-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Përgojimi dhe kundërshtimi i mëkateve publike – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Kjo është temë e gjatë dhe kërkon shtjellim të detajuar, për të shmangur abuzimin dhe keqpërdorimin e argumenteve dhe përzierjen e rasteve kur lejohet me ato që nuk lejohet, por nisur nga nevoja akute për të treguar këtë aspekt të paditur dhe për t’i dhënë përgjigje justifikimeve jashtë kontekstit, jam munduar të përmbledh diçka shkurtazi.

I Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

I gjithë ymeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin gjynahet. Prej shfaqjes (së gjynaheve) është edhe një vepër që njeriu e bën natën, dhe ndërkohë që Allahu ia ka mbuluar atë, kur ai gdhihet në mëngjes, tregon dhe thotë: “O filan, unë kam bërë mbrëmë këtë e atë”, ndërkohë që Zoti ia kishte mbuluar atij këtë vepër. Ai gdhihet duke hequr perden, me të cilën Allahu e kishte mbuluar.” (Buhariu & Muslimi)

Këtu Profeti (alejhi salatu ue selam) ka përfshirë edhe ata që nuk i bëjnë gjynahet në publik, por i tregojnë ato më pas, kështu që ata që i bëjnë gjynahet në publik pa qenë nevoja që ato t’i tregojnë më pas, pa më të voglin dyshim përfshihen nga ky kërcënim.

Por çfarë mund të thuhet për ata që jo vetëm i bëjnë publikisht, por edhe krenohen me to dhe as nuk i shohin ato aspak si gjynahe?

Ibn Haxher el-Askelani (v. 852 h.) duke komentuar këtë hadith thotë: “et-Tibij ka thënë: Më e dukshme është të thuhet që kuptimi është se i gjithë ymeti im nuk përfshihen në përgojim (gibet) përveç atyre që i bëjnë haptazi (gjynahet). el-afu (falja, tolerimi) vjen në kuptimin e mos veprimit dhe ka edhe kuptimin e mohimit. Ndërsa el-muxhahir është ai që e shfaq gjynahun e tij dhe e zbulon atë që e ka mbuluar Allahu duke treguar për të. Ndërkohë Neveviu ka përmendur se ai që e shfaq fisk-un (fajin, mëkatin, shthurjen) ose bidatin e tij lejohet ta përmendësh për atë që ai ka bërë haptazi, por jo për atë që nuk e ka bërë haptazi.” (Fet’hul Bari 10/486)

Po kështu edhe dijetari hanefi el-Ajni në komentin e tij të Buhariut thotë: “Kuptimi është se çdo njeri nga ymeti im i falet gjynahu dhe nuk merret në llogari për të, përveç fasikut që i bën publike. Neveviu ka thënë: Ai që e shfaq haptazi fisk-un ose bidatin e tij, lejohet ta përmendësh për atë që ka shfaqur haptazi, por jo për atë që nuk e ka bërë haptazi.” (Umdetul Kar’ij 22/139)

Përgojimi padyshim që është haram dhe nuk lejohet në shumicën e rasteve, aq sa Allahu e ka krahasuar atë me ngrënien mishit të vëllait të vdekur, por Ai që e ka bërë haram edhe e ka lejuar atë në disa raste, siç thotë Imam Neveviu: “Dije se përgojimi (gibeti) lejohet për një synim të saktë sheriatik, pa të cilin ai nuk mund të arrihet.”

Mund ta lexoni me detaje kapitullin ku ai flet se kur lejohet përgojimi, në librin e tij shumë të njohur dhe të përhapur e përkthyer edhe në shqip “Rijadus Salihin”. Ai aty përmend gjashtë raste dhe argumentet përkatëse nga Kurani dhe Suneti se kur lejohet përgojimi, kujt i lejohet dhe sa është masa e lejimit. Në rastin e katërt dhe të pestë ai përmend se lejohet përgojimi për arsye paralajmërimi të muslimanëve nga një keqe, për t’i këshilluar ata dhe në rastin e atyre që mëkatojnë publikisht apo i bëjnë bidatet haptazi. Për më shumë kthehuni dhe lexoni aty.

Por, ku është dallimi mes një njeriu që i bën gjynahet në publik dhe atij që i bën fshehtas, që njëri të falet apo tolerohet dhe tjetri jo?

Një nga dijetarët komentues të Buhariut, Ibn Batal (v. 449 h.) i jep përgjigje kësaj pyetje duke thënë: “Në kryerjen e mëkateve haptazi ka nënçmim të të drejtës së Allahut dhe të të Dërguarit të Tij dhe kjo është një lloj kryeneçësie ndaj tyre, prandaj dhe Profeti (alejhi salatu ue selam) tha: “I gjithë ymeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin gjynahet.” (Sherh Sahih el-Bukhari, 17/322)

Ndërkohë gylenistët e KMSH nuk kanë asnjë tagër moral dhe fetar të na bëjnë moral të shtirur se po i përgojojmë ata publikisht, kur janë vetë ata që i bëjnë pa asnjë teklif në mënyrë të përsëritur këto faje, çfarë tregon se nuk bëhet fjalë më aspak për gabime dhe shkarje të rastësishme, siç mund t’i ndodhi çdo njeriu që gabon, por për bindje dhe vetëdije të plotë nga ana e tyre. Për më tepër nuk po i përgojojmë për faje dhe gabime private, se të tilla të gjithë ne kemi, por për faje publike institucionale, madje të përsëritura.

Nëse ata vërtetë do të ishin të sinqertë, ashtu siç i justifikojnë avokatët e tyre naivë apo tinëzar, do të kishin reflektuar me kohë nga këshillat dhe vërejtjet private për vite me radhë, por fakti që nuk e kanë bërë madje dhe janë treguar kryeneç, injorues dhe mospërfillës dhe për më tepër krenohen publikisht me këto veprime, atëherë është më se e qartë se me çfarë grupimi kemi të bëjmë dhe çfarë ata meritojnë. Dhe ajo që ata fshehin të jeni të bindur se është më e madhe, por Allahu është llogaritës i tyre për të gjitha.

I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Pas meje do të ketë prijës të cilët thonë atë që nuk e bëjnë dhe bëjnë atë për të cilën nuk janë urdhëruar. Ai që i lufton me dorë, është besimtar, ai që i lufton me gjuhë është besimtar dhe ai që i lufton me zemër është besimtar dhe pas kësaj nuk ka më besim.” (Ibn Hiban 1/403 nr. 177, edhe tek Muslimi 1/69 pa cilësimin prijës)


P.S. Personalisht nuk kam asnjë dëshirë dhe kënaqësi të merrem me ligësitë e muslimanëve dhe jomyslimanëve, sidomos me ato të muslimanëve, sepse detyrohesh të mbash qëndrime dhe të armiqësohesh me mjaft njerëz, duke mos marrë asnjë lloj përfitimi personal, por vetëm se kosto dhe konsum energjie.

Vallahi bilahi, të mos ishin ato argumente fetare dhe shembulli i profetëve dhe njerëzve të ndritur të umetit, që janë kacafytur me të keqen, duke mos bërë kompromis me të, edhe unë si shumë të tjerë do të kisha zgjedhur të hesht dhe të mos bëj armiq, por të “rrezatoja” vetëm “butësi” dhe asnjë lloj ashpërsie. Por nuk mundem, sepse ajo që di nuk më lë dhe më gërryen përbrenda, sidomos heshtja dhe servilizmi.
Allahu na faltë kusuret dhe gabimet dhe na udhëzoftë tek më e mira!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit