Ditari i ministrit palestinez Abu Saif: Kam humbur në këtë luftë 130 familjarë
Nga Francesca Mannocchi, La Stampa
Lexoni librin “Ditari i një gjenocidi”. Pasi mëson mbi 60 ditët e kaluara nën bombardime izraelite të Atef Abu Saifit në Gaza, është e pamundur të thuash:Unë nuk e dija! Shkrimtari dhe gazetari i njohur palestinez, njëherazi Ministri i Kulturës i Autoritetit Kombëtar Palestinez, ishte më 7 tetor 2023 në Gaza, i ftuar në një ngjarje kulturore në Kan Junis.
Mendonte se do të ishte një udhëtim i zakonshëm, siç e kishte bërë shumë herë nga Ramallahu, ku edhe jeton. Me vete kishte marrë edhe të birin, që do të shkonte të vizitonte të afërmit. Por në vend të një udhëtimi të qetë, e gjeti veten në qendër të luftës për 85 ditë. Në këtë libër, ai përshkruan dy muajt e parë nën bombardimet e pareshtura të ushtrisë izraelite.
Familje të shkatërruara, turma të mëdha njerëzish në radhë për një kore bukë, të afërm që endeshin nëpër rrugët e shkatërruara të Gazës, duke këlthitur të tmerruar emrat e familjarëve të tyre të zhdukur. Dhe trupat e gjetur. Si ajo e mbesës së tij, Uisam, e cila sapo kishte mbaruar shkollën e artit. U gjet me të dyja këmbët e këputura dhe pa njërën dorë.
Keni humbur pjesën më të madhe të familjes në këtë luftë. Tani jeni kthyer në Ramallah. Si mund të jetojë disi njeriu në këto kushte?
Unë e kaloj ditën duke lexuar lajmet. Dy vëllezërit e mi më të vegjël dhe dy motrat, ndodhen ende në kampin e refugjatëve në Xhabalia. Vazhdoj t’i telefonoj herë pas here, vetëm që të sigurohem që janë gjallë dhe jo nën tokë. Pastaj e mbyll telefonin, trupi nis më të dridhet.
Një pjesë e imja mbeti aty, dhe më kanë mbetur ende zakonet e luftës. Vazhdoj të fle i veshur, përtokë në dysheme dhe përgjatë korridorit.
Nuk e di nëse është një zakon apo një mënyrë të menduari për të tjerët, sepse kur fle në dysheme, imagjinoj sikur fle me dy milionë banorë që janë ende në Gaza. Dëgjoj britmat e fëmijëve, rënkimet e grave që kërkojnë fëmijët e tyre. E megjithatë, sa herë që flas me motrën që nuk gjen ushqim për të ushqyer pesë vajzat e saj, apo mendoj për babain tim që vdiq nga mungesa e ushqimit dhe ilaçeve, edhe unë ndihem disi i vdekur.
Lufta ofron edhe mësime. Diçka të cilën ata që jetojnë në kohë paqeje s’kanë nevojë ta mësojnë:”Kur nisin bombardimet, zhvendosuni në qendër të ndërtesës apo poshtë një shkalle… Janë pjesët më të fortifikuara të saj”. Ose ”Mos qëndroni bashkë. Flini në vende të ndryshme. Kështu, nëse vritet një pjesë e familjes, të paktën mbijeton pjesa tjetër”. Ç’do të thotë të jesh një baba, që i duhet t’ua mësojë këtë fëmijëve të tij?
Është shumë e vështirë të jesh baba me një djalë gjatë kësaj lufte të madhe. Do ta kisha më të lehtë po të isha vetëm. Por më 7 tetor isha atje me tim bir. Ai këmbënguli të vinte të takonte gjyshen. Dhe kur shpërtheu lufta, kisha dy sfida të mëdha. E para të mbijetoja dhe e dyta ta mbroja atë. Fjalia kryesore që më pushtoi mendjen ishte:Duhet ta bëj! Kaloja nga një vend në tjetrin, duke kërkuar një vend të sigurt, por çdo ditë që kalonte e kuptoja se në Gaza nuk kishte më asnjë vend të tillë.
Netanjahu ka deklaruar vazhdimisht se qëllimi është shkatërrimi i Hamasit. Megjithatë, javën e kaluar zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha: ”Ideja se është e mundur të shkatërrohet plotësisht Hamasi, është si të hedhësh rërë në sytë e publikut…”.
Shumica e njerëzve në Gaza kanë lindur gjatë luftërave, dhe po ashtu kanë vdekur gjatë luftërave. Unë vetë kam lindur në vitin 1973, dy muaj para se të shpërthente lufta e radhës, dhe e kam jetuar gjithë jetën time në luftë. Jeta jonë është vetëm një pauzë për mbijetesë. Ne lindim duke dëgjuar bombat, rritemi, nisim të flasim duke dëgjuar histori për njerëz të vrarë, shtëpi të shkatërruara, njerëz të futur në burg.
Mendoj për fëmijët e mi, për kujtimet e tyre që mbajnë njollat e errëta të luftës. Imagjinoni të jeni fëmijë dhe të dini se asgjë nuk mund t’ju mbrojë nga vdekja. As babai, as nëna dhe as shtëpia juaj. Është e natyrshme që kjo të ndikojë tek e ardhmja tuaj.
Më përshkruani një fëmijë nga Gaza?
Kur jemi fëmijë, ne flemë në shtretërit tanë, shohim qiellin dhe udhëtojmë me imagjinatë prej andej. Shohim yjet dhe ndërtojmë fjalët tona atje lart në një kupë qiellore imagjinare. Tavani është djepi i ëndrrave tona. Muajt e fundit, ajo kupë qiellore imagjinare u shemb në kokat e mbi 20 mijë fëmijëve. Kështu është të jesh fëmijë sot në Gaza.
Je i vetëdijshëm se asgjë nuk mund të të mbrojë. As babai yt, tek i cili vrapon zakonisht nëse ndihesh në rrezik. Dhe as nëna jote, për të cilën gjithmonë mendoje se ishte e vetmja grua në botë që mund të të shpëtojë nga rreziku. As shtëpia tuaj. Edhe nëse do t’i mbijetosh bombave, duhet të luftosh për të pasur një fetë bukë. Dhe këto do të jenë kujtimet që do të formojnë përgjithmonë kujtimin e fëmijërisë suaj.
Çfarë ishte Gaza për ju si fëmijë?
Unë kam lindur në një kamp refugjatësh, pasi familja ime u detyrua të largohej nga Xhafa në vitin 1948. Kam jetuar në kampin më të madh të refugjatëve palestinezë, në Xhabalia, në veri të qytetit të Gazës. U rrita duke dëgjuar historitë e të shkuarës, kujtimet e qytetit të Xhafas, dhe besoj se kjo më çoi tek e shkruara.
Historitë e nënës sime dhe dhimbjen e saj që s’mund ta shohë më shtëpinë ku lindi, e cila sot është shtëpia e hebrenjve emigrantë që ardhur atje nga Polonia. Kujtimet e tyre më edukuan të mendoj për gjithçka si të përkohshme, dhe po ashtu se asgjë nuk mund të jetë më mirë në rast se nuk punon për ta përmirësuar atë.
Në Xhabalia kishim bibliotekë, një kënd lojërash, dhe më kujtohen kanalizimet e hapura. Gjithsesi atje u rrita, lexova, studiova. U dhashë shpresë fëmijëve të mi. Dhe dua të kujtoj vendet në Gaza ku djemtë e mi thanë fjalën e tyre të parë, hodhën hapin e tyre të parë, apo vendet e viteve të tyre të para që sot nuk ekzistojnë më.
Mbyllini sytë për një moment dhe përpiquni të largoni nga mendja bombat dhe rrënojat. Çfarë ju mungon?
Më mungojnë dhjetëra miq që tashmë janë vrarë, ashtu si 130 pjesëtarë të familjes sime. Ajo që u mungon të gjithëve të brezit tim apo njerëzve që iu larguan gjenocidit, është Gaza që ne njihnim. Tani më mungon kafeneja ku ulesha dhe shkruaja romanet e mi, dyqani ku blija për 20 vite më radhë, dhe tregu i vjetër në qytetin e Gazës, ku blija perime dhe fruta.
Por edhe dyqani ‘Antika’, ku shkoja shpeshherë për të takuar një plak shumë të këndshëm, i cili më ndihmonte të gjeja disa libra të vjetër. Gaza nuk është vendi më i mirë në botë, por është më i miri që mund të kishim. Nuk ishte një parajsë, por të paktën ishte parajsa që kishim. Nganjëherë mendoj për personazhet e romaneve të mi.
Them me vete:sikur të dilnin nga librat dhe ecnin sot nëpër Gaza, ne nuk do ta dinin kurrë sesi ka qenë atje më parë. Nuk do t’i njihnin kurrë rrugët, sepse nuk ka më të tilla. Kësisoj kujtimet e tyre, kujtimet e atyre personazheve letrare, të cilat i kam shpikur unë, nuk ekzistojnë më. Dhe nuk e kuptoni dot se sa e dhimbshme është të përpiqesh të zhvendosësh mes rrënojave kujtimet e së kaluarës sonë.
Ju keni shkruar: ”Kur të vdes dua të jem zgjuar!“. Çfarë do të thotë të jesh zgjuar në momentin e vdekjes?
Do të thotë të mendosh se lufta nuk do t’i vrasë të gjithë. Që kur të mbarojë ajo, do të ulemi në rrënoja dhe do të vajtojmë të vdekurit tanë. Kam ende tim atë dhe vjehrrën diku nën rrënoja. Për këtë arsye shkrova “Dua të jem zgjuar kur të vdes!”. Është një mënyrë për të thënë:Dua që të vdes siç duhet.
S’dua që një nga krahët e mi të fluturojë diku, dhe një nga këmbët e mia të fluturojë diku tjetër nga bombat. Duam që të na respektojnë kur të vdesim. E dini, do të vijë një moment për të kujtuar të dashurit tanë, për t’i bashkuar trupat e tyre dhe për të pasur një kujtesë të pa shpërndarë, e cila do të na ndihmojë të mendojmë mbi të kaluarën si një hap drejt së ardhmes sonë.
Si ka qenë procesi i të shkruarit gjatë muajve të fundit?
Dua që fjalët e mia të jenë dëshmi e të kaluarës sime. Një lloj drite në korridoret e errëta të jetës në Gaza. Të shkruarit ishte një mjet mbijetese.
/tesheshi.com/