Nga Abdullah ibën Amri r.a. thotë: I dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem, ka thënë: “Atëherë kur ta shikosh ymetin tim t’i druhet zullumqarit për t’i thënë: ti je zullumqar, ata do të jenë të braktisur”.
Këtë hadith të Abdullah ibën Amrit e transmetojnë imam Ahmedi në musnedin e tij, Bezari në musnedin e tij dhe Hakimi në mustedrekun e tij. Imam Hakimi e ka konsideruar sahih. Saktësimin e Hakimit e ka miratuar edhe imam Dhehebiu. Hejthemiu në “Mexhmauz zeuaid” thotë që të gjithë transmetuesit e një transmetimi te Ahmedi janë të besueshëm. Megjithatë, imam Bejhakiu _nxënësi i imam Hakimit_ pretendon që në zinxhirin e këtij hadithi ka shkëputje pasi trasmetuesi që e transmeton këtë hadith nga Abdullah ibën Amri radijallahu anhu, Muhamed ibën Muslimi, nuk e ka dëgjuar këtë hadith prej tij.
Folja e diatezës pësore e përmendur në këtë hadith (tuuddia minhum – تُوُدِّعَ منهم) merr kuptimin që janë braktisur dhe lënë në harresë, sepse prej tyre nuk shpresohet as mirë e as përmirësim, qenia dhe prania e tyre është njësoj si mosqenia.
Zamaksheriu ka dhënë dy kuptime figurative për këtë frazë:
1- Janë braktisur dhe lënë në harresë sepse janë të pandreqshëm. Pra Allahu i ka braktisur dhe lënë në harresë të veprojnë ato gjynahe që i veprojnë e më pas të dënohen për shkak të tyre. Kjo ka ardhur për shkak se ai që i humb shpresat që diçka të ndreqet, ai heq dorë prej saj dhe e lë në harresë atë. (1)
2- Mund të jetë nga fjala e arabëve (teueddatu esh shej’e – تَوَدّعتُ الشيءَ) me kuptimin e kam vendosur diçka në një (mida’- مِيْدَع) që është rroba me të cilën mbështillen gjërat për t’u ruajtur. Kuptimi i hadithit sipas këtij interpretimi të dytë është që duhet të ruhemi prej këtyre njerëzve ashtu siç ruhemi prej njerëzve të ligë se mos na bëjnë keq.
Munaviu thotë: Në mënyrë të përmbledhur kuptimi i hadithit është që braktisja e urdhërimit për të mirën dhe e ndalimit të së keqes është dëshmi për braktisjen dhe zemërimin e Rrahmanit xhelle xhelaluhu.
Gazaliu ka thënë: “Në origjinë pushtetarët urdhërohen për të mirën nëpërmjet sqarimit dhe predikimit. Ndalimi i tyre forcërisht nuk i takon individëve të veçantë sepse ai shkakton trazirë dhe nxit të keqen.
Ndërsa përballja me ta (pushtetarët) me fjalë të rënda si: O zullumqar, o ti që nuk i frikësohesh Allahut; nëse sherri i këtyre fjalëve shkakton dëme tek të tjerët, nuk përdoren, por nëse frikësohet vetëm për veten e tij lejohet, madje është e pëlqyeshme, sepse denoncimi i gjynahut haptas(2) dhe përballja me rrezikun kanë qenë metoda e selefit të parë”. Mbaroi fjala e Gazaliut.
Shpjegimet e mësipërme janë marrë të përmbledhura nga libri i imam Munaviut “Fajdul kadir”, vëll. 1, f. 454, hadithi nr. 627. (3)
________________________________
(1) Vjen nga fjala (uedun – وَدْع) dhe (uediah – وَديعَة) me kuptimin me e depozitu dhe me e lënë diçka diku. Prandaj edhe amaneti që i lihet dikujt në ruajtje në gjuhën arabe quhet uediah. Për shembull, nëse prishet ndonjë pajisje apo thyhet ndonjë orendi aq keq sa është e pandreqshme ajo hidhet diku në një cep të shtëpisë dhe lihet në harresë aq sa e mbulon pluhuri. Kështu braktisen edhe ata njerëz nga zoti.
(2) Gazaliu rahimehullah ka përmendur fjalën “tasrih” që do të thotë ta thuash diçka drejtëpërdrejt ashtu siç është pa nënkuptime.
(3) Munaviu (vd. 1031 h.) ishte një nga dijetarët shafi të njohur të Egjiptit në shekullin XI pas hixhretit. Libri i tij “Fajdul kadir” është komentim i librit të imam Sujutiut “El xhamius sagir”. Ky komentim është më i miri dhe më i përmbledhuri, pasi i shpjegon hadithet në dritën e shkencave të ndryshme gjuhësore dhe fetare.
Hoxhë Florian Leli