-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Në Medresenë e Gjakovës ligjëratat zhvilloheshin në gjuhën shqipe

Më të lexuarat


Në kohën e Perandorisë Osmane, gjuha osmane ishte gjuhë e administratës, gjuha arabe ishte gjuhë e shkencës, gjuha perse ishte gjuhë e poezisë, kurse gjuha shqipe ishte gjuhë e ligjëratës në “Medresenë e Madhe”, “Medresenë e Vogël”, “Mejtepi Ruzhdije” dhe në shkollat fillore në Gjakovë.

GJAKOVA

Gjakova u themelua si qytet në kohën e sundimit osman.

Pjesa e vjetër e qytetit u ndërtua në hapësirën në mes të lumit Krena dhe Çabratit.(1) Themelues i këtij qyteti konsiderohet Sulejman Hadum(2) Aga, i cili ka lindur në rrethin e Gjakovës, ndërsa varri i nënës së tij ende gjendet në fshatin Guskë. Më 1594-95, ose me 1003 sipas hixhretit, Sulejman Hadum Aga, ndërtoi xhaminë e parë në Gjakovë, e cila u emërtua sipas themeluesit “Xhamia e Hadumit.”(3) Udhëpërshkruesi, Evlija Çelebiu,(4) i cili e viziton Gjakovën në vitin 1662, shkruan:

“Gjakova ka dymijë shtëpi të stolisura, që ndodhen mbi një fushë të gjerë. Ka dy xhami të bukura, mesxhide, hane të mbuluara me plumb. Ka hamam të bukur, që të kënaq zemrën dhe nja treqind dyqane të ndryshme, të mbuluara me mallra. Meqë e ka klimën e këndshme, atëherë banorët janë të bukur dhe të dashur.”(5)

Ndërsa Sami Frashëri, pas dy shekujve shkruan: “Gjakova ka 16 xhami, dy medrese, një shkollë ruzhdie dhe disa mektebe, ka bibliotekë, kishë dhe mekteb të veçantë për katolikë e ortodoksë. Ka afro 1000 dyqane, ka bujtina e banja publike. Popullsia e Gjakovës është e njohur për ruajtjen e traditave dhe kanë prirje për tregti e zejtari. Është popull guximtar dhe i aftë për armë. Nga gjiri i këtij qyteti ka pasur gjithmonë dijetarë të dëgjuar e myderrizë”

Një karakteristikë e Gjakovës është se lagjet quhen sipas xhamive, kështu xhamia është ajo që e themeloi lagjen, andaj me ndërtimin e xhamisë së parë “Hadum Aga” (1594), është themeluar lagjja e quajtur “Mëhalla e Hadumit” me ndërtimin e “Xhamisë së Kryepazarit” (1600-1952), është themeluar lagjja e quajtur “Kryepazari” e kështu me radhë edhe lagjet e tjera. Një statistikë tregon se në vitin 1874, në qytetin e Gjakovës, përkundër dy medreseve, ka pasur edhe 17 shkolla fillore, kurse në vitin 1893/94, funksiononin 18 shkolla fillore, 14 shkolla fillore të djemve me 1051 nxënës dhe 4 shkolla fillore të vajzave me 358 nxënëse, që në total bëjnë 1409 nxënës, si dhe mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, ku gjitha këto kanë luajtur rol pozitiv në zhdukjen e analfabetizmin në Gjakovë. Andaj, si përfundim, mund të them se atëbotë, në Gjakovë 90% kanë ditur shkrim dhe lexim.

“MEDRESEJA E MADHE”

Para se të flasim për “Medresenë e Madhe” në Gjakovë, dëshiroj të theksoj gurrën e fjalës medrese dhe domethënien e saj. Kjo fjalë e gurrës arabe, nga tri bashkëtingëllore (de re se) d.m.th., vendi në të cilin nxënësit lexonin, mësonin dhe pajiseshin me dije. Në këtë medrese jepnin mësim myderrizët shumë të arsimuar, shumica e të cilëve të shkolluar në qendrat e ndryshme të arsimit dhe kulturës islame. Atëbotë studentët regjistroheshin në medrese pas përfundimit të shkollës fillore (mejtepit), ose në periudha të mëvonshme, pas shkollës së mesme (mejtepi Ruzhdije).

Mirëpo, pak janë të tillë që dinë së nga themelimi i saj, para dy shekujve e gjysmë, Gjakova kishte medrese, ku ligjëratat zhvilloheshin në gjuhën shqipe, e cila ishte e rangut të fakultetit të sotshëm, natyrisht sipas plan programit të fakultetit “Fatih” të Stambollit. Bamirësi dhe donatori për ndërtimin e kompleksit të “Medresesë së Madhe” ishte nga dera fisnike e Kurtpashëve – Kryezive të Gjakovës, Murat Begu, i biri i Adem Pashës, në vitin 1707.

VEJSEL EFENDIU, I BIRI l JAHJA EFENDIUT

Vejsel Efendiu, i birit i Jahja Efendiut nga Shkodra, apo siç e quanin ndonjëherë Yvejs Efendija ishte drejtori dhe muderrisi i parë i “Medresesë së Madhe” të Gjakovës. Kështu një nga dëshmitë për atë se ligjëratat e tij, që nga fillimi e deri në fund, në “Medresenë e Madhe” ishin në gjuhën shqipe, është edhe kjo poezi e tij, me alfabet arab, e shkruar në vitin 1699, të cilën e kishte translituar Islaim Haxhi Tahirit, rahmet pastë!

POEZIA E PARË NË GJUHËN SHQIPE NË GJAKOVË

Do t’i lutem unë Allahut,

Adem Kurtpashës t’i falë shëndet, E t’ia ruajë Murat begun,

Që ta pshtojë kët milet!

Do t’i lutem që Adem pashës,

Ti falë Allahu aq vjet e jetë,

Gjithë sa ka yje qielli,

Gjithë sa lea nbotë dushk e fletë!

Allah, t’lus unë xhunahqari,

Falna mkatet për jetë e mot,

Gjithë ku shkel këmbë shqiptari,

Ti bekoje, i Madhi Zot!

Adem pashë po t’kënoi uratën,

Oxhak i parë nkët Shqipni,

Nuk u lodhe për arkëthatën,

Veç ky popull t’marrë dijeni!

Murat beg, Uvill Sabahi,

Si fener ti dritë na jep

Me emër t’vet t’ruejt Allahu,

Që nxore popllin n’selamet!

Por për fat të mirë, hafez Selim Yvejsi (1913-2001), e kishte transliteruar me alfabet tonë dhe ruajtur në bibliotekën e tij, përndryshe do të zhdukej, pikërisht sikur zhdukja e sixhilit,(6) e qindra libra të tjerë, që u zhdukën nga xhandarmëria serbe në mars 1913, si dhe nga demolimi i xhamisë “Hadum Aga” me bibliotekën e saj në vitin 1999. Kështu, është një humbje e madhe shkatërrimi i bibliotekës dhe zhdukja e sixhilit, që paraqiste kronikën katër shekullore të Gjakovës. Yvejs Efendija është shkolluar në Medresenë e njohur “Fatih” në Stamboll. Pastaj, pas hafez Yvejs Efendisë, udhëheqjen e “Medresesë së Madhe” e vazhduan dy djemtë e tij, Ismali Efendiu dhe Muhamedi Efendiu, që të dy hafëzë dhe myderrizë, të cilët ligjëruan në gjuhën shqipe.

MYDERRIZ, HAFËZ FAHRI EF. ILJAZI, MYDERRIZI I FUNDIT I “MEDRESESË SË MADHE”

Lindi në vitin 1903 në Gjakovë, është djali i myderrizit, hafez Iljaz Efendiut (1857-1920). Fahri efendiu mësimet fillestare i kreu në gjuhën shqipe. Te babai mësoi përmendsh Kuranin, atëherë kur i kishte 11 pranvera dhe fitoi titullin hafez. Hafez Fahriu vazhdoi mësimet në “Medresenë e Madhe” në Gjakovë pranë babai, deri në vitin 1920, vit kur ndërroi jetë babai i tij. Pastaj hafez Fahriu, i vazhdoi dhe i përfundoi studimet në medresenë “Mehmed Pasha” në Prizren, ku fitoi titullin myderriz. Që nga janari i vitit 1930 e deri në vitin 1948, kur e mbyllën komunistët, hafez Fahri ef. Iljazi, ka qenë myderriz, udhëheqës kryesor në “Medresenë e Madhe”, ku kanë studiuar mbi 100 studentë. Mësimi aty zhvillohej në gjuhën shqipe. Ai ndërroi jetë më 19.11.1985.

Lëndët që mësoheshin në “Medresenë e Madhe” në Gjakovë;

1. Lexirni i Kuranit, sipas rregullave të texhvidit;

2. Komentirni i Kuranit (‘Ilmu tefsir),

3. Hifzi, memorizimi i Kuranit, mësohej vullnetarisht;

4. Shkenca e traditës (Ilmu-l-Hadith):

5. Jurisprudencaislame (Ilmu-l-Fikh):

6. Burimet e jurisprudencës islame (Usul-l-fikhu),

7. Dokrina islame (Akaidi);

8. Apologjetikë (Ilmu-l-kelam),

9. Logjika (Ilmu-l-mentik),

10. Tarihul am (Historia e përgjithshme);

11. Gjuha arabe; 23.Misticizm islam;

12. Gjuha perse; 24.Fizika.

13. Gjuha osmane;

14. E drejta trashëgimore (‘Ilmi feraid):

15. Matematika (Hisab);

16. Gjeografia;

17. Retorika (Belaga):

18. Linguistika (Ilmi luga);

19. Gramatika (Ilmi sarf ):

20. Sintaksa (‘Ilmi nahv);

21. Kaligrafia (Husni hatt);

22. Filozofia islame;

Kështu, në këtë Medrese, siç lexuam, nëpërmjet gjuhës shqipe, përpos lëndëve islame, po ashtu mësoheshin edhe lëndët natyrore, shoqërore dhe gjuhësore. Gjithashtu, këtu dua të shtoj se shumë nga këto lëndë, ne atëbotë nuk i kishim në plan program në MM ‘Alauddin’ në Prishtinë.

Këtu duhet thëne se në kohën e Perandorisë Osmane, gjuha osmane ishte gjuhë e administratës, gjuha arabe ishte gjuhë e shkencës, gjuha perse ishte gjuhë e poezisë, kurse gjuha shqipe ishte gjuhë e ligjëratës në “Medresenë e Madhe”, “Medresen ë e Vogël”, “Mejtepi Ruzhdije” dhe në shkollat fillore në Gjakovë.

Në “Medresen ë e Madhe”, fillimisht studimet kryheshin për një periudhe 12 vjeçare, veçmas para hapjes së “Mejtepit Ruzhdije”, kurse më pas, studimet zgjatnin vetëm 8 vjet. Prandaj të diplomuarit nga kjo Medrese fitonin titullin myderriz.(7)

Vlen të theksojmë se “Medreseja e Madhe” në Gjakovë është ndërtuar nga shqiptarët bamirësë në kohën e Perandorisë Osmane, pastaj është shkatërruar dhe demoluar nga serbët pas LDB-së, respektivisht në vitin 1948, dhe së fundi është rindertuar nga donatorët nga republika e Turqisë.

ROLI KOMBËTAR I KËSAJ MEDRESEJE

Mbështetur në plan programet mësimore të kësaj Medreseje në Gjakovë, si dhe në nivelin mjaft të lartë profesional dhe intelektual të myderrizëve të saj, siç është poezia modeste, por e rëndësishme për nga konteksti i kohës, e myderriz, hafez Yvejs Efendisë, lirisht mund të arrihet në përfundimin se kjo Medrese ka formuar një shtresë intelektuale fetare e akademike të admirueshme. Në këtë Medrese janë shkruar, kopjuar, komentuar e krijuar vepra të shumta, nga fusha e disiplina të ndryshme fetare, shkencore, e letrare, përfshirë edhe letërsinë shqipe me alfabet arab, e cila ka prodhuar efekte shumë pozitive në zhvillimin kulturor të masave popullore shqiptare edhe jashtë objekteve të medresesë. Prandaj, atëbotë, poetët kanë shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, në radhë të parë për nevoja të nxënësve dhe të studentëve, e pastaj edhe të masës së gjerë. Shumë nga myderrizët dhe studentët e kësaj medreseje kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur rol konstruktiv në të gjitha lëvizjet atdhetare shqiptare, si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës “Besa-Besë” dhe kryengritjet e ndryshme. Veprimtarët atdhetarë më të dalluar të medreseve të Gjakovës nga radhët e myderrizëve janë:

Myderriz Ismail ef. Yvejsi ();

Myderriz Haxhi Zeka (1830-1902);

Myderriz Hasan ef Shllaku (1835-1916);

Myderriz Tahir efendi Lluka (1840-1908);

Myderriz Ahmed efendi Korenica ();

Myderriz Malush Tullumi – Shllaku (1852-1945);

Myderriz, hafez Ymer Guta (1860-1963);

Myderriz, hafez Idriz Hoxha (1874-1946);

Myderriz, hafez Ibrahim Pallaska (1875-1935);

Myderriz Abdullal Efendi Hadri (1887 -);

Myderriz, hafez Ibrahim Fehmiu (1892-1951);

Myderriz Beqir Efendi Maloku (1894-1985);

Myderriz Bajram Agani (1897-1961);

Myderriz Mustafa Canhasi (1888-1970);

Myderriz Hasan efendi Dashi (1892-1963);

Myderriz Asim ef. Luzha (1889-1945).

Këta ishin një plejadë e myderrizëve të Gjakovës, dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët aktivitetin e tyre atdhetar e paguan me internime, burgosje dhe likuidime fizike.

PËRFUNDIM

Me një fjalë, si përfundim i këtij artikulli modest, “Medreseja e Madhe” në Gjakovë ishte një pjesë e pandarë e jetës publike, dhe të gjithë myderrizët, të cilët, përveç që ishin besimtarë të denjë, bamirës dhe filantropikë, ata po ashtu ishin edhe atdhetarë, prandaj përherë iu kanë drejtuar popullit që të mos e braktisin Gjakovën dhe atdheun, andaj të gjithë ata kanë qëndruar stoikisht në Gjakovë.

___________________________

1. Dr. Ali Hadri, Gjakova gjatë LNÇ.

2. Fjala HADUM është fjalë e gurrës arabe që do të thotë shërbëtor i madh, që shërben shumë, tejet i zellshëm në shërbim, dhe sinonim i saj është edhe fjala (haum). Prandaj ky ishte epiteti i bamirësit, donatoriti dhe ndërtuesit të xhamisë Sulejman Hadum Aga, e kurrsesi siç mendon ndokush se kjo fjalë ka vetëm kuptimin eunuk.

3. Dr. Ali Hadri, Gjakova me rrethinë prej themelimit deri më 1941.

4. Evlija Çelebiu, udhëpërshkrues i njohur turk nga shekulli XVII, sa i përket të dhënave tëndryshme të kësaj periudhe. Në të ka shumë të dhëna edhe për tokat shqiptare. Sa për ilustrim, do ta them vetëm këtë se Evlija Çelebiu pohon se lumi Vardar buron nga toka shqiptare …

5. Mexhid Yvejsi, Ylematë e Gjakovës – mburojë e Kosovës, Gjakovë, 2003.

6 SlXHIL, arabisht = regjistër, që paraqiste kronikën katër shekullore të Gjakovës.

7 Myderriz është fjalë e gurrës arabe, siç kemi thënë edhe më parë, d.m.th. arsimtar, mësimdhënës, profesor, pedagog. Ndërsa te ne ka kuptimin: Profesor në medrese.

Mulaim Shehu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit