9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A do na pranohen lutjet tona? – Mbi kuptimin e drejt të lutjeve

Më të lexuarat

Një nga adhurimet më të mëdha, edhe pse si veprim nga më të lehtat që besimtari i vepron, është lutja (duaja).

Duaja në Islam nënkupton çdo kërkesë e cila është e shoqëruar me përulje.

Numan bin Beshir tregon se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Duaja është adhurim”, pastaj lexoi: Zoti juaj, ka thënë: “Më thirrni Mua (më adhuroni), Unë do t’ju përgjigjem (shpërblejë)! Me të vërtetë, ata që shprehin mendjemadhësi e nuk duan të Më adhurojnë – do të hyjnë të poshtëruar në Xhehenem. (Gafir:60)

Allahu i Madhëruar pas urdhrit për ta lutur Atë, ka premtuar edhe pranim të së njëjtës.

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zoti ynë i Lartësuar zbret (ashtu siç i takon madhërisë së Tij) çdo natë, pasi të mbetet e treta e fundit e natës, në qiellin e afërt me Tokën, dhe thotë: “A ka kush më lutet Mua, që t’i përgjigjem? A ka kush kërkon nga Unë, që t’i jap? A ka kush kërkon falje prej Meje, që ta fal?”1

Në një hadith të transmetuar nga Ebi Said El Khudri se Muhamedi ﷺ thotë: “Nuk ndodh që një besimtar të lus Allahun me ndonjë lutje e cila nuk bart mëkat e as shkëputje të lidhjeve farefisnore, vetëm se Allahu do i jep njërën nga këta tri: Ose do ia pranon lutjen, ose do ia deponon për Ahiret, ose do ia largon ndonjë të keqe. Thanë: Pra le ti shtojmë lutjet. I Dërguari tha: Allahu ka më shumë dhe është më bujar.”2

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk ndodh që një besimtar të lus Allahun me ndonjë lutje vetëm se ajo lutje do i pranohet atij. Ose do i pranohet lutja në dynja, ose do i deponohet për Ahiret, ose do i falen mëkatet për aq sa është lutur, gjersa e njëjta nuk është për mëkat, për shkëputje të lidhjeve farefisnore apo nuk nxiton. Thanë: O i Dërguari i Allahut, e si bëhet që të nxitojë? Tha: Thotë: Iu luta Zotit por nuk ma pranoi lutjen.3

Thotë ibn AbdulBerr: Këto hadithe njëherë janë edhe dëshmi se duaja patjetër do pranohet në njërën nga këta tri forma.

Ndërsa ibn Haxheri thotë: Çdonjërit që lutet i pranohet lutja, por pranimi vjen në forma të ndryshme.

Por nuk duhet neglizhuar një çështje tepër me rëndësi, e cila shumë bukur është trajtuar nga dijetari ibn Kajim kur thotë: “Duatë dhe lutjet e kërkim-mbrojtjes nga Allahu janë sikurse arma, tek e cila nevojitet një bartës i fortë i saj, dhe nuk mjafton që vetëm të jetë e mprehtë. Në momentin kur arma do jetë e mprehtë dhe pa të meta, ndërsa bartësi i saj i fortë, e pastaj nuk gjendet ndonjë pengesë, do arrihet me të dëmtimi i armikut. E nëse ndonjëra nga këta mungon, do mungon edhe rezultati. Andaj, nëse duaja nuk është në rregull, lutësi nuk ka bashkuar mes zemrës dhe shprehjes gjatë lutjes, apo ka ndonjë pengesë për pranimin e së njëjtës, nuk do ndodh pranimi.”

Andaj nëse lutësi pajiset me edukatën e nevojshme gjatë lutjes, përkujdeset për vendin dhe kohën e pranimit, largohet nga mëkatet, ruan veten nga gjërat e dyshimta, mendon mirë për Allahun, atëherë ai është meritorë që ti pranohet lutja.

Disa nga pengesat e pranimit të duasë, shumë qartë janë përmendur në një hadith që Ebu Hurejre e transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ka thënë: “O ju njerëz, Allahu është i mirë dhe e pranon vetëm të mirën. Allahu ua urdhëroi besimtarëve atë që ua urdhëroi pejgamberëve, duke u thënë: “O pejgamberë! Hani nga të mirat dhe punoni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!” (el Muminun, 51) Po ashtu ka thënë: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që jua kemi dhuruar.” (Bekare, 172) Pastaj e përmendi njeriun, i cili është në udhëtim të gjatë, me flokë të shprishur e i pluhurosur, i ngre duart nga qielli: “O Zot! O Zot!” Mirëpo, ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, veshjen e ka haram, është ushqyer (është rritur) me haram, e prej nga t’i përgjigjet atij?!”4

Nga e gjithë kjo kuptojmë se nëse robi njeh Krijuesin e tij, e kupton se robit nuk i takon asgjë tjetër vetëm që ta bëj lutjen duke i marrë shkaqet që ia hapin të njëjtën rrugën drejtë pranimit, e pas saj çdo gjë e lë në dorë të Allahut. E nëse është kështu, Allahu për të cakton më të mirën, atë që do i bën dobi në dynja dhe në Ahiret, edhe pse mendja e njeriut ndonjëherë nuk mund ta perceptojë.

Lus Allahun e Madhëruar të na bën neve nga ata që janë të sinqertë në lutjet e tyre, nga ata që i luten Allahut me përulje dhe nënshtrim, pasi që të njëjtit plotësuan kushtet dhe larguan pengesat e pranimit të duasë.

Përgatiti: Senad Ramadani / rizgjimi.com /

  1.  Buhariu: 7494 ↩︎
  2. Ahmedi ↩︎
  3. Ahmedi, Tirmidhiu ↩︎
  4.  Muslimi: 2346 ↩︎

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit