5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Koment – Kimike ose jo, Siria është duke vdekur

Më të lexuarat

Siria po vdes “teksa bota është duke e shikuar”. Me armët kimike dhe konvencionale të përdorura nga regjimi i Esadit po vdesin jo vetëm gratë dhe fëmijët sirianë, por edhe njerëzimi ynë…

Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, gjatë një fjalimi në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington më 4 dhjetor 2012, ka thënë: “Unë dua të bëj absolutisht të qartë për Esadin dhe ata nën komandën e tij se bota është duke ju shikuar.” Ky ishte një paralajmërim kundër përdorimit të mundshëm të armëve kimike nga ana e regjimit të Esadit. Sulmi erdhi më datë 21 gusht 2013 në Guta, pranë Damaskut, duke vrarë të paktën 1 mijë e 500 persona, mes të cilëve shumë gra dhe fëmijë. Pesë vjet më vonë, Esadi ka vrarë shumë më tepër njerëz se çdo kriminel tjetër në historinë e kohëve të fundit. Ai e ka bërë atë me armë kimike dhe konvencionale “teksa bota ishte duke e shikuar”.

Sulmi kimik i 4 prillit 2017 në Han Shejhun ishte vetëm episodi i fundit i politikave të gjenocidit të regjimit të Esadit. Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk po i numëron më të vdekurit në Siri me arsyetimin se shifrat janë të paverifikueshme. E vërteta është se OKB-ja, sikurse pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar dhe e kombeve më të fuqishme në botë, ka regjistruar dështime të njëpasnjëshme në ndalimin e luftës më të përgjakshme të shekullit XXI.

Një raport i publikuar më 22 shkurt 2017 nga Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (Amnesty International) vë në pah se “konflikti sirian kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 300 mijë njerëzve deri në fund të vitit 2016”. Por bilanci i sotëm është shumë më i lartë, ndoshta mbi 600 mijë të vrarë nga forcat e regjimit të Esadit dhe milicia nën komandën e tij. Regjimin sirian nuk e kanë detyruar dot që të mos përdorë armë kimike dhe konvencionale kundër popullit të vet as proceset e Gjenevës dhe Astanës. Duke parë botën të qëndrojë “spektatore” ndaj kërdisë së tij dhe të pranojë skenarin kinse po lufton kundër DAESH-it, regjimi ka të ngjarë të vazhdojë rrugën e tij aktuale të barbarizmit.

Ata që u mbijetuan sulmeve kimike, bombave fuçi dhe predhave të mortajave, janë bërë miliona refugjatë dhe të zhvendosur brenda vendit. I njëjti raport i “Amnesty International” shpalos se “rreth 4,8 milionë njerëz u larguan nga Siria në periudhën nga viti 2011 deri në fund të 2016-s duke përfshirë këtu edhe 200 mijë sirianë, që u bënë refugjatë gjatë vitit 2016, sipas UNHCR-së, agjencia e OKB-së për refugjatët. Në të njëjtin hark kohor gjashtëvjeçar, afro 6,6 milionë persona janë zhvendosur brenda Sirisë, gjysma e tyre fëmijë, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare”. Kjo është gati sa gjysma e popullsisë siriane në total. Për më tepër, mijëra sirianë kanë vdekur në ujërat e ftohta të deteve Egje dhe Mesdhe. Sipas UNICEF-it, më shumë se 8 milionë fëmijë sirianë kanë nevojë të menjëhershme për ndihmë, përfshi këtu dhe mbi 2 milionë fëmijë refugjatë.

Përgjigja amerikane për sulmin kimik në Han Shejhun ishte një hap në drejtimin e duhur dhe një paralajmërim me vepra, jo vetëm me fjalë. Megjithatë, duke pasur parasysh poshtërsinë e vrasjeve të vazhdueshme me armë konvencionale dhe përmasën në rritje të krizës humanitare, kjo nuk është e mjaftueshme për të ndalur luftën apo për të siguruar mbrojtje për popullin sirian. Ndoshta me të vërtetë që regjimi i Esadit nuk do të guxojë sërish të përdorë armë kimike pas përgjigjes amerikane; mirëpo përqendrimi mbi përdorimin e armëve kimike është një bekim i fshehtë për regjimin, i cili do ta kuptojë këtë sikur mund të vazhdojë të bëjë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me armë konvencionale, sepse bota vepron vetëm kur ai përdor armë kimike.

Kjo sagë humanitare pa precedent ka shkaktuar humbje/dëme të mëdha mbi politikën dhe sigurinë. Asnjë konflikt tjetër në historinë e kohëve të fundit s’ka krijuar kaq shumë paqëndrueshmëri sa Siria. Kushdo, që mendon se kriza siriane nuk do t’i kalojë kufijtë e Sirisë apo të fqinjëve të saj të afërt, është plotësisht i gabuar. Ajo është një luftë, e cila helmon politikën rajonale dhe i bën gropën balancës globale të pushtetit. Gjithashtu ajo është lufta më e madhe me prokurë në kujtesën tonë të kohëve të fundit. Ajo u mundëson aktorëve joshtetërorë të krijojnë feude të rrjeteve luftarake duke dobësuar më tej shtetet tashmë të dobëta dhe të dështuara. Ajo thellon tensionet sektare nga Iraku në Liban dhe më gjerë. Ajo vazhdon t’i hedhë benzinë krizës së refugjatëve në shkallë globale duke shkaktuar në të njëjtën kohë rritjen e valës së ksenofobisë dhe racizmit në Evropë. Ajo mbetet një terren ushqyes për ekstremistët e dhunshëm dhe terroristët e tillë si Al-Kaida dhe DAESH-i. Le të kujtojmë gjithashtu se nuk kishte DAESH në Siri deri vetëm 3 vite më parë. Ishin pikërisht lufta siriane dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në Irak ato, të cilat i kanë dhënë një çek të bardhë DAESH-it për t’u transformuar në përbindëshin, që ai është sot.

Për më tepër, lufta siriane minon edhe pretendimin e sistemit modern botëror për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut. Ajo ndërpret diskursin e demokracisë, lirisë dhe pluralizmit karshi popullit sirian dhe vëllezërve e motrave të tyre në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në botën e madhe myslimane. Ajo krijoi tensione mes dy aleatëve të NATO-s si Turqia dhe SHBA-ja për shkak të politikës së administratës Obama për të mbështetur Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD) dhe Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), fraksione siriane të PKK-së. Kjo listë e problemeve rajonale dhe gjeopolitike, të cilat janë shkaktuar nga lufta në Siri, vazhdon edhe më gjatë.

Me të vërtetë që nuk ka një zgjidhje të lehtë në Siri, të paktën në fazën aktuale. Përkrahësit e regjimit nuk do të heqin dorë nga mbështetja e tyre vetëm pse SHBA-ja bombardoi një bazë ajrore të regjimit. As Esadi nuk do të marrë në konsideratë thirrjet, si ajo befasuese e liderit shiit irakian, Muqtada al-Sadr, javën e kaluar, që ai të japë dorëheqjen. Pasi, sipas llogarive të tij, Esadi është duke e fituar luftën jo vetëm për arsyen se gëzon mbështetjen e Rusisë, Iranit dhe Hizbullahut, por edhe sepse ai sheh kundër tij një koalicion ndërkombëtar të pavendosur dhe të dobët. Mbi të gjitha, ai mund të përdorë DAESH-in si një mjet për të paraqitur veten si e keqja më e vogël.

Propozimi i Turqisë për të krijuar zona të sigurta për sirianët brenda Siri mund të kishte shpëtuar mijëra jetë dhe penguar sulmet kimike gjatë 3 viteve të fundit, por ajo ka rënë në vesh të shurdhër në të dyja brigjet e Atlantikut. Rrjedhimisht, Turqia strehon aktualisht rreth 3 milionë refugjatë dhe vazhdon të ofrojë ndihmë humanitare për dhjetëra-mijëra njerëz në Siri.

Nuk ka absolutisht asnjë dyshim se DAESH-i është një organizatë terroriste, e cila duhet luftuar dhe shkatërruar. Ky përbindësh ka shkaktuar tashmë më shumë dhimbje e terror sesa është dashur të lejohej. Por të bësh një sy qorr ndaj një përbindëshi tjetër të luftës siriane, domethënë ndaj regjimit të Esadit dhe mizorive të tij, kjo është një katastrofë politike dhe skandal moral. Në takimin e vendeve të G7-s në Itali, më 10 prill, është shfaqur një qasje e përbashkët për të bindur me doemos Rusinë që të ndryshojë qasjen e saj në lidhje me konfliktin sirian dhe të mos ofrojë më mbështetje për regjimin e Esadit.

Siria po vdes “teksa bota është duke e shikuar”. Me armët kimike dhe konvencionale të përdorura nga regjimi i Esadit po vdesin jo vetëm gratë dhe fëmijët sirianë, por edhe njerëzimi ynë.

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit