Neo-otomanizmi si mendim, si rrymë, si frymë, por edhe si shqetësim ngre krye herë pas here në shtypin e shkruar, interpretuar kryesisht nga historianë apo analistë. Pse mendoni se ka një herë zhurmë e një herë heshtje rreth kësaj “shfaqjeje”?
Kam përshtypjen se “neo-otomanizmi” nuk përfaqëson as rrymë, as frymë apo shqetësim që ka lidhje me mjedisin shqiptar. Shoqëria e sotme shqiptare e marrë në tërësinë e saj, jo vetëm që ka një vetëdije të qartë për identitetin e saj të veçantë, por dhe një orientim të saktë në rrugën e zhvillimit, përparimit dhe qytetërimit perëndimor. Këtë fakt sot e vëren çdo njeri normal dhe mendjekthjellët, ndaj dhe alarmi që ngrihet ndonjë herë në shtyp për këtë çështje shuhet shumë shpejt, nga që opinioni i gjerë publik nuk e merr seriozisht një argument të tillë. Megjithatë, shqetësuese në këtë mes është prirja e ndonjë kalemxhiu grindavec, i cili duke dashur t’i përcjellë opinionit ankthin dhe tensionet e tij të brendshme, shfrytëzon rastin për të sajuar “neo-otomanizmin” si etiketë të preferuar për t’ia ngjitur cilitdo që sot, në suazat e rishikimit të përgjithshëm të historisë si një proces normal e i natyrshëm, kërkon thellimin dhe zgjerimin e njohjes mbi baza shkencore të periudhës osmane të historisë shqiptare.
A ekziston një përpjekje, e dirigjuar ose jo, për rikthimin e hapësirës shqiptare në Ballkan në një farë ‘perandorie të rilindur osmane’, apo është veç një gogol? Duke mos harruar sigurisht se Davutogllu, një teoricien i rikthimit të neo-otomanizmit, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Turqisë, e ka pranuar publikisht në Bosnjë këtë ekzigjencë turke.
Çdo përpjekje për të rikrijuar apo për të ringjallur realitete të së shkuarës në kushtet e sotme do të ishte, më së paku, një utopi. Personalisht mendoj se Turqia ndjek një politikë të pjekur, të arsyeshme dhe realiste, gjë që më shtyn të besoj se utopi si kjo e mësipërmja nuk gjejnë vend në politikën e shtetit turk. Përtej kësaj, populli shqiptar dhe ai turk kanë një traditë të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi, e cila jo vetëm nuk mund të lëkundet nga ndonjë keqkuptim i momentit, por, për fat të mirë, sa vjen e forcohet, falë përpjekjeve dhe kontributeve të dyanshme. Nga ana tjetër, nuk mund ta mohoj që qarqe të caktuara politike në vendet fqinje rrotull nesh të jenë të interesuara që areali shqiptar të tregohet sot me gisht si ishull osman apo si copëz e një perandorie të rilindur osmane, me synimin e njohur që ta dëmtojnë imazhin e shqiptarëve në sytë e botës së qytetëruar. Por unë kam bindje të plotë se shqiptarët janë në gjendje të demonstrojnë në çdo rast (sikundër dhe po ndodh në të vërtetë) se ata janë vetvetja dhe askush tjetër.
A ekzistojnë predispozitat politike, sociale e kulturore që hapësira shqiptare në Ballkan “t’i rikthehet” neo-otomanizmit?
Personalisht mendoj se jo. Çdo vëzhgues i realiteteve social-politike dhe kulturore të pranishme në Ballkan, nuk e ka të vështirë të konstatojë se shqiptarët, në shumicën e tyre dërrmuese, janë përfshirë në mënyrë aktive brenda rrymës së madhe të zhvillimit e të modernizimit. Ky proces është rezultante e veprimit të fuqishëm të një sërë faktorësh, siç janë klasa politike, media audiovizive dhe ajo e shkruar, shkolla, rrethet intelektuale etj. Ka individë që mendojnë gabimisht (në rastin më të keq edhe spekulojnë) se përkatësia fetare islame e shumicës së shqiptarëve krijon një rrethanë negative kur është fjala për raportet e tyre me të renë, me zhvillimin, progresin dhe qytetërimin bashkëkohor. Pa dashur të zgjatem në trajtimin e këtij argumenti, leksionet fillestare që mund të merren nga historia e shqiptarëve tregojnë qartë se përgjithësisht këta të fundit, qoftë Krishterimin, qoftë Islamin, i kanë pranuar dhe ushtruar pa fanatizëm, duke marrë nga cilido prej besimeve mesazhet e paqes, mëshirës, mirëkuptimit dhe tolerancës. Në këtë mënyrë edhe shqiptarët e përkatësisë islame kurrë nuk e kanë parë apo konceptuar besimin e tyre si diçka të kundërvënë ndaj rrjedhave zhvillimore, ndaj dhe duke e respektuar besimin e tyre kanë ecur dhe po ecin përpara në një hap me bashkëkombësit e tyre të krishterë. Ne nuk mund të mos përmendim me këtë rast se edhe gjatë shekujve të sundimit osman shqiptarët nuk i prenë asnjëherë lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore me Europën Perëndimore. Gjithçka u përmend këtu shkurt, flet qartë pse shqiptarët e sotëm kombëtarisht janë përcaktuar për një kurs të vetëm: atë të integrimit euro-atlantik. Europa e Bashkuar dhe jo “neo-otomanizmi”, apo çdo “izëm” tjetër i këtij lloji, është adresa e tyre e vetme për sot dhe për nesër.
Përplasje më e zëshme për oksidentalen dhe orientalen te shqiptarët ka qenë ajo mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes. Duhet ta keni ndjekur këtë debat dhe do doja të dija mendimin tuaj, jo vetëm për debatin, por edhe për temën e tij.
Unë e kam ndjekur me vëmendje asokohe debatin për të cilin ju flisni. Polemikat e zhvilluara kanë pasur elemente interesante, jo pse thjesht protagonistët janë dy figura të shquara të kulturës e të mendimit tonë kombëtar, por edhe pse argumentet e debatuara, analizat dhe interpretimet në lidhje me to, ngjallnin kërshëri dhe provokonin diskutime. Me që ju kërkoni të dini mendimin tim në lidhje me këto çështje, më lejoni që më parë të theksoj se as atëherë dhe as tani nuk dëshiroj që pikëpamja ime për këto çështje të ketë ngjyrime partizane. Thjesht dua të theksoj se kur flitet për identitetin kombëtar të një populli, në rastin konkret, atë të shqiptarëve, është e pamundur që atë ta vështrosh të shkëputur nga historia e këtij populli, madje nuk e teprojmë po të themi se, në fund të fundit, identiteti ynë kombëtar, tiparet tona identitare që na dallojnë si popull e si komb i veçantë, janë produkt i historisë sonë shumëshekullore. Në këtë kuptim, të gjitha periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar ky popull kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në kulturën dhe identitetin e tij. Rrjedhimisht edhe periudha osmane ka një rol të padiskutueshëm në këtë drejtim. Me fjalë të tjera, do të ishte gabim elementar sikur ne të mohonim praninë e komponentes osmane ose orientale (nuk ka rëndësi se si e quajmë) në karakteristikat identitare të shqiptarëve. Këtu nuk kam parasysh vetëm kalimin në Islam të shumicës së tyre, proces i cili, sikundër kemi theksuar në studimet tona, lidhet me periudhën osmane, por edhe ndikimet orientale në mënyrën e jetesës, në urbanistikë dhe arkitekturë, në kulinari, në letërsi dhe në arte etj. Mos harrojmë se edhe sot e kësaj dite ruhet një fond i konsiderueshëm fjalësh dhe shprehjesh të huazuara nga turqishtja, të cilat janë pjesë përbërëse e leksikut të shqipes. Megjithatë, është po aq e vërtetë se, sado të rëndësishme të kenë qenë ndikimet e periudhës osmane në identitetin shqiptar, ato nuk kanë mundur ta dominojnë e, aq më pak, ta tjetërsojnë këtë identitet. Komponentja osmane u përthith, u shkri dhe u modelua brenda traditës identitare të shqiptarëve. Për ta ilustruar këtë, mjafton të përmendim faktin se konvertimi fetar, d.m.th. kalimi në Islam i shumicës së popullsisë, nuk u shoqërua me konvertim etnik. Popullsia muslimane e ruajti të pandryshuar përkatësinë etnike shqiptare, gjuhën shqipe dhe traditat e saj kulturore, njësoj si bashkëvendësit e vet të krishterë.
Dihen përpjekjet e vendeve të mëdha për të përhapur kulturën e tyre dhe për të zgjeruar sferën e influencës. Amerikanët, gjermanët, francezët, britanikët e bëjnë këtë në shumicën e vendeve të botës. Në rrafsh ballkanik mundohen edhe grekët. Pse ka njëfarë padurimi ndaj përpjekjeve turke për të zgjeruar sferën e tyre të influencës? A nuk është normale që edhe ata të lobojnë për përhapjen e kulturës së tyre? A është ky kundërshtim i sinqertë apo janë konjuktura politike?
Më duket shumë e drejtë mënyra sesi ju e shtroni pyetjen. Qarkullimi i kulturave në botën e sotme fiton një rëndësi dhe intensitet të veçantë. Ndaj dhe shtetet e ndryshme e shohin me të drejtë si një obligim të pashmangshëm kontributin që duhet të japin në këtë proces. Brenda kësaj optike, edhe Turqia është në të drejtën e saj që të përpiqet të bëjë të njohur kulturën turke nëpër botë. Unë nuk jam i prirur që ta shoh këtë si orvatje për “sfera influence”, nga që nuk dua të marr edhe rolin e një gjeopoliticieni në vlerësimin e këtyre dukurive. Sidoqoftë, unë mirëkuptoj plotësisht edhe interesimin e shtetit turk për të ruajtur dhe mirëmbajtur trashëgiminë osmane si brenda territorit të vet, ashtu edhe në vende të tjera të gadishullit ballkanik ku ekzistojnë gjurmë dhe monumente të kësaj trashëgimie. Nëse kjo përbën një detyrim për të gjitha vendet ballkanike që posedojnë monumente të tilla, për Turqinë një detyrim i tillë është shumë më i madh, po të kemi parasysh se historia e Perandorisë Osmane është pjesë integrale e historisë së popullit turk dhe se vetë Turqia e sotme është pasardhëse e drejtpërdrejtë e shtetit osman. Pa dyshim që e kaluara e përbashkët osmane përbën një bazë të fortë për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Turqisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit. Përpjekjet e shteteve të ndryshme për të zgjeruar e thelluar njohjen e kulturave të vendeve të tyre nëpër botë, ne shqiptarëve nuk duhet të na “trembin”, sepse, sikurse e dimë edhe nga historia, kultura jonë ka qenë e aftë të komunikojë me kultura të tjera sado të fuqishme kanë qenë ato. Nga ky proces komunikimi, marrjeje e dhënieje, ajo ia ka dalë jo vetëm të mbijetojë, por edhe të fuqizohet e të përsoset gjithnjë e më shumë. Kësisoj, zhvillimet e lartpërmendura duhet të na nxisin për të zhvilluar e përhapur sa më shumë vlerat tona kulturore nëpër botë, me qëllim në kohën e globalizmit dhe të integrimeve gjithfarëshe, shqiptarët të jenë kontribues dinjitozë në zhvillimet kulturore me karakter rajonal, europian dhe botëror.
A mos ekziston frika se turqit bashkë me kulturën do të sjellin edhe fenë? A mos vazhdon, si në kohën e Skënderbeut, lufta mes kryqit e gjysmëhënës? A është pra ky një dyluftim fetar?
Do të ishte gabim foshnjor të flasim në shek. e 21-të sikur jemi në shek. e 15-të.
A e shihni neo-otomanizmim si të përfaqësueshëm nga ndonjë prej partive politike në Shqipëri? Te cili formacion politik shihni ndonjë qasje ndaj neo-otomanes?
Nuk vërej asnjë formacion politik në hapësirën shqiptare që të bartë apo të përfaqësojë “neo-otomanizëm”.
Alfred Lela
mapo.al