9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A lejohet të bëhet sterilizimi i maceve?

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet të bëhet sterilizimi i maceve?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Në parim, nuk lejohet shkaktimi i çfarëdo dëmtimi kafshëve, ngase janë përcjellë disa hadithe që kanë të bëjnë me dëmtimin e kafshëve dhe rrezikun që vjen si pasojë e kësaj. Prej tyre, hadithi i një gruaje e cila e ngujon macen e vet, as nuk i jep të hajë e as nuk e lë të ushqehet vetë, dhe si pasojë Pejgamberi ﷺ na tregon se vendi i asaj gruaje është Xhehenemi. Po ashtu, në një hadith tjetër nga Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar nga sterilizimi (tredhja) e kalit dhe kafshëve. [1]
Po ashtu transmetohet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar, me ndalesë të rreptë, nga marrja në shënjestër e gjallesave me shpirt dhe nga tredhja e kafshëve.” [2] Megjithatë, transmetohet se vetë Pejgamberi ﷺ ka therur dy desh të tredhur, për shkak se bagëtitë e këtilla në këtë mënyrë bëhen më të majme dhe me mish më të shijshëm. Së këndejmi, del se lejohet sterilizimi i kafshëve nëse nga një gjë të tillë përfitojmë ndonjë dobi apo shmangim ndonjë dëm që mund ta na vijë, por jo pa ndonjë arsye. Në rastin e maces, nevojë konsiderohet mbajtja e maces në shtëpi për ta pastruar shtëpinë nga brejtësit, nga insektet, apo gjëra të ngjashme, por, nëse nuk ka arsye për këtë atëherë më mirë është ta largojmë macen larg nga shtëpia jonë, meqenëse mbajtja e maces në shtëpi dhe ushqyerja e saj nuk është obligim. Pra, themi edhe njëherë se për këtë shikohet dëmi dhe dobia nga një gjë e tillë. Përndryshe, më mirë ta braktisim këtë praktikë. Allahu e di më së miri!

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit