0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Mulla Sefë Govori

Më të lexuarat

Pas dëbimit nga fshatrat e Serbisë, familja Govori, në Kosovë u ndal në katundin Prapashticë, të Gallapit të Prishtinës. Ajo u vendos në këtë hapësirë, në kufirin e caktuar me Serbinë, me qëllim që pas një kohe të shkurtër apo pasi të krijoheshin kushtet, të kthehej në vendin e vet. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi, prandaj ata u detyruan që këtu të krijonin pasuri të re dhe vendbanim të ri.

Pas disa kohësh, meqenëse hapësira ishte e vogël për zhvillimin e hovshëm të kësaj familje, familja Latifi u larguan nga Prapashtica për në Strozoc, sepse një anëtar i kësaj familje ishte anëtar i Islihatit, dhe për të qenë me afër udhës dhe më afër qendrave të ndryshme, pushteti i atëhershëm osman ua jep një pjesë të madhe të tokës. Largimi nga Prapashtica i kësaj familje ishte i pari, për të vazhduar më pas edhe tjerat. Ndonëse, kjo familje u largua nga trungu i familjes Govori, ajo asnjëherë nuk i ndërpreu lidhjet me familjen në Prapashticë.

Më vonë, familja Latifi e Govorëve vendosi të largohet edhe nga Strezoci, dhe tokën e shtëpitë ua shet familjes së Lazar (Lazë) Serafimoviqit. Ai ua jep një pjesë të parave dhe pjesën tjetër ua jep kur ata të vendosen në pronat e tyre. Në Strezoc, familjes së Tafës i lindi një djalë, të cilën e quajtën Sefedin (Sefë) Latifi-Govori, në vitin 1903. Mirëpo, pushteti i atëhershëm u thotë familjes, se blerësit s’mund të vendosen në shtëpinë e blerë. Andaj familja Govori, me paratë e dhëna dhe pasurinë e tyre dalin dhe vendosen në Gjilan, vend i cili kishte marrë një zhvillim më të hovshëm.

Sefedini (Sefë Govori) Latifi, kur ishte 10-11 vjeçar, vjen në Gjilan, dhe aty regjistrohet në Medresenë e Gjilanit, të cilën e kryen me sukses. Me përfundimin e Medresesë, ai merr titullin mulla, dhe fillon të shkruaj në revistat e asaj kohe për tema fetare. Mirëpo, për këto nuk patëm rastin t’i shohim, e të dimë se ku u botuan ato, por një gjë dihet se, mulla Sefë Govori, asnjëherë nuk punoi si imam në ndonjë xhami të asaj kohe.

Në moshën 21 vjeçare, ai së bashku me familjen, për shkak të keqtrajtimit të pushtetit të atëhershëm, dhe meqenëse të gjithë e flisnin gjuhën turke, ata vendosën të shkojnë në Turqi. Kjo ndodhi në vitin 1924 dhe ata u vendosën në qytetin Qorli, në pjesën evropiane të Turqisë. Në Turqi shkoi Sefedin (Sefë) Latifi, me babanë e tij Tafën, dhe me xhaxhallarët e tij Sylën e Isufin, por sipas dëshmitarit Shaban Abaz Mustafës, ata atje qëndruan vetëm 6 muaj. Dëshmitari tjetër, i quajtur Muharrem Riza Govori, thotë se ata kanë shkuar vetëm deri në Shkup, dhe pas një vonese të vogël në Shkup, për ta festuar ditën e Bajramit, rruga për të emigruar në Turqi u mbyll. Mirëpo, sipas dëshmisë së Ibrahim Grainca – Cernilla, të shkruar në librin “Deri në vdekje për atdhe”, ai thotë se, ai shkoi në Turqi dhe atje qëndroi 3 vjet. Në bazë të kësaj mund të konstatojmë se ata shkuan në Turqi, por në saje të vetëdijes dhe bindjes së Sefës ndaj babait të tij Tafës, dhe sigurisht edhe të xhaxhallarëve të vet, ata u kthyen sërish në Gjilan.

Në Gjilan, familja e Govorëve merrej me punimin e tokës, të cilën e kishin mjaftë të bollshme, por edhe me tregti të ndryshme. Sefedini (Sefa) nuk punoi në asnjë xhami, sepse atje duhej të predikonte sipas udhëzimeve të pushtetit të atëhershëm, prandaj ai më shumë do të kontribuonte në menaxhimin e pasurisë së tyre, por në bisedat që kishte me popullin, ai orientonte ata, që fëmijët e tyre të shkolloheshin edhe në gjuhën serbe, sepse shkolla shqip nuk kishte, pos mejtepeve e medreseve, të cilat punonin në bazë të plan-programit fetar, por edhe të vëzhguara nga pushteti i atëhershëm serb.

Derisa ishte në Gjilan, ai edhe u martua. Rrethi i njohjeve u rrit edhe më shumë, prandaj krahas punës, ai u njoh edhe me personalitete që nuk ishin nga rrethi i Gjilanit, e të cilët ishin të mishëruar me nisma të ndryshme ideologjike e politike. Ai kështu u takua edhe me Xheladin Kurbalin, i cili kishte qenë i burgosur në Serbi (Lepogllavë), dhe ai atje kishte pranuar ideologjinë marksiste nga Mosha Pijade, me të cilin ai kishte qenë në burg. Edhe Mosha i dinte theqafjet e mëdha që ia shpifte regjimi i pushtetit të atëhershëm për popullin shqiptar. Dhe pikërisht këto rrethana, e kishin bindur Xheladinin se komunizmi ishte shpëtim për shqiptarët. Në këto rrethana, Mulla Sefa krijoi shoqëri me disa njerëz që kishin këtë ideologji, andaj në mesin e tyre kishte edhe gjilanas si Vehbi e Vejsel Rexhepi, Kadri Halimin, e më vonë edhe me Hasan Dulxherin (mësues nga Shqipëria), Halil Fejzullahun, e kuptohet edhe me Xheladin Kurbalin. Pas kapitullimit të Jugosllavisë së atëhershme, ishte ideologji e tyre që të futeshin në mesin e pushtetit të ardhur, e që ishte Italia fashiste. Kështu, Sefedin Latifi apo mulla Sefë Govori, që kishte të kryer medresenë, hyri në punë si ekonom në spitalin e Gjilanit, por shumë herët e het-uan dhe në vitin 1942, u dënua me një vit burgim për ideologji antifashiste.

Nga ideologjia antifashiste në ideologji nacionaliste

Pas mbajtjes së këtij burgimi, e duke ndjekur ngjarjet si po zhvilloheshin në aradhet partizane, e ku po mbyteshin e torturoheshin shqiptarët, ai iu bashkua ideologjinë nacionaliste, dhe kështu pastaj, ai bashkëpunoi edhe me mulla Idriz Gjilanin, e që mori pjesë edhe në frontin ku po mbrohej Kosova në Gallap. Mirëpo, kthimi i tij në spitalin e Gjilanit më shumë kontribuoi për këto luftime. Ai furnizonte me gjëra të ndryshme sanitare luftëtarët në front, dhe të plagosurve më rënd iu ndihmonte që të shkonin në Prizren, ku ishte spitali me më shumë mjek e pajisje. Në këto rrethana, e derisa kapitulloi Italia, mulla Sefë Govori, kontribuoi shumë për qytetarët e Gjilanit, qofshin ata shqiptarë apo të nacionaliteteve tjera. Ai edhe më parë kishte reputacion në mesin e qytetarëve, si një njeri që kishte shkollë të kryer, mirëpo tash ku u ndihmonte për ndonjë rast të sëmundjeve, ai fitoi respekt edhe më të madh. Mirëpo, me kapitullimin e Italisë, spitali në Gjilan u mbyll, dhe të gjithë ata shqiptarë, të cilët u kishin ndihmuar mbrojtësve të kufirit ishin në rrezik të likuidimit. Me ndihmën e Ibrahim Graincës, nga rrethina e Ferizajt, i cili kishte lidhje me Fadil Hoxhën, vendos që edhe nga kjo anë e Kosovës, të grumbulloheshin njerëz në aradhet partizane. Një njësi e tillë u formua edhe në Përlepnicë, dhe në krye të kësaj njësie u zgjodh Sabit Efendija, kurse për flamurtar të kësaj njësie, u caktua mulla Sefë Govori. Ai kësaj njësie i priu me flamur kombëtar. Sipas dëshmitarit okular, Shaban Ajvaz Mustafës, kur mulla Sefë Govori arriti në qendër të Gjilanit me flamur në dorë, diku para teatrit të sotëm, shumë qytetarë serbë u dolën përpara me sëpata, tërfurq e mjete tjera, e sidomos me armë, por të cilat nuk u dukeshin. Mulla Sefa u tha qytetarëve të tubuar: “Meqë të gjithëve ju njoh dhe ua dua të mirën, po u them se fundi i kësaj njësie është te bunari i Përlepnicës, andaj ne jemi duke e kaluar Gjilanin dhe po shkojmë në Deçan për të luftuar me gjerman. Nëse doni të luftoni, atëherë më pengoni mua dhe pastaj mjerë për ju.” Pas këtyre fjalëve të Mulla Sefës, serbët u kthyen e shkuan në shtëpi, ndërsa njësia kaloi Gjilanin. E njëjta gjë ndodhi edhe në Ferizaj. Ja shkrimi i Ibrahim Graincës – Cërnilla në librin e tij: “Grupin tjetër e takuam në Ramjan, me mulla Sefë Govorin në krye, me flamur në dorë. Kur u takuam, Mulla Sefa më pyeti nëse guxonim të kalonim me flamur nëpër qendrën e Ferizajt. “O Ibrahim, më tha, vetëm një herë t’i biem qendrës me flamur, e si të më qitni te kazermat, më pushkatoni, se ua bëj hallall shpirtin!” Kur iu afruam Ferizajt, u thash të marshonin të qetë dhe të mos bënin asnjë qëndrim të pahijshëm. Kur hymë në qytet, dolën të na shihnin i madh e i vogël. Ne dolëm përtej Ferizajt, pushuam pak në Koshare dhe u nisëm për në Shtime.” (Ibrahim Grainca-Cernilla: “Deri në vdekje për atdhe”, 2006, fq. 183)

Gjatë gjithë këtij marshi të kësaj njësie, pjesëtarët e OZN-së, tentuan të merrnin njerëz të aftë për t’i likuiduar, por nuk arritën, sepse edhe Sefa, por edhe Sabit Efendija nuk lejonin. Duke parë këtë situatë, Mulla Sefa, diku te ura e Tërzive, tentoi të kontaktonte me Fadil Hoxhën për t’ia shpjeguar situatën e krijuar dhe tentimet e OZN-së, megjithatë ky kontakt nuk u mbajt. Mulla Sefë Govori e kuptoi se si ishte situata, sidomos kur në mesin e anëtarëve të OZN-së, e pa edhe djalin e Aqif Tetovës, nga Gjilani. Krejt këtë udhë deri në Gjakovë, ai e kaloi duke gjetur mënyrën se si të largohej nga kjo njësi, që për të u bë kobzezë, ashtu edhe si do t’i ndodh në Deçan. Këtë njësi e ndanë në dy grupe. Një njësitë e dërguan më herët e tjetrin më vonë, dhe i urdhëruan të luftojnë mes vete, pa e ditur se janë të së njëjtës njësi, te rrepijat e Deçanit, kështu ka thënë prof. Haxhi Vokshi.

Ikja nga njësia dhe kalimi në ilegalitet

Mulla Sefë Govori, së bashku me Tefik Jakupin dhe një tjetër, pasi e komprometojnë një roje të armatosur, ata largohen nga njësia. Të tre të arratisurit arritën bashkë deri në Kishnapole, dhe aty u ndanë. Tefik Jakupi u nis për në Gjilan, mulla Sefë Govori u nis për në Prapashticë, e për të tretin, bashkëbiseduesi Shaban Mustafa, nuk ka dijeni se kush është dhe nga është. Mirëpo, mendim tjetër ka Muharrem Riza Govori, i cili thotë se nga Gjakova me Mulla Sefën ka qenë babai i tij, Riza. Mulla Sefa më së pari vendoi të qëndroi në Koznicë (Lisicë), e më pas gjeti strehë në Prapashticë, te Shaban Musa i lagjes së Shushnicës, e pastaj edhe te shumë të afërm të tij, por në viset tjera të Gallapit. Gjatë qëndrimit në ilegalitet, Mulla Sefa kaloi edhe nëpër sfida të ndryshme. Në Busavatë, gjersa të gjithë kishin shkuar në fushë për të punuar, në shtëpi kishte mbetur vetëm një vajzë e vogël. Në ndërkohë suita e milicisë popullore dhe njerëzit e OSN-së, kishin ardhur në katund. Lajmi u përhap shumë shpejt, dhe për këtë dëgjoi edhe Mulla Sefa. Si t’ia bëj tash?! Në ndërkohë vjen vajza e shtëpisë, e ngrit shtrojën e odës dhe i thotë Mulla Sefës, hyrë në një derë, e cila dërgonte në një bunker. E mbuloi vajza shtrojën, pasi hynë të ardhurit, kontrolluan dhe shkuan, e Mulla Sefa mbeti i pakapshëm.

Në një rast tjetër, përderisa shkonin me shokë për në Rahovicë, afër Strezocit, e vërejnë se ishte duke marshuar një aradhe e milicisë popullore (këta ishin njerëz, që i kishin mbledhur nëpër katunde dhe kontrollonin njerëzit që ishin fshehur, e në mesin e tyre kishe edhe ndonjë udhëheqës), Mulla Sefa sheh një grumbull ferrash të prera në mes të një lëndine. U thotë shokëve të shkojnë e të fshihen nën ferra. Milicia popullore i kishe dëgjuar fjalët e tyre, por nuk i kishte parë. Kur dalin aty, nuk shohin askënd. Njëri thotë të kontrollojmë te ferrat, ndërsa udhëheqësi thotë jo, se ata kanë shkuar në mal, andaj atje le t’i kërkojmë, e këtu në mes të lëndinës kaçakët nuk fshihen. Edhe ky rast kaloi pa therë në këmbë.

Po në Rahovicë, duke biseduar me të zotin e shtëpisë, ku qëndronte në ilegalitet Mulla Sefa, ai thotë se nëse vjen ndokush me të kërkuar, unë do t’i tregoj se ku je. Pas disa ditësh vijnë edhe këtu për të kontrolluar, e i zoti i shtëpisë u thotë: “Çka po kërkoni?” “A ke këtu ballistë?” – i përgjigjen njerëzit e pushtetit. I zoti i shtëpisë u thotë: “Po e kam një ballistë, por është shumë i rrezikshëm!” “A po na dërgon tek ai?” “Po”, u thotë ai, dhe shkojnë në ahur, ndërsa Mulla Sefa ishte në një bunker nën pragun e ahurit. I zoti i shtëpisë e qeli derën e ahurit, vetë qëndroi mbi prag, dhe u tha, se këtij mëzati i themi ballistë, sepse me lëshua pasi ta hajë një kosh misër, jo vetëm ne që na mbyt, por e mbyt edhe vetveten. A vetëm për këtë na solle këtu, i thanë ata, e ky iu tha se më pyetët për ballistë, e unë këtij i them ballistë. Banën pak shaka dhe shkuan. Mulla Sefa kishte qëndruar edhe në Përlepnicë, Marec dhe në shumë vende në Prapashticë, e edhe në një shpellë te toponimi “Guri i madh” dhe në këto vende ai qëndroi 3 vjet në ilegalitet.

Me që filluan tash edhe jatakët të frikësohen, atëherë familja mendoi se si t’ia bëjnë me Mulla Sefën. Në ndërkohë vjen në Gjilan daja i Sefës, Alia i Mehmetit (Boroc), nga Gragjeniku, dhe këta i tregojnë se janë goxha në siklet, se si t’ia bëjnë me Mulla Sefën që ishte në ilegalitet. Ai i pyeti se a mundet Ali Shukria t’i ndihmoj. Pikërisht ai është kryesori thonë ata. Unë e rregulloj këtë çështje, sepse unë e kam shpëtuar Ali Shukriun në Tiranë. Ai ndikoi dhe Mulla Sefa mbeti i lirë e pa u ndëshkuar. Pasi u lirua Mulla Sefa, shumë punëtorë të OZN-së, e më vonë edhe të UDB-së, habiteshin, por edhe kishin frikë nga ai, sepse ai e kishte dikë të afërm në udhëheqësi. Shpesh e pyetën se si shpëtoi, e ai u thoshte se e ka shpëtuar një serb, të cilit unë i kam ndihmuar më parë, por ai (Mulla Sefa) edhe shpëtimtarin e tij e konsideronte si të tillë. Mulla Sefa tani fitoi një respekt të madh, sepse disa e njihni si antifashist, për çka mbajti 1 vit burg, të tjerët e njihni si një nacionalist të përkryer, andaj ai pritej e përcillej si një njeri i madh. Ai gjithkund fliste se duhet të gjithë të shkolloheshin, e kështu ai ndikonte edhe me shembullin e fëmijëve të tij, të cilët njëri në Nish e tjetri në Shkup, kryenin shkollimin. Fjala e tij kishte rëndësinë e saj, andaj ato merreshin si udhërrëfyese për jetën e më tejme, të atyre që i dëgjonin. Andaj edhe sot, ende është në qarkullim fjala e tij “Pa komb, pa atdhe dhe liri, nuk ka jetë e as fe.” Këtë ai e dokumentoi edhe me punën që e bënte, jo vetëm vet, por edhe te fëmijët e vet, të cilët sa qenë gjallë u angazhuan për mirëvajtjen e punëve të tyre, por edhe duke u ndihmuara bashkëkombësve të vet. Ndonëse arritën në vetëmohim të madh, ata çdoherë ishin nën vëzhgimin e organeve të ndjekjes, prandaj edhe ua ndërronin pozitat që i arrinin me punën e tyre. Mulla Sefa më vonë punoi pak edhe në spitalin e Gjilanit, madje njëherë duke e vizituar banesën e doktor Gjokiqit, aty ai pa se shumë mobilie të tij ishin në dhomat e doktorit. Njëherë e kishte pyetur se ku i kishte blerë mobiliet, e ai i kishte thënë se kur ka ardhur në Gjilan për të punuar, komuna ia kishte dhënë. Mulla Sefa pasi që kërkoi pushimin për të shkuar në Turqi, për t’i vizituar kushërinjtë e tij, pushteti i atëhershëm ia lejoi shkuarjen e tij, duke menduar se ai do të gjente ndonjë motivim për t’i shpërngulur edhe familjen e vet. Mulla Sefa shkoi në Turqi dhe atje vdiq në vitin 1952, ku edhe u varros, por bëmat e tij patriotike ende janë gjallë në mesin e gjilanasve të moshuar, por edhe të rinj.

Literatura:

1. Ajvaz Abazi, Ismail Ismaili: “Gjenealogjija e familjes Govori” Prishtinë, 2009. 2. Bogomir B. Stankoviq: Pomoravala e Kosovës në revolucion 1941-1945, Nish, 1975. 3. Ibrahim Grainca-Cernilla:”Deri në vdekje për atdhe”, Prishtinë, 2006. 4. Muhamet Piraku: “Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951”, Prishtinë, 1995

Dëshmitarët:

1. Shaban Abaz Mustafa- Govori (1936-6.IV.2011) në Gjilan, me 25 maj 2010, 2. Nazmi Musa 11.07.2011, 3. Muharrem Riza Govorit (1945), korrik 2015, 4. Shaban Rama, 5. Mentor M. Latifi, 6. Prof. Haxhi Vokshi

Ukshin Zajmi

Dituria Islame 321-322

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit