3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Klonimi

Më të lexuarat

Ideja e klonimit zë fill qysh në vitin 1938, por për herë të parë fjala ‘klon’ u përdor më 1963, dhe nga pikëpamja etimologjike vjen nga greqishtja, që fjalë për fjalë do të thotë “mbirje”.

Klonimi në biologji është i definuar si prodhim i dyfishimit identik gjenetik të një organizmi dhe në botën shkencore teknologjike si prodhim artificial i organizmave me material të njëjtë gjenetik. Me fjalë të tjera, klonimi është shumëzim gjenetik.

Klonimi është proces i kreacionit të organizmit të ri duke kopjuar informacionin gjenetik nga organizmi i njërit prind. Në kohën e sotme më së shpeshti përdoret termi nuclear transfer (transmetim i bërthamës) për t’u përshkruar teknika e klonimit. Në këtë proces bërthama (nucleus) e qelizës vezë (e cila përmban gjysmën e kromozomeve për individin e ri) mënjanohet dhe zëvendësohet me bërthamën e qelizës donatore (plotëson kompletin e kromozomeve).

Për realizimin e klonimit nevojiten dy qeliza, njëra prej të cilave detyrimisht duhet të jetë qelizë vezë e pafekonduar, kurse tjetra qelizë trupore ose somatike. Qelizës vezë i hiqet bërthama në të cilën gjendet ADN-ja e që përmban informacionin gjenetik duke e përjashtuar kështu mundësinë e transferimit të këtij informacioni tek organizmi që do të lindë nga klonimi. Qeliza tjetër donatore, që merret nga individi që dëshirojmë të klonohet, preferohet të jetë e padiferencuar.
Prej qelizës donatore, nëpërmjet teknikave mjaft delikate merret bërthama, e cila vendoset tek qeliza femërore vezë, së cilës paraprakisht i është hequr bërthama. Kjo qelizë e përfituar është një shartesë midis qelizës vezë dhe qelizës trupore. Ajo vendoset në terren ushqyes dhe pritet që të fillojnë fazat e para të zhvillimit embrional. Në një stad të caktuar të këtij zhvillimi, embrioni vendoset në mitrën e një femre, që tashmë shërben si inkubator biologjik për zhvillimin e krijesës së re deri në lindjen e saj. Kjo krijesë, është gjenetikisht e njëjtë me individin nga është marrë bërthama e qelizës somatike, pra një klon i tij.

Klonimi ka qenë gjithashtu si propozim, si zgjedhje, për të pasur fëmijë nëse prindërit bëhen sterilë. Kjo mund të krijojë probleme etike pasi që kloni i burrit nga prejardhja mund të jetë vëllai i tij apo motra e gruas.
Individi i klonuar, gjenetikisht gëzon karakteristikat vetëm të individit që ka dhuruar qelizën somatike, pra është kopje identike e tij.

Aplikimi i teknikave të klonimit në bujqësi dhe blegtori mund të jetë çelës për rritjen e prodhimit ushqimor në tërë botën. Islami nuk kundërshton manipulimin me gjene në botën bimore dhe shtazore derisa nuk lëndohet njeriu.

Dolli, delja e parë e klonuar nga Ian Wilmut i Institutit Roslin në Skoci, është e para kafshë e butë e klonuar nga një qelizë e pjekur në vitin 1996. Ajo u klonua nga një qelizë gjoksi e një deleje 6-vjeçare. Në fillim, Dolli pati një lindje normale dhe një zhvillim normal por në moshën 6-vjeçare, Dollit i filluan problemet shëndetësore, vuante nga kanceri dhe kjo u bë shkak për ngordhjen e saj. Kjo nuk ishte normale pasi një dele jeton 11-12 vjet.

Macja e parë e klonuar në botë, e quajtur “CC”, lindi në Teksas më 22 dhjetor 2001. Shkencëtarët guxuan të provonin klonimin te njerëzit por dhjetë herë ata dështuan në përpjekjet e tyre. Një kompani e formuar prej gazetarit francez Claude Vorilhon shpalli lindjen e klonit të njeriut më 26 dhjetor të vitit 2002, Evës-një vajze me peshë 3.128 kg. Foshnja e parë mashkull e klonuar është binjaku i vonuar i një fëmije të vdekur i cili erdhi në jetë në janar të vitit 2003, shumë pak kohë pas lindjes së Evës.
Brigitte Boisselier, shefja ekzekutive e kompanisë “Klonaid” tha se Eva është krijuar duke përdorur DNA të marrë nga qelizat e lëkurës së nënës së saj dhe është një binjake gjenetike e saj, një qytetare amerikane 31- vjeçare.

Teknika e bartjes së gjeneve bart me vete edhe riskun e rreziqeve katastrofike për njerëzimin. “Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj…”(Kur’an, 7:56).

Ndjenja e dashurisë dhe admirimit të tepruar për vetveten në kohën tonë përkon me dëshirën për klonin e vet. Qenia njerëzore nuk është thjesht qenie biologjike, por produkt i rrethanave sociale në të cilat jeton, të cilat nuk programohen gjenetikisht. Një klon nuk mund të jetë identik me paraardhësin e tij pasi përvojat sociale, kushtet historike dhe mjedisi rrethues nuk janë identike. Ata nuk shpalosin të njëjtin personalitet, pasi janë identikë në planin biologjik, por jo në atë social. Një njeri i klonuar do të jetë pa identitet të mirëfilltë, nuk do të gjejë kurrë vend në këtë botë.
Kloni konsiderohet si një koloni alienësh pa identitet. Çfarë mund të jetë një njeri pa ekzistencën e unit? Tek një klon, uni është i thërrmuar. Zoti i Madhërishëm thotë: “… do t’i urdhërojë (djalli) dhe ata do t’i shëmtojnë krijesat e Allahut. E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Kur’ani, 4:119)Mësimet islame nxorrën përkufizimin për krijimin nga hiçi në bazë të tri foljeve themelore të cilat i gjetën në tekstin e shenjtë të Shpalljes dhe atë halaka (krijimi nga hiçi), bara’a (formësimi pa mostër) dhe savvara (formësimi i tashëm të krijuarës)
Në Kur’anin fisnik lexojmë: “Për All-llahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajke – baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është All-llahu, më i miri Krijues!” (El Muminunë, 12-14)
All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik gjithashtu thotë: “Kjo është vepër e krijimit të All-llahut, e më tregoni pra mua se ç’krijuan ata të tjerët pos Tij. Jo, asgjë, pra, idhujtarët janë në një humbje të pafund.” (Llukman: 11) Klonimi i kafshëve dhe bimëve është i lejuar vetëm nëse sjell dobi të vërtetë për tërë njerëzit por me kusht që dëmi të mos jetë më i madh se dobia.
Ndërsa, klonimi i njeriut është i ndaluar për shumë shkaqe:
Klonimi është kontradiktor i vetë aktit të krijimit. All-llahu i Madhërishëm e ka krijuar Universin në bazë të vet aktit të krijimit, ndërsa klonimi njerëzor është i bazuar në dyfishimet e cilësive të njëjta të prototipit të organizmit njerëzor. Kjo shkakton çrregullim të madh për format e shumta që ne nuk jemi të vetëdijshëm, p.sh.: nëse nxënësi në klasë, në të cilën të gjithë nxënësit janë të klonuar, bën diç të parregullt si do ta identifikonte mësuesi atë kur e tërë klasa ka të njëjtat cilësi dhe vija të fytyrës!
Klonimi do të jetë në kondradiktë me aktin e krijimit të qenieve në çift siç thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik: “Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit).” (Edh-Dharijatë, 49)
Është e njohur që njeriu nuk mund të jetoj vetëm bile edhe në Xhennet.
All-llahu i Madhërishëm e krijoi Havën për Ademin a.s. për të jetuar me të në Xhennet duke e bërë burim të dashurisë së ndërsjellë dhe bashkëjetesës së përbashkët.
Rikujtojmë ajetin e Kur’anit famëmadh: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Er Rrum, 21)

Po ashtu, përdorimi i klonimit për të shëruar sterilitetin është haram, ngase edhe steriliteti është një prej begative të Zotit xh.sh., ku për këtë Allahu xh.sh. në Kur’an qartë thotë: “…por atë që do e lë pa fëmijë (steril)…” (42: 50)Disa nga dijetarët dhe fukahatë islamë janë të mendimit se studimi rreth klonimit në sheriat nuk është i ndaluar, por kur ndodh që përdorimi i klonimit sjell dëm dhe probleme serioze në shoqëri konsiderohet si i ndaluar-haram.

Si përfundim mund të përmendim dy gjëra shumë me rëndësi rreth klonimit të njeriut:
1. Klonimi i njeriut nuk është ashtu siç e mendojnë disa nga njerëzit se klonimi është krijim i jetës, por edhe ky proces është i varur krejtësisht nga ajo që ka krijuar Allahu xh.sh. ngase edhe klonimi varet krejtësisht nga fara dhe disa elemente kryesore që merr nga vet njeriu dhe se të gjitha këto veprime nuk mund të jenë jashtë ligjeve dhe rregullave që i ka krijuar Allahu xh.sh.
2. Ideja e klonimit njeriut i bën me dije që kurrsesi nuk mund ta mohojë ringjalljen pasi mund të lind pyetja: kur njeriu ka mundësi të bëjë klonimin e njeriut atëherë si mund të dyshojë në ringjalljen që do ta bëjë Krijuesi i Lartësuar-Allahu xh.sh. Kjo është një argument që nuk i lë njeriut hapësirë për dyshim dhe doemos do ta pranojë fjalën e Allahut xh.sh.: “Dhe Ai është i Cili e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të (sipas mendimit tuaj)…”. (Rrum: 27)

Përgatiti: Fexhrie Kaçiu/pertymoter.net/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit