasinë e vogël të kalorive që ata konsumojnë. “Ndoshta fëmija më i vogël mund të mbajë kovën më të vogël me ujë, i  mesmi mban një kovë të mesme dhe gratë e rritura mbajnë kovën e madhe,” thotë ai. Në një vizitë të kohëve të fundit në Kinshasa, në Kongo, ku po kryente studime rreth primatëve, ai shprehet: “Unë pashë një familje pikërisht si kjo që të shpjegova duke ecur rrugës. Të gjithë po mbanin dru zjarri mbi kokë, dhe pesha ishte ndarë në përpjesëtim me përmasën e trupit.”
***
 
 
Për shumë kërkues shkencorë këto koklavitje dhe kundërshti i bëjnë studimet mbi fëmijët e vegjël edhe më të vlefshme. Unë fola me Arbër Tasimin përseri kohët e fundit. Shufra e hekurit tashmë nuk është në krahun e tij dhe ai i është kthyer jetës normale dhe del me miqtë për ndonjë pije. Megjithëse vazhdon t’i shohë bebet si subjekte frymëzues, atë e intrigojnë prirjet e tyre më të liga. Tasimi gjatë konvaleshencës së tij pati parë shumë seri të “Soprano-ve” dhe vriste mendjen nëse mund të hartonte ndonjë eksperiment të bazuar në kodet e Hamurabit, për të përcaktuar nëse fëmijët mendojnë, ashtu siç mendon Toni Soprano, se sy-për-sy e dhëmb-për-dhëmb është një shkëmbim i drejtë kur vjen puna për t’u hakmarrë. E nuk mbaron këtu. “Unë po përpiqem të mendoj sesi mund të hartoj një studim për të keqen më të vogël,” thotë ai. “Po, në fakt ne kemi kategoritë tona të të mirës dhe të së keqes, por këto kategori përfshijnë shumë gjëra të ndryshme – vjedhja e një 20$ kundrejt përdhunimit, kundrejt vrasjes. Kuptueshëm unë nuk mund t’i përdor këto lloj rastesh me fëmijët 13 muajsh. Por mund të krijosh një sërë lojërash teatrale në një spektër …që nga formimi i pëlqimeve ndaj njërës gjë apo tjetrës, deri tek pëlqimi i një personazhi, që është pak më i mirë se personazhi i keq fare.”
Në të njëjtën mënyrë, eksperimenti “Crackerz” në të cilin mori pjesë vajza ime ka marrë një kthesë të errët. Është e vërtetë që bebet preferojnë ëmbëlsira nga personazhet pozitive, por çfarë do të ndodhte nëse personazhi negativ do t’iu ofronte atyre 3 apo 10 biskota?
Në propozimin e tij për të ngritur fonde Tasimi e vendosi titullin paraprak: “Çfarë çmimi vendosin fëmijët kur bëjnë pazar me djallin?”
 
Përktheu: Arian Gjikola

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit