9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Besa jote pas Ramazanit

Më të lexuarat

Begati gjigante, mëshirë madhështore është nëse arrin të dalësh nga Ramazani me mëkate të falura, kështu që kujdesu mirë për këtë begati dhe mos lejo të të shndërrohet në fatkeqësi me kthimin prapë në mëkate pasi t’ia japim lamtumirën Ramazanit. “O ti që Zoti yt të amnistoi nga Zjarri, mos lejo të kthehesh në mëkate, pasi që tani je i lirë prej prangave të tyre! Zoti yt të largoi nga Zjarri e ti dëshiron të afrohesh prapë tek ai?! Të shpëtoi nga ai, e ti dëshiron të futesh në të?! Nëse mëshirën e Allahut e arrijnë njerëzit e mirë, mëkatarët nuk duhet ta humbin shpresën në arritjen e saj. Nëse falja e mëkateve është për të devotshmit, mëkatarët nuk janë të penguar nga ajo.'(287 Shih: Vedhaif Ramadan, Ibn Rexhebi, faqe 77)

Këtu përfundojnë stacionet e rrugëtimit tonë të gjatë në përjetimin e agjërimit, tani jemi në disa nënstacione të vogla me stacionin e fundit:

** Sikundërqë e prite Ramazanin (sikurse të jetë i fundit) me adhurim, thuaji lamtumirën atij e t’i presim edhe muajt e tjerë me adhurim, sepse të gjithë muajt janë të Allahut. Sikundërqë e mbushe me adhurim Ramazanin, edhe muajt e tjerë duhet t’i mbushësh e ta madhërosh Allahun në të siç e madhërove në Ramazan.

** Me besim dhe llogaritje në shpërblim agjërove këtë muaj, atëherë dije se kështu duhet të veprojmë në çdo adhurim, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij…” (El Bejine, 5) Agjërimin vullnetar pas Ramazanit bëje me besim e llogaritje në shpërblim e kështu bëje edhe namazin e natës, kërkimin e dijes, urdhërimin për të mirë dhe ndalim nga e keqja, me durimin, dhënien e lëmoshave dhe çdo punë tjetër të mirë. Llogaritja në shpërblim prej Allahut është bërthama e sinqeritetit, shpirti i adhurimeve, ajo është obligim për tërë jetën e jo për një sezon.

.** Nëse me mirësinë dhe dhuntinë e Allahut arrite ta agjërosh të plotë Ramazanin, atëherë kjo tregon se ti mundke të agjërosh edhe ditë të tjera vullnetarisht, të pashkëputura, pra, mundohu ta shpeshtosh atë në kohët e preferuara për agjërim, si: agjërimi i tri ditëve të bardha të çdo muaji, agjërimi i çdo të hëne dhe të enjteje, agjërimi i ditës së Ashures dhe Arafatit, si dhe agjërimi i gjashtë ditëve të shevalit.

Veprat e mira vullnetare (nafile) i mbushin zbrazëtirat në veprat e obliguara të llojit të vet dhe i shtojnë të mirat e i fshijnë të ligat. Pra, veprën e keqe që e veprove pasoje me një të mirë se ajo e fshin atë dhe me kryerjen e veprave nafile ngrihu nga shkalla mesatare e besimtarëve në shkallën e garuesve në punë të mira. Ndërkaq, i Dërguari thotë: “(Allahu thotë:) “Robi Im vazhdon të afrohet tek Unë me vepra vullnetare (nafile), derisa të arrijë dashurinë Time. “(288 Shënon Buhariu, numër 6021)

** Agjërimi gjatë Ramazanit ishte mburojë për ty kundrejt armiqve të tu, ishe në fortifikatën e agjërimit, ndërsa ti vazhdon të mbetesh i rrethuar nga katër anët me armiqtë e tu nga radhët e xhinëve dhe njerëzve, madje edhe nga shejtani dhe nefsi e pasioni yt, që do të thotë se nuk ndihesh i sigurt nëse largohesh nga fortifikata e agjërimit gjatë muajve të tjerë të vitit.

** Gjatë Ramazanit faleshe me përkushtime e përpikëri, duke plotësuar çdo pjesë të namazit në mënyrën më të mirë, e ky është namazi që në këtë formë duhet të kryhet në përmendje e madhërim të Allahut: “Më madhëro dhe më përmend me faljen e namazit.” (Taha, 14) A nuk është e rrugës që në këtë formë madhërimi e përmendjeje të Allahut përmes namazit të vazhdosh gjatë tërë vitit, se kjo nuk është e ndërlidhur vetëm me agjërim. Allahu thotë: “… faleni namazin në mënyrë të rregullt, sepse namazi është obligim i caktuar (për kohë) për besimtarët.” (En Nisa, 103)

** Qëndrimi i gjatë në namaz të teravisë pas imamit, sado që lexon gjatë në të, është dëshmi se ke mundësi të falesh gjatë, kështu që mos u kurse pas Ramazanit që të falesh, qoftë edhe disa rekate, të cilat janë krenaria e besimtarit, kështu që mos e neglizho krenarinë tënde as jashtë Ramazanit.

** Gjatë Ramazanit lexoje vazhdimisht Kuranin, ndoshta arrite edhe ta mbarosh leximin e tërë Kuranit, me këtë e pengove veten të futesh në listën e atyre që hoqën dorë nga leximi i tij, pasi që i reduktove punët dhe angazhimet e përditshme. A nuk do të ishte e mirë një vendosmëri e tillë që të mos shkëputeshe nga leximi i Kuranit edhe pas Ramazanit?

*Bëj kujdes të veçantë për mendjen dhe zemrën tënde, agjërove edhe me to kur i mbaje larg epsheve e pasioneve; e ruaje veshin, syrin, zemrën nga harami gjatë agjërimit, mirëpo agjërimi i këtyre gjymtyrëve në këtë mënyrë nuk mbaron asnjëherë, porse ai është ligj i Allahut që duhet të na shoqërojë gjatë tërë vitit. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El Isra, 36) Pra, ti nuk do të llogaritesh për to vetëm për muajin Ramazan, por për tërë vitin.

**Gjatë Ramazanit gëzoje moral dhe sjellje të lartë islame, madje atij që të ofendoi e të sulmoi i thoshe: “Jam agjërueshëm. E ruajte gjuhën dhe kështu e dalloje ditën kur agjëroje nga dita që nuk ishe agjërueshëm. A nuk na mësoi agjërimi se ruajtja e gjuhës është mbreti i moralit të lartë gjatë tërë kohës dhe se morali i mirë është gjëja që peshon shumë rëndë në Ditën e Gjykimit, siç është dëshmi e besimit të kompletuar? ( 289 Shënon Tirmidhiu, numër 1925)


** Farefisi yt… vëllezërit e tu… fqinjët e tu… familjarët e tu, gjatë Ramazanit e gjallërove lidhjen me ta, mirëpo të mos i llogarisim të vdekur pas Ramazanit; zemrën që e gjallëroi agjërimi me lidhje farefisnore le të mbetet e gjallë me të gjatë tërë vitit.

** Gjatë Ramazanit ishe bujar, sepse muaji fisnik ta mësoi fisnikërinë e bujarinë, mirëpo Zoti yt që nuk vdes kurrë është i Pasur dhe Bujar. Sillu me njerëzit ashtu siç dëshiron që Zoti Bujar të sillet me ty, se kështu ndoshta do të të mëshirojë me Xhenet e do të të shpëtojë nga Xhehenemi.

** Gjatë Ramazanit vazhdimisht të shihnim të gjallë e me turp, mbaje këtë gjallëri dhe turp edhe pas Ramazanit, ndoshta kjo besë jotja me to do të shënohet si pranim i pendimit prej Allahut. Mirëpo, kujdes dhe kujdes të mos jesh nga ata që e thyejnë besën: “E kush e thyen (zotimin), ai e thyen vetëm në dëm të vetin.” (El Fet’h, 10) Gjithsesi kujdes që me thyerjen e besës të mos marrësh njërën nga katër cilësitë e hipokritit, e cila është cilësia më e shëmtuar e tyre, për të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “E prej tyre (hipokritëve) pati të atillë që i patën dhënë besën Allahut që, nëse na jep nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve. Kur u dha (Allahu) nga të mirat e veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u sprapsën nga respekti ndaj Allahut.” (Et Teube, 75-76) E përfundimi i tyre ishte: “Dhe për shkak se e thyen besën që i patën dhënë Allahut, dhe për shkak të asaj se gënjenin, Allahu u ngjeshi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën që e takojnë Atë.” (Et Tebe, 77)

** Duke qenë në fund të sezonit të adhurimeve të shumta, lidhe besën me Allahun se do të vazhdosh në vepra të mira e adhurime. Kështu i Dërguari, para mbrëmjes dhe në mëngjes, e lidhte besën me Allahun për ta adhuruar Atë. Ai thoshte: “O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje; Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar, Unë jam mirënjohës ndaj dhuntive të Tua, i pranoj mëkatet e mia, andaj më fal, sepse mëkatet nuk i fal askush tjetër përveç Teje!” ( Buhariu, numër 5831)

I Lartësuar me falënderim je, o Allah! Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar tjetër meritor pos Teje, përpara Teje pendohemi dhe kërkojmë falje!

/Marr nga libri: ” Përjetimet e Agjërimit” – Dr. Adbdulaziz Mustafa Kamil/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit