Nga Nada Dosti
Disa nga hoxhallarët që unë ndjek herë pas here në rrjetet sociale, përveç mesazheve dhe citateve me fryme fetare që postojnë, angazhohen me raste edhe me probleme sociale të ndryshme që prekin muslimanët apo shoqërinë tonë në përgjithësi, por rrallëherë shoh që ata të përmendin rastet kur shkelen të drejtat e femrave muslimane me shami.
Madje, ka prej atyre që nëpër blogje dhe portale shkruajnë dhe japin opinione për fenomene të ndryshme që i shqetësojnë, në rastin më të keq merren vetëm me dabate, por jo për kauzën e femrës muslimane.
Në fund të vitit 2010, kur u hap debati për të famshmin projektligj të shfaqjes së simboleve fetare në institutet arsimore, në një listë artikujsh që kam përpiluar, me prenoncime dhe opinione të ndryshme pro ose kundër nga sociologë, arsimtarë, opinionistë dhe analistë të ndryshëm, nuk gjeta as edhe një hoxhë që të kishte reaguar për debatin në fjalë.
Sigurisht, ka edhe përjashtime kur drejtues fetarë janë angazhuar në mbrojtje të çështjeve që prekin femrat muslimane, por janë shumë pak, dhe zëri i tyre është shumë i dobët e ka nevojë për mbështetje dhe përkrahje.
Flas për rastin e muslimanës me mbulesë nga Tirana, e cila u dhunua në mes të kryeqytetit. Për këtë rast pati mungesë reagimi nga hoxhallarët, me përjashtim të myftiut të shkodrës, i cili e dënoi sulmin me anë të një publikimi në rrjetet sociale.
Siguria e femrave në një shoqëri të caktuar është një faktor i rëndësishëm në nivelin e paqes dhe sigurisë kombëtare. Kur të drejtat e femrave janë të përcaktuara dhe të mbrojtura, një komb ka më pak gjasa të përjetojë ndonjë konflikt (të brendshëm ose të jashtëm, luftë apo trazira të tjera).
Mendoj se hoxhallarët duhet të prenoncohen pro mbrojtjes së femrës muslimane duke dënuar çdo akt dhune ndaj saj, njësoj siç prenoncohen per akte “terroriste” brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu duhet të dënojnë çdo dhunë ndaj femrës qoftë brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë. të dënojnë diskriminimin që u bëhet femrave muslimane në çdo aspekt në shoqërinë shqiptare.
Si njerëz të dijes, ata e kanë për detyrë të luftojnë shumë mendësi të ngushta dhe prapambetje mbështetura në tradita të disa prej vendeve arabe, apo me shumicë muslimane, duke theksuar dallimin midis asaj çfarë është pjesë e fesë dhe asaj çfarë është pjesë e traditës.
Duhet të dalin kundër narrativave të shpikura mbi çështjen e pjesmarrjes së femrës në politikë apo në rolin e lidershipit duke nënvizuar raste të një pjesmarrje të tillë të femrave të ndryshme gjatë historisë islame (duke përfshirë këtu edhe Hatixhen, Aishen dhe Ummu Uarakanë- Zoti qoftë i kënaqur prej tyre.)
Gjithashtu, hoxhallarët duhet t’i kushtojne rëndësi edhe edukimit apo mësimit të meshkujve muslimanë gjatë ligjëratave të tyre, përfshi këtu ditën e xhuma, se ata duhet t’i përkrahin femrat në çdo aspekt të jetës; në karrierë, arsimim, përkujdesje ndaj fëmijëve dhe shtëpisë, etj.