Nga MA HAIYUN
Si pjesë e përpjekjeve të Presidentit Xi për ta ‘bërë Kinën përsëri të madhe’, një proces i vazhdueshëm i Kinezimit synon të asimilojë plotësisht pakicën muslimane të vendit në kulturën dhe shoqërinë kineze.
Islami është i pranishëm në Kinë për më shumë se 1300 vjet dhe muslimanët atje kanë një histori të gjatë për ta rrëfyer. Por kjo trashëgimi është aktualisht nën kërcënim, pasi 22 milionë muslimanë të Kinës përballen me një proces të vazhdueshëm “Kinezimi” që synon të asimilojë plotësisht këtë pakicë në shumicën e shoqërisë Han-Kineze. Shtypja e ujgurëve turq në Rajonin Autonom Ujgur të Xinjiang-ut është diskutuar (shih: BBC) dhe dokumentuar prej kohësh (shih: FP). Por muslimanët kinezishtfolës (hui) dhe Islami në provincat e brendshme të Kinës kanë qenë në mënyrë të ngjashme subjekt i një fushate të ashpër kundër tyre, tani më jo në heshtje siç ishte më parë. Në pesë vitet e fundit, rreth 1,700 xhami në Kinë janë shkatërruar ose modifikuar duke ua hequr minaret dhe kupolat e tyre ikonike, sipas një raporti të ri goditës, të cilin e kishte realizuar gazeta prestigjioze Financial Time (shih: FT).
Ndërkohë, disa komuna lokale i kanë ndaluar studentët kinezë nën moshën 18 vjeçare të hyjnë në xhami ose të mësojnë për Islamin. Libraritë muslimane janë mbyllur dhe botimet fetare janë ndaluar. Edhe tabelat hallall në arabisht janë hequr nga restorantet muslimane. Për ta kuptuar këtë fenomen, duhet kuptuar historia e Islamit në Kinë dhe dinamika politike e Kinës e lidhur me ideologjinë e saj sunduese marksiste.
Që nga dinastia Ming në shekullin e 14-të, Islami dhe muslimanët në tërësi ishin asimiluar në shoqëritë dhe kulturat kineze (shih: CND). Gjatë kësaj periudhe kohore muslimanët adoptuan gjuhën kineze. Profesionistët fetarë muslimanë si klerikët budistë dhe daoistë u regjistruan dhe ishin të autorizuar nga shteti kinez. Intelektualët muslimanë morën pjesë në provimin e shërbimit civil konfuçian. Populli musliman u martua me kinezët Han. Islami filloi të interpretohej në terma konfuçiane dhe filloi të shfaqej një literaturë e pasur Han Kitab (ose libri kinez).
Muslimanët e origjinave, kulturave dhe gjuhëve të ndryshme tani u bënë kinezo-muslimanë, ose muslimanë kinezishtfolës, dhe Islami u bë Islam Kinezofonik. Ose me fjalë të tjera, muslimanët u bënë kinezë dhe Islami u Kinezua, siç dëshmohet nga ndërtimi i faltoreve, ose xhamive në formë tempulli, dhe formimeve të shkrimtarëve konfuçiano-muslimanë (shih: BAYTALFAN).
Megjithatë, gjërat filluan të ndryshojnë në fillim të shekullit të 20-të, veçanërisht pasi Kina filloi politikën e dyerve të hapura (shih: BBC) për investitorët e huaj në fund të viteve 1970. Islami dhe muslimanët në Kinë filluan të ndikohen nga dinamikat e Lindjes së Mesme, veçanërisht nga kultura Arabe dhe mënyra e të kuptuarit Arabe. Muslimanët kinezë që studionin në Turqinë Osmane, tani shkonin në vendet Arabe, duke përfshirë Universitetin Al Azhar të Egjiptit dhe shkollat në vendet e Gjirit Arab.
Studentët sollën fjalor më të begatë arab në jetën e përditshme. Xhamitë e restauruara shpesh adoptojnë stilin e Lindjes së Mesme ose Arabeske. Të gjitha këto praktika dhe adoptime u toleruan gjatë politikës së dyerve të hapura nga vitet 1970 deri në 2010. Megjithatë, ato filluan të shiheshin si një pengesë për populizmin kulturor Han të Kinës dhe nacionalizmin etnik. Që nga rënia e ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendeve socialiste të Evropës Lindore, marksizmi (shih: IT) është përballur me rënie globale dhe partia komuniste kineze është përpjekur të legjitimojë dhe konsolidojë marksizmin (i cili ushqen luftën e klasave dhe justifikon diktaturën e klasës proletariane punëtore) nëpërmjet Kinezimit.
Siç përshkroi presidenti kinez Xi Jinping, Mao Zedong, babai themelues i Kinës komuniste, kishte kombinuar marksizmin me “realitetet specifike” (ose kushtet) e periudhës revolucionare të Kinës. Mao, megjithatë, nuk e lidhi marksizmin me kulturën tradicionale Han Kineze , ndoshta për shkak të papajtueshmërisë së natyrshme midis socializmit, i cili kishte për qëllim zhdukjen e klasave shoqërore, dhe konfuçianizmit që përforcoi hierarkitë sociale. Në një botë populiste mazhoritare sot pas rënies së bllokut socialist dhe ideologjisë marksiste globalisht që nga vitet 1990, Xi përpiqet të rrënjos marksizmin në historinë dhe traditën kineze për legjitimitet politik dhe besim kulturor, një thirrje kulturore për ta bërë Kinën ose kinezët përsëri të madhe. Ose mundë të themi versionin Kinez te termit “Make America Great Again (bëje Amerikën sërish të madhe )”.
Pasi u bë president në vitin 2012, Xi tha se donte të ndiqte ripërtëritjen e kombit kinez – në thelb duke e bërë qytetërimin e shumicës kineze Han përsëri të madh (shih: Europeanguanxi). Në Kongresin e 20-të të Partisë Kombëtare në 2022, Xi ripohoi se “për të mbështetur dhe zhvilluar marksizmin, ne duhet ta integrojmë atë me kulturën e shkëlqyer tradicionale të Kinës. Vetëm duke zënë rrënjë në tokën e pasur historike dhe kulturore të vendit dhe të kombit, e vërteta e marksizmit mund të lulëzojë këtu”.
Kjo strategji ka çuar në uljen e kulturave dhe feve jo-Hane duke i akuzuar ato si të huaja. Kupolat dhe xhamitë e ndikuar nga arabët tani konsiderohen jo-tradicionale, jo socialiste dhe madje reaksionare. Siç zbuloi një dokument ne vitin 2018 (shih: RFA), Xi dhe Komiteti Qendror i Partisë morën një sërë vendimesh dhe rregullimesh të rëndësishme mbi Islamin që nga Kongresi i 18-të Kombëtar, duke specifikuar drejtimet përfundimtare dhe detyrat kryesore në lidhje me Islamin.
Ata identifikuan si shqetësuese tendencat e caktuara si “ç’Kinezimi”, “Saudizimi” dhe “Arabizimi” në arkitekturë, veshje, ritualet fetare, interpretimin e shkrimeve të shenjta dhe përdorimin e gjuhës arabe. Lëvizja e Kinezimit që synon Islamin dhe muslimanët në rajonet e brendshme të Kinës përfshin prishjen e minareve dhe madje edhe xhamive të stilit arab, ndalimin e shkëmbimit fetar midis muslimanëve kinezë dhe muslimanëve arabë dhe zhdukjen e gjithçkaje që konsiderohet e ndikuar nga Lindja e Mesme ose me stil Arabeske.
Vala e re e Kinezimit para së gjithash është një populizëm mazhoritar që synon konsolidimin dhe legjitimimin e sundimit komunist kinez nëpërmjet nacionalizmit Han dhe duke Kinezuar/Hanifikuar ideologjinë jo-hane si marksizmi dhe kulturat/fetë jo-hane si Islami. Kinezimi kërkon maksimizimin e asimilimit të kulturave dhe feve jo-hane në kulturën/historinë Hane.
“Arabizimi” dhe “Saudizimi” i islamit në përgjithësi, dhe islami i frymëzuar nga “vehabitë” në veçanti në Kinën bashkëkohore, përbëjnë “çKinezim” të Kinës moderne, siç denoncon edhe dokumenti i 2018-ës. Kinezimi i islamit (me ndikim Arab), në një farë mase, përfaqëson një shkëputje kulturore me botën arabe (të frymëzuar nga “Vahabitë”). Me fjalë të tjera,Kinezimi në thelb synon të laicizojë islamin. Përveç ndikimit të arkitekturës islame të Kinës, procesi do të ndikojë gjithashtu në interpretimin e tekstit islamik. Do të kërkojë përdorimin e termave konfuçiane/kineze/komuniste për të interpretuar islamin në mënyrë që ta bëjë islamin të përshtatet me ideologjinë sunduese bashkëkohore të socializmit dhe normave kulturore të shumicës.
Për muslimanët që flasin kinezisht, kjo nuk është hera e parë që u është dashur të përshtaten me forcë me realitetet dhe dinamikat kineze. Nga konfuçianizmi (neo)-kinez i dinastisë Ming deri te nacionalizmi kinez i fillimit të shekullit të 20-të dhe te komunizmi kinez i pas vitit 1949, muslimanët kinezishtfolës kanë përjetuar trazira të ndryshme politike dhe sociale dhe janë përpjekur të ruajnë besimin e tyre islam përmes përshtatjes dhe akomodimit.
Pavarësisht ankesave, shumë muslimanë kinezë e shohin këtë si një sprovë të besimit të tyre islam dhe do të rregullojnë vazhdimisht aspektet jo thelbësore të jetës së tyre fetare sipas kushteve dhe rrethanave në të cilat gjinden, (shih: TANDFONLINE), duke iu përmbajtur parimeve bazike të Islamit në një vend jomusliman. Së fundi, frenimi i ndikimeve fetare të huaja (arabe) mbi myslimanët kinezë dhe kontrolli i institucioneve islame ka të ngjarë të çojë në çrrënjosjen e Islamit (të frymëzuar nga arabët/“vehabitë”) dhe zhvillimin e islamit vendor kinez duke ringjallur traditën Han Kitab dhe duke formuar një konfuçianizëm Islam (shih: Bitterwinter).
Në skenarin më të mirë, rezultati i mundshëm i kinezimit të Islamit në Kinë mund të jetë shfaqja e një Kinezo-Islami të lidhur ngushtë me historinë, kulturën dhe ideologjinë kineze, dhe jo e ndikuar nga valët dhe dinamikën e Lindjes së Mesme.
Autor: Ma Haiyun
Përktheu: Abdurahman HALIMI
Dr. Ma Haiyun është profesor i asociuar në Departamentin e Historisë të Universitetit Shtetëror Frostburg. Ai është gjithashtu president i Forumit Zhenghe që fokusohet në marrëdhëniet Kinë-botë myslimane. Puna e tij shkencore shqyrton historinë e Islamit në Kinë, si dhe marrëdhëniet e Kinës me botën myslimane. Artikujt, rishikimet dhe opinionet e tij janë botuar në Foreign Affairs, Foreign Policy, Late Imperial China, Current Trends in Islamist Ideology, Journal of Muslim Minority Affairs, American Journal of Islamic Social Sciences, China Brief, dhe të tjera. Ai shpesh kërkohet nga mediat për komente mbi temat e Kinës, Azisë ose Lindjes së Mesme dhe është cituar ose intervistuar nga Washington Post, New York Times, BBC, The Nation, Lianhe Zaobao, Deutsche Welle, Associated Press, Anadolu Agency , The Independent, PBS, PTV dhe të tjerë.