16.1 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Sjellje dhe karaktere – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Abdullah ibn Abasi përcjell nga Profeti (alejhi salatu ue selam) se ka thënë: “Kush banon në shkretëtirë bëhet i vrazhdë, kush i shkon nga pas gjahut përfundon i shkujdesur dhe kush shkon te sulltani sprovohet.” (Ebu Davudi 2859, Nesai 2256, Ahmedi 3362)

Ky hadith flet për ndikimin e mjedisit dhe veprimet të cilat ndikojnë në formimin e karakterit dhe sjelljes së njeriut, dhe padyshim ka si qëllim të tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga këto karaktere dhe sjellje të qortuara.

E para, është të jetuarit në shkretëtirë, por jo vetëm, pasi nëse kuptojmë arsyen se pse jetesa në një vend të ashpër dhe të shkretë, ku edhe kontaktet me njerëzit janë shumë të rralla, ndikon në karakterin e njeriut, atëherë kjo që thotë Profeti nuk vlen vetëm për jetesën në shkretëtirë. Njeriu përveç faktit se shumë nga tiparet e tij i ka të lindura, po ashtu edhe mjedisi ku ai jeton ndikon në formimin, theksimin ose zbutjen e disa prej tipareve të karakterit të tij. Kjo vihet re në përgjithësi kudo ku njerëzit të cilët jetojnë në terrene dhe klima të ndryshme, e pasqyrojnë këtë edhe në sjelljen e tyre. Por më shumë sesa klima dhe gjeografia e terrenit njeriu ndikohet nga mjedisi social, dhe shkretëtira është vendi ku beduinët nuk kanë një ngulim të tyren, por janë gjithmonë në lëvizje dhe jetojnë në grupe të vogla fisnore dhe rrallë takohen me njerëz të tjerë. Kontakti i kufizuar apo i munguar me njerëzit është një nga faktorët kryesorë pse njerëzit bëhen të vrazhdë, të ftohtë dhe të thatë në sjellje.

E dyta, është gjuetia, kur kjo nuk është një domosdoshmëri apo nevojë për të jetuar, është një aktivitet që tërheq gjithë vëmendjen e njeriut aq sa ai humbet ndjeshmërinë në aspektet e tjera të rëndësishme të jetës. Nëse sjelljen e gjuetisë e krahasojmë edhe me sjellje të ngjashme atëherë kuptimi i hadithit vlen edhe për të gjitha ato aktivitete të cilat të përpijnë të gjithin, aq sa njeriu nuk shkëputet dot prej tyre me orë të tëra, siç mund të jenë p.sh. lojërat elektronike etj. të cilat të marrin një kohë të gjatë pa asnjë dobi duke të kthyer në një parazit dhe të paaftë për aspekte të ndryshme të jetës reale që kërkojnë vëmendje. Por fjala gafil në arabisht, e përdorur në hadith, mund të nënkuptojë gjithashtu edhe shkujdesjen në përmendjen e Zotit, dhe mospërqendrimin e zemrës dhe të mendjes në rikujtimin e Allahut. Dhe kjo vihet re qartësisht tek ata që e përqendrojnë jetën e tyre vetëm në një aktivitet pasionant të tyre, aq sa e kanë të vështirë të gdhihen e të ngrysen e të mos e kenë mendjen vetëm aty, ndërkohë që kjo e bën njeriun të harrojë Zotin apo ta përmend Atë shumë pak.

Dhe treta, është afërsia dhe kontaktet e shpeshta me njerëzit e pushtetit, sidomos kur kjo bëhet pa pasur ndonjë nevojë apo domosdoshmëri. Kjo është sprovë më e rëndë se dy të parat, sepse pushteti ka një magji joshëse më të madhe, por edhe më të dëmshme për njeriun. Pushteti dhe njerëzit e tij të joshin me dynjanë dhe mundësitë që ata posedojnë, sidomos në shoqëritë si kjo e jona ku miqësia me njerëz të pushtetit është garanti më i mirë i “suksesit” të punës, biznesit, shkollimit, etj.

Pushteti ka natyrë korruptuese për ata që i rrinë pranë, sepse të imponon, shpesh edhe pa e kuptuar, të heshtësh apo të flasësh atëherë kur nuk duhet, duke mos thënë të drejtën dhe të vërtetën apo duke thënë të kundërtën. Pushteti të imponohet të mos urdhërosh për të mira dhe të ndalosh nga e keqja, të bën të përçmosh veten për pasurinë dhe mundësitë e pakta që mund të kesh, të bën ziliqar, hipokrit, lajkatar, të bën të ndjehesh inferior edhe para njerëzve që nuk kanë asnjë vlerë si individ, përveç faktit se kanë pushtet politik apo ekonomik. Afërsia me këta njerëz rrezikon edhe fenë dhe besimin e individit, dhe siç përcillet nga disa prej selefëve ajo që ata dëmtojnë nga feja e një besimtari është shumë më e madhe sesa dobia që mund të përfitohet nga afërsia me ta.

Drekat e darkat, kafet dhe uljet e shpeshta me njerëzit e pushtetit, për të ruajtur miqësinë me ta, vetëm e vetëm për të përfituar nesër pasnesër diçka nga pushteti apo pasuria e tyre, ka si pasojë në shumë raste pikërisht këtë sprovë për të cilën paralajmëron i Dërguari i Allahut.

Besimtari duhet të jetojë me dinjitet dhe jo duke iu lëpirë, servilosur apo nënshtruar pushtetarëve, sidomos kur për të ardhur keq shumica e tyre nuk e meritojnë postin që kanë dhe janë njerëz që u shërbejnë vetëm interesave të tyre dhe klanit që përfaqësojnë dhe jo interesit të përgjithshëm publik.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit