Gjatë natës ky vend parkim në Shkup-Veri është rrethuar me rrjet.
Disa banorë aty afër nuk dinë se cila është arsyeja e këtij rrethimi. Ata janë habitur në mëngjes kur kanë parë rrethojat.
“Nuk e dimë se çka do të ndërtohet. Sot në mëngjes e pamë këtë , por çka do të ndërtohet nuk e di”, tha banor i lagjes Shkup-Veri.
Disa banorë tjerë thonë se aty është planifikuar ndërtimi i një xhamie, por se komuna e Butelit po kundërshton.
“Ka pengesa me komunën, nëse nuk jep leje nuk bëhet, por nëse vendos që të ndërtohet, shpresojmë të bëhet sepse kemi nevojë”, u shpreh Sinan Lutfi.
Idenë për ndërtimin e xhamisë e konfirmoi vetë Omer Rushidi, i cili është iniciator i autorizuar nga BFI. Ai thotë se ka mbledhur rreth 1 mijë nënshkrime të banorëve që janë pro xhamisë në këtë vend.
“Ne me qytetarët e kësaj lagje kishim një takim dhe vendosëm për të vendosur shenjat se ku do të ndodhet xhamia. Ne kemi bisedime me komunën e Butelit. E Kemi lejen që kemi aplikuar në Komunë, dhe kemi një peticion që kemi bërë në lagjen Shkup veri me 910 nënshkrime”, tha Omer Rushidi.
Sipas Rushidit, kërkesa për leje ndërtim është dorëzuar në Komunën e Butelit, prej cilës presin përgjigje.
Nga Komuna e Butelit thonë se kërkesën e BFI-së e kanë refuzuar. Nga Sektori për urbanizëm theksojnë se, sipas planit Gjeneral Urbanistik i Qytetit të Shkupit, dhe sipas Planit të Detajuar Urbanistik, nuk figuron objekt fetar në këtë vend.