-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A lejohet, kur jam në namaz, të bëj dua në sexhde në gjuhen shqipe?

Më të lexuarat

Përgjigje:
Fjalët që thotë namazliu në namaz ndahen në tre kategori: Kuran, dhikr dhe dua.
Te kurani futen Fatihaja dhe surja tjetër që lexohet pas saj.
Te dhikri futen fjalët: Allahu Ekber, subhane rabijel-adhijm, semiallahu limen hamideh, rabbena ue lekel-hamd, subhane ribijel-eala, tehijati, salavatet dhe selami.
Ndërsa te duatë futen: ato në sexhde, ato pas tehijatit të parë dhe ato pas salavateve para se të jepet selam.

▪️Sheikhul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje, thotë:
“(Ibadetet me fjalë) janë tre llojesh: Kuran, dhikr dhe dua sipas tekstit profetik, pastaj dua në gjuhën arabe në të njëjtin kuptim me tekstin profetik, pastaj dua në gjuhë të huaj në kuptim të tekstit profetik….”
Pastaj thotë: “Imam Ahmedi dhe të tjerë zgjerohen në çështjen e duasë dhe kjo është më e sakta sepse profeti -alejhi selam- (në lidhje me duatë pas dhikrit të tehijatit) thotë: [Pastaj të zgjedhë prej duave atë që i pëlqen më shumë]….”
Shih librin e autorit me titull “Mexhmu’ El-Fetaua” 22/477-478.

▪️Shihet qartë nga citatet e sheikh-ul-Islam Ibn Tejmijes -Allahu e mëshiroftë- se ai anon nga lejimi i bërjes së duasë në gjuhen të huaj dmth jo në gjuhen arabe dhe se duaja sipas tij është tre llojesh:
1- [Dua sipas tekstit profetik] që do të thotë: të lutesh me fjalët e profetit dhe në gjuhën e tij dhe kjo është më e mira.
2- [dua në gjuhën arabe në të njëjtin kuptim me tekstin profetik] dmth: të lutesh në arabisht me fjalë të tjera me të njëjtin kuptim me fjalët profetike nëse nuk i di ato përmendësh dhe kjo qëndron pas të parës.
3- [dua në gjuhë të huaj në kuptim të tekstit profetik] dmth: të lutesh në një gjuhë tjetër veç arabishtes me fjalë që mbajnë kuptimin e fjalëve profetike dhe kjo është zgjidhja e fundit.

▪️Në lidhje me Kuranin sheikh-ul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- ka edhe një citat tjetër ku shprehet qartë dhe thotë:
“Për sa i përket Kuranit, nuk duhet ta lexojë në ndonjë gjuhë tjetër përveç arabishtes pavarësisht nëse ka apo jo mundësi sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe kjo është më e sakta për të cilën nuk ka dyshim”.
Shih librin e autorit me titull “Iktida Es-Sirat El-Mustekim” 1/519.

▪️Fjala e tij [pavarësisht nëse ka apo jo mundësi] ka shumë mundësi të ketë për qëllim hadithin e Abdullah bin Ebij Eufa -radiallahu anhu- i cili tregon:
“Një burrë erdhi te Profeti -alejhi selam- dhe i tha: unë nuk mund të mësoj ndonjë gjë nga Kurani, prandaj më mëso diçka që ma zëvendëson! Ai i tha: thuaj Subhanallah, uel-Hamdulilah, ue lailahe il-la Allah, ue Allahu Ekber, ue la haule ue lakuvete il-la bil-lah”
e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Profeti -alejhi selam- në këtë hadith i sugjeroi atij që nuk mund të mësojë gjë nga Kurani të falet me dhikr në gjuhen arabe dhe nuk i sugjeroi gjë tjetër, çka do të thotë në mënyrë indirekte se ai nuk mund ti lexojë suret e Kuranit në ndonjë gjuhë tjetër veç arabishtes.

▪️Ndërsa në lidhje me dhikrin – siç thekson në vazhdim të të njëjtit citat-, bën një dallim mes dhikrit vaxhib dhe atij sunet, por në përgjithësi anon që të bëhen në gjuhën arabe sidomos kur dhikri është vaxhib si fjala [Allahu Ekber] për të cilin kanë rënë dakord të gjithë dijetarët se është vaxhib.

Shih librin e autorit me titull “Iktida Es-Sirat El-Mustekim” 1/520.

Dr. Abdullah Nabolli

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit