9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kush është më mizor se ai që ndalon të përmendet emri i Allahut në xhamitë e Tij dhe përpiqet t’i rrënojë ato?! – Tefsir nga Shejh Sa’di

Më të lexuarat



Allahu thotë në Kuran: “Kush është më mizor se ai që ndalon të përmendet emri i Allahut në xhamitë e Tij dhe përpiqet t’i rrënojë ato?! Atyre nuk u takon të hyjnë në to, veçse të frikësuar. Për ta në këtë botë ka poshtërim, kurse në botën tjetër dënim të madh.  (Surja el Bekare, 114)

“Kush është më mizor se ai që ndalon të përmendet emri i Allahut në xhamitë e Tij dhe përpiqet t’i rrënojë ato?! Atyre nuk u takon të hyjnë në to, veçse të frikësuar…” –  Domethënë, nuk ka zullumqarë më të mëdhenj sesa ata që i mbyllin xhamitë, në mënyrë që në to të mos përmendet emri i Allahut dhe mos adhurohet Ai, ose e thënë ndryshe: ata që pengojnë faljen e namazit dhe çdo adhurim tjetër që kryhet në to. Në fragmentin: “ue seâ fî ħarâbiha” (…dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre), fjala “sea” ka kuptimin: “përpiqet duke provuar të gjitha mënyrat dhe mjetet për të arritur qëllimin”. Ndërsa për pjesën “për shkatërrimin e tyre”, mund të themi se shkatërrimi i xhamive (el ħarâbu) është dy llojesh:

  1. Shkatërrim fizik, nga ana materiale, sikurse është shembja apo përdhosja e objektit, e çdo lloji a mënyre qoftë.
  2. Shkatërrim që kryhet duke i penguar besimtarët dhe adhuruesit e Allahut, që të adhurojnë Allahun brenda faltores. Me pak fjalë, ky lloj shkatërrimi nënkupton pengimin e shfrytëzimit të xhamive për atë qëllim që ato janë ndërtuar. Ky ajet i përfshin të gjithë ata njerëz që i bëjnë këto punë. Për shembull, i tillë ishte Abrahaja dhe ushtria e tij, që synonte të shembte Qaben. Këtu hyjnë edhe kurejshët, të cilët e penguan Profetin (a.s.) të shkonte drejt Qabes, në vitin e Hudejbijes. Të tillë ishin edhe ata të krishterë që shkatërruan Xhaminë e Shenjtë në Kuds (Palestinë).

Në këtë kategori përfshihen edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët, me shkatërrimin apo mbylljen e xhamive, synojnë të pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut. Ata thjesht shprehin armiqësinë e tyre ndaj Allahut dhe ndaj profetëve të Tij. Për shkak të kësaj pune të shëmtuar, Allahu i Lartësuar ua ndaloi atyre futjen në xhami. Edhe nëse ata do të hynin në to, do të ishin të frikësuar dhe të poshtëruar. Kështu, Allahu i Lartësuar ua ktheu me të njëjtën mënyrë. Ata donin të frikësonin dhe poshtëronin frekuentuesit e xhamive, por Allahu i Lartësuar mbolli frikën dhe poshtërimin në zemrat e tyre.

Kështu ndodhi me idhujtarët, të cilët e munduan dhe u përpoqën të pengonin Profetin e Allahut dhe besimtarët nga Xhamia e Shenjtë. Por nuk kaloi shumë dhe Profeti (a.s.), me lejen e Allahut të Lartësuar, hyri si triumfator në Mekë. Pas kësaj ngjarjeje, idhujtarët nuk do të hynin kurrë më në atë vend të pastër dhe të shenjtë, pasi i Lartësuari tha: “O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër, prandaj mos i lini t’i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti! Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij. Allahu është vërtet i Gjithëditur dhe i Urtë.” [Teube 28].

“Ushtria e Elefantit” pësoi të njëjtin fat. Allahu i Lartësuar na rrëfen se çfarë bëri me ta: “A nuk e ke parë se ç’bëri Zoti yt me ushtrinë e Elefantit? A nuk e shkatërroi përpjekjen e tyre (për shkatërrimin e Qabes)? Ai lëshoi kundër tyre shpendë, që erdhën tufa-tufa dhe që i gjuajtën ata me gurë prej baltës së pjekur, Duke i bërë si gjethe të përtypura.” [Fil 1-5]. Po kështu e pësuan edhe të krishterët në xhaminë e Kudsit, në Palestinë, dhe kështu do të ndodhë gjithmonë me cilindo që vepron në të njëjtën mënyrë. Këto konsiderohen si shenja shumë të mëdha, sepse Allahu i Lartësuar ka lajmëruar rreth tyre para se ato të ndodhnin, dhe ato kanë ndodhur pikërisht ashtu si i ka përshkruar Allahu i Lartësuar. Disa dijetarë janë mbështetur në këto ajete për të thënë, gjithashtu, se nuk lejohet futja e qafirëve në xhami.

“…Për ta në këtë botë ka poshtërim, kurse në botën tjetër dënim të madh.” – Kështu, jobesimtarët meritojnë poshtërimin që në këtë jetë, kurse në jetën tjetër do t’i nënshtrohen ndëshkimit të madh. Nëse nuk ka kriminel më të madh se ai që shkatërron xhamitë e Allahut ose që nuk lejon të përmendet emri i Allahut në to, atëherë mund të themi se nuk ka tregues më të madh për besimin në zemra, sesa përpjekjet për të ngritur dhe mirëmbajtur xhamitë e Allahut, qoftë nga ana fizike, qoftë nga ana funksionale. Për këtë, i Madhëruari thotë: “Për xhamitë e Allahut kujdesen veçse ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, falin rregullisht namazin e japin zekatin dhe nuk i frikësohen askujt tjetër veç Allahut. Shpresohet që këta të jenë të udhëzuar (në rrugën e drejtë).” [Teube 18].

Madje, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të ngrihen xhami dhe në to të kujtohet dhe lavdërohet emri i Tij. Ai ka urdhëruar që atyre t’u kushtohet respekt dhe përkujdesje maksimale, nga njëra anë, dhe ka kërcënuar penguesit, nga ana tjetër. I Lartësuari thotë: “E sa për ata që kanë mohuar (Allahun) dhe që pengojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut dhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes), të cilën Ne e bëmë (vend adhurimi) për të gjithë njerëzit pa dallim, qofshin vendës ose të ardhur dhe ata, qëllimi i të cilëve është të bëjnë ndonjë të keqe e padrejtësi, ata Ne kemi për t’i bërë të shijojnë një dënim të dhembshëm. (Kujto) kur Ne ia treguam Ibrahimit vendin e Shtëpisë (dhe i thamë) “Mos adhuro askënd e asgjë tjetër veç Meje dhe pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tauaf), ose që qëndrojnë në këmbë, që përkulen dhe që bëjnë sexhde (kur falen).” [Haxh 25, 26]. Për xhamitë ka shumë rregulla, por më kryesoret janë ato që u përmendën më lart.

/Tefsiri i Shejh Sa’dit/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit