4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A lejohet mbajtja fshehtë e martesës?

Më të lexuarat

Pyetje: A lejohet mbajtja fshehtë e martesës?

Përgjigje: Jo nuk lejohet.
– Profeti(alejhi selatu ueselam) ka thënë:
Publikojeni martesën!”
E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani dhe Shejh Shuajb El-Arnauti.
– Dhe ka thënë gjithashtu:
“Ndarje mes hallallit dhe haramit është dajrja dhe zëri në martesa” dmth: t’i bihet dajres dhe të këndohet në martesa.
E transmeton Tirmidhiu, Nesai, Imam Ahmedi etj dhe e saktëson Shejh Albani.

▪️Shejhu i Islamit Ibn Tejmije(Allahu e mëshiroftë), kur flet rreth kushteve për saktësimin e martesave thotë:
“Kushtëzimi i martesës vetëm me dëshminë (dmth: të merret për bazë vetëm dëshmia e dëshmitarëve) nuk ka bazë në Kuran dhe në Sunet”.
– Ai mendon se origjina te aktet e martesave është publikimi dhe jo dëshmia e dëshmitarëve, pasi nuk ka ardhur asnjë urdhër në Kuran për dëshmi në aktet e martesave, siç ka ardhur për aktet e shitblerjeve. Prezenca e dëshmitarëve –sipas tij- është kërkuar për kthimin pas ndarjes së një çifti të martuar, siç është përmendur në suren Talak dhe nuk është kërkuar për aktet e reja të martesave, pasi për martesat e reja është kërkuar publikimi i cili është rreth më i gjerë se dëshmia. Ndërsa hadithi: “Nuk ka martesë veçse me pëlqimin e kujdestarit dhe dëshminë e dy dëshmitarëve” shumë prej dijetarëve nuk e konsiderojnë fjalë të saktë profetike. Prandaj Imam Ahmedi –Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Nuk është saktësuar nga Profeti -alejhi selam- asnjë hadith në lidhje me dëshminë në martesa”.
Prandaj selefët, siç thotë Shejhu i Islamit Ibn Tejmije, nuk e kishin me doemos prezencën e dëshmitarëve në martesa, sepse ata interesoheshin për publikimin dhe kështu arrihej më shumë sesa me prezencën e tyre. Madje ai supozon se sikur dikush ta martojë bijën e tij me dikë (pa dëshmitarë) dhe pastaj të dalë bashkë më të dhe ta publikojë që ta dëgjojnë njerëzit, apo nëse vijnë njerëzit dhe dëshmitarët pasi ata të kenë bërë aktin dhe ata ti njoftojnë se janë martuar, kjo gjë është e mjaftueshme që martesa e tyre të jetë e saktë.

▪️Kështu, origjina te martesat është publikimi dhe jo dëshmia. Edhe nëse saktësohet fjala e Profetit -alejhi selam-: “Nuk ka martesë veçse me pëlqimin e kujdestarit dhe dëshminë e dy dëshmitarëve” siç e konsiderojnë të tillë shumë dijetarë, nuk është qëllimi që ajo të mbetet mes tyre, por qëllimi është që dëshmia të jetë mënyrë për të arritur te publikimi. E nëse dëshmitarët e mbajnë të fshehtë, atëherë saktësia e një martese të tillë është e diskutueshme.
– Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije(Allahu e mëshiroftë) gjithashtu citon:
“Ajo që nuk ka dyshim në të është se martesa e cila përmban vetëm publikim është e saktë edhe pa dëshmitarë. Ndërsa me dëshmitarë dhe mbajtje të fshehtë të saj është e diskutueshme. Ndërsa kur bashkohen dëshmia dhe publikimi kjo është ajo për të cilën nuk ka kundërshtim në saktësinë e saj. Ndërsa, kur nuk ka as dëshmi dhe as publikim kjo është kotësi sipas mendimit të të gjithëve”.
Shih çështjen në librin me titull “Mexhmu El-Fetaua”: 32/127-130.

▪️Pse publikimi i martesave?
– Publikimi i martesave duhet sepse nga martesat lindin detyra dhe të drejta. Prej detyrave është njohja e farefisnisë, ndërsa prej të drejtave është: prejardhja, kujdestaria (shpenzimet e detyrueshme), trashëgimia etj. Nëse martesa mbahet e fshehtë këto detyra dhe të drejta mund të mohohen dhe të shkelen dhe kështu do të rezultojë prej saj kundërshtim i ligjeve të Zotit dhe padrejtësi e madhe.
– Po ashtu mbajtja e fshehtë e saj është shkak për prishjen e imazhit dhe për shthurje morale duke i hapur rrugën çdo njeriu të shthurur të bëjë çfarë të dojë.
– Një martesë e fshehtë, edhe nëse nis si lidhje e sinqertë, mbetet lidhje e brishtë dhe bie për problemin më të vogël që mund të haset.

Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit