0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

A lejohet ndjekja e Big Brother-it dhe e emisioneve të ngjashme me të?

Më të lexuarat

Pyetje: Si i konsideron/trajton Islami programe TV si BBV apo Përputhen, të cilët kamuflohen si programe me përmbajtje sociale (pra për zhvillimin shoqëror), por në vetvete promovojnë antivlera? Çfarë gjykimi ka shikimi i këtyre programeve? Po një musliman që i ndjek këto programe a ka dobi, dëm, mëkat apo sevap nga harxhimi i kohës së tij për të parë këto emisione TV?

Përgjigje: Së pari duhet të kuptojmë realitetin që po jetojmë edhe nga këndvështrimi fetar. Bëhet fjalë për realitet për të cilin na ka paralajmëruar Profeti ynë Muhamedi (alejhissalatu uesselam) i cili thotë: “Do të vinë te njerëzit vite mashtruese, kur do të besohet gënjeshtari dhe do të përgënjeshtrohet i drejti, do të besohet tradhëtari dhe do tradhëtohet i besuari e do të flasin “er-ruvejbidah”. Kur e pyetën, cilët janë këta? Tha: “Njerëzit e ulët e të parandësishëm që flasin në emër e në cështjet e masës së gjerë.”  (Ahmedi nr. 7912, Ibn Maxheh nr. 4036 etj. me zinxhir transmetuesish të përforcuar.)

Pra po bëhet fjalë për kohën e ndryshimit të koncepteve ku antivlerat shiten si vlera, degjenerimi si emancipim, perversiteti si kulturë, mashtrimi si aftësi dhe padrejtësia është kthyer në normalitet.  E gjithë kjo nëpërmjet njerëzve krejtësisht të parëndësishëm për shoqërinë, pa vlera dhe pa kontribute, por që nëpërmjet forcës mediatike imponojnë te njerëzit veset negative, të cilat zënë gradualisht vendin e parimeve morale.

Emisione të tilla që po shfaqen me bujë në Shqipëri dhe Kosovë, ngacmojnë instinktet më të ulëta të njeriut, ato ofrojnë publikisht shfaqjen e intimes në marrëdhëniet ndër njerëzore, duke normalizuar kështu të turpshmen për shoqërinë. Këto emisione janë të mbushura me banalitete dhe sjelle të pahijshme, siç janë tallja, përçmimi, intrigat, zënkat dhe ofendimet e ndryshme. Emisione të tilla e shkëpusin njeriun nga realiteti duke promovuar një realitet të shtirur, ku pjesëmarrësit në të, të izoluar nga kontakti normal me botën shpesh ekspozojnë më të keqen e tyre, duke edukuar hipokrizinë, parazitizmin, dembelizmin dhe pasivitetin, si dhe duke motivuar të rinjtë të kërkojnë famën dhe suksesin në jetë përmes anormales, shtirjes dhe argëtimit erotik dhe banal.

Pra programe të tilla janë amorale përpara se të jenë edukuese, madje janë anti-sociale përderisa ato nuk trajtojnë jetën reale të shumicës së familjeve shqiptarëve plot me halle, por synohet që të transformohet morali shoqëror përmes imponimit të imazhit dhe spektaklit, nga ai i familjeve konservatore me tradita dhe moral, në familje të shpërbëra e të shthurura. Cfarë edukate mësojnë dhe cfarë parimesh përvetësojnë familjet shqiptare nga këto emisione?

Emisione të tilla në të vërtetë janë misione që dirigjohen nga agjenda perverse që dëmtojnë moralin e individit dhe të familjes duke normalizuar lakuriqësinë, kontaktin e lirë seksual jashtë martesor si dhe lidhjet e kontaktet intime brenda të njëjtit seks. Këto emisione përdoren shpesh edhe për të reklamuar apo promovuar produkte apo praktika të dëmshme dhe të ndaluara fetarisht, siç mund të jenë pijet alkoolike apo astrologjia dhe horoskopi.

Ebu Hurejra (radijaAllahu anhu) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë: “I gjithë ymeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin gjynahet. Prej shfaqjes (së gjynaheve) është edhe një vepër që njeriu e bën natën, dhe ndërkohë që Allahu ia ka mbuluar, kur ai gdhihet në mëngjes, tregon dhe thotë: “O filan, unë kam bërë mbrëmë këtë e atë”, ndërkohë që Zoti ia kishte mbuluar atij këtë vepër. Ai gdhihet duke hequr perden, me të cilën Allahu e kishte mbuluar.” (Buhariu nr 6069  & Muslimi nr 2990)

Në këtë hadith na tregohet se njerëzit që përjashtohen nga falja e gjynaheve janë ata, të cilët i tregojnë gjynahet e bëra në privatësi, pra kur ata i bëjnë publike ato. Kështu që çfarë mund të thuhet për ata që i bëjnë gjynahet drejtpërdrejtë në mënyrë mediatike, ku përveç frikës nga Allahu, iu mungon edhe turpi nga njerëzit? Ky mësim profetik na tregon se gjynahet që bëhen publike, janë më të dëmshme sesa ato që mbahen të fshehta, si për vetë personin, por edhe për shoqërinë. Kjo, sepse ai që i bën publike gjynahet, tregon një lloj arrogance dhe përligjje të asaj që bën, dhe përveç kësaj, ai me sjelljen e tij ndikon negativisht në pjesën tjetër të shoqërisë, që ta marrin më lehtë gjynahun, sepse duke shfaqur dhe përhapur intimitetin dhe perversitetin luftojnë ndjenjën  e turpit e bashkë me të vetë virtytin, ndërsa turpi është pjesë e rendësishme e besimit (imanit). Sa më shumë të largohet turpi aq më tepër zbehet besimi, e ndoshta bëhet shkak për largimin e tij nga praktika fetare apo nga vetë feja. Një ditë dikush po e qortonte vëllain e tij rreth turpit duke i thënë: “Ti je i turpshëm dhe kjo po të dëmton.” Ndërsa Profeti (alejhissalatu uesselam) kur e dëgjoi i tha: “Lëre atë, sepse turpi është prej besimit.” ( Buhariu nr. 6118  & Muslimi nr. 36)

Ky mësim profetik përkon me realitetin dhe përvojën njerëzore, që tregon se sa më shumë të bëhen publike gjynahet, aq më shumë shtohen dhe përhapen ato, në kundërshtim me një mendësi moderne liberale, e cila duke tentuar gjoja të “çlirojë” njeriun nga brenga e mëkatit, thotë se përderisa diçka bëhet në fshehtësi, nuk ka arsye të fshihet, sepse kjo qenka mungesë sinqeriteti me vetveten, duke i dhënë kështu liri të pakufizuar dëshirave, pasioneve dhe epsheve njerëzore.

Në një hadith tjetër Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë se sytë edhe veshët bëjnë imoralitet dhe se imoraliteti i tyre është shikim dhe dëgjimi i imorales. (Buhariu nr. 6243 & Muslimi nr. 2657)

Ndaj dhe për këtë Allahu urdhëron dhe thotë në Kuran: Thuaju besimtarëve të ulin sytë dhe të ruajnë nderin e tyre, sepse kjo është më e pastër për ta! Allahu Di çdo gjë që bëjnë ata.” (En-Nur:30)

Nëse shtrohet pyetja: A është vërtet e dëmshme ndjekja e këtyre emisioneve? Nga sa u përmend është e mjaftueshme për të kuptuar se këto emisione dhe programe janë tepër të dëmshme, ato shkatërrojnë konceptin tradicianel të familjes dhe ndikojnë drejtpërdrejtë negativisht në edukimin e fëmijëve. Për ligësinë dhe negativitetin e këtyre emisioneve ka raste që janë ndërgegjësuar edhe organzimat e kontrollit shtetëror, siç është rasti në Kosovë ku është vendosur që “Programi “Big Brother VIP” do të ndiqet në platformat televizive vetëm të koduara, në mënyrë që të mbrohen fëmijët nga përmbajtjet që ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor e moral. Mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme dhe zhanret e reja televizive të emëruara si “reality show” mund të ndikojnë në gjuhën dhe  sjelljet e tyre.” Pra këto emisione janë të padobishme dhe tëpër të dëmshme për shëndetin moral dhe mendor të shoqërisë, ato ekspozojnë më së shumti antivlerat dhe mungesën e virtytit, ndaj si të tilla ndjekja dhe shikimi i tyre përbën gjynah dhe është i ndaluar.

Nisur nga sa u përmend i këshillojmë besimtarët t’ju rrinë larg shikimit të këtyre emisioneve dhe të ruajnë shikimin dhe dëgjimin e tyre dhe të pjesëtarëve të familjes që ata kanë nën përgjegjësi, për të shpëtuar nga harami dhe gjynahu me të cilin ngarkohen ata që shohin të tilla emisione.

Ndërkohë besimtarët janë të obliguar ta shfrytëzojnë kohën e lirë në atë që është e dobishme dhe e virtytshme, por edhe argëtim që nuk ka harame dhe gjynahe në të.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

 

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit