9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

THELLËSIRAT E MEDITIMIT

Më të lexuarat

Zoti e ka krijuar njeriun me kapacitete të ndryshme fizike, emocionale, intelektuale dhe shpirtërore. Njëkohësisht kur e krijoi, nuk e la kuturu, por nga mesi i njerëzve, Ai dërgoi profetë për të përcjellë mesazhet e Veta dhe për të bërë të qartë qëllimin e krijimit të njeriut, të ardhjes së tij në këtë botë. Përveç kësaj, në mënyrë të paimponuar, Allahu i ka dhënë vullnet të lirë njeriut që ta zgjedhë vetë rrugën e tij. Në të gjithë këtë proces, roli i njeriut është shumë i vogël, por Zoti e ka bërë vullnetin tonë një kusht elementar për te rruga e drejtë. Njeriu merr vetëm iniciativën, të tjerat janë dhurata hyjnore. Mjafton iniciativa jonë për kafshatën e bukës dhe proceset e shijimit, bluarjes, tretjes etj., janë dhurata nga Zoti, të cilat veprojnë në mënyrë automatike.

Meditimi ose ashtu si kalon në terminologjinë fetare “tefekkur” është një ndër adhurimet e rëndësishëm në fenë Islame. Meditim do të thotë, të mendosh në mënyrë sistematike mbi gjithçka që Zoti i Madh ka krijuar, dhe në përfundim të të shtohet besimi. Meditimi është ushqim i shpirtit dhe i jetës fetare për çdo besimtar. Është një dritë brenda zemrës dhe mendjes, ku njeriu me atë dallon të mirën nga e keqja dhe të bukurën nga e shëmtuara. Me atë, universi shndërrohet në një libër të lexueshëm dhe ajetet Kuranore marrin një kuptim të thellë. Në Kur’an Allahu urdhëron e thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, ka argumente të qarta për të zotët e mendjes.[1]

Ka aq shumë gjëra rreth nesh që na rrethojnë mbi të cilat mund të meditojmë, saqë ndonjëherë, nga që përballemi vazhdimisht me to, na duken si gjëra normale. Dhe ky normalitet na pengon të shikojmë madhështitë e Krijuesit në to.  Bota bimore janë një mrekulli e Krijuesit, ku njeriu nëse do t’i shikojë me syrin e zemrës dhe të besimit, do të mbesë i mahnitur përballë kësaj mrekullie. Edhe pse çdo gjë thahet në stinën e dimrit, gjë e cila është një vdekje e kësaj bime, me ardhjen e stinës së pranverës, nga kjo gjë e thatë papritur del një filiz i njomë, i hollë dhe i dobët, por që fuqinë e merr nga Fuqiploti. Kjo është një ringjallje dhe një mrekulli hyjnore që neve na duket normale për faktin se e shikojmë çdo vit.

Mirëpo, për të medituar, pikësëpari duhet që meditimi të mbështetet në një informacion fillestar. Ndryshe, me një meditim të varfër, të rëndomtë dhe të pa orientuar, nuk mund të arrihet askund. Një meditim i tillë i mbyllur, me kalimin e kohës sjell ngopje, mërzitje e lodhje dhe pastaj njeriu arrin deri në atë gradë sa të mos mendojë dot më. Fillimisht, njeriu duhet ta njohë mirë subjektin mbi të cilin do të meditojë, si dhe specifikat që do të përbëjnë bazë për meditim, domethënë duhet të ketë në dispozicion një informacion të qëndrueshëm, në mënyrë që të mundet të mendojë rregullisht e sistematikisht. Nëse njeriu i njeh qoftë edhe pak lëvizjet dhe ciklin e trupave qiellorë, marrëdhëniet e tyre me njeriun, lëvizjen dhe veprimtarinë e grimcave që përbëjnë trupin e njeriut, kur mendon rreth tyre, ky mendim mund të quhet meditim

Vërtet ka pasur njerëz që i kanë ardhur rreth e rrotull materies dhe ekzistencës së saj, por kurrë nuk kanë mundur ta njohin të vërtetën e saj. Ndërsa ata që, duke vështruar lëvizjet e hënës e të diellit, ndiejnë diçka, dhe përpiqen po kështu të thonë diçka, nuk janë mendimtarë, por poetë apo ëndërrimtarë, që shprehin frymëzimet dhe iluzionet e tyre. Pra, nuk është e mundur të quhen meditues, ata që se vrasin mendjen për të vërtetën. Për shembull, në shprehjet e poetëve të dashuruar pas natyrës, njeriu bëhet sikur po ndien parajsën, sikur po ndodhet në mesin e saj, shushurima e ujërave që rrjedhin, fëshfërima e gjetheve të pemëve, kënga e zogjve… Kënaqen me ato që shohin dhe i servir kjo botë, por nuk shkojnë përtej saj. Në të gjitha anët e mendimeve të tyre mbi jetën ka një ngecje, një shteg të mbyllur dhe ajo çka këta quajnë meditim, nuk është gjë tjetër veç një mendim dhe ankth i pashpresë. Sigurisht që një meditim i tillë nuk ka asnjë dobi!

Për të medituar, së pari duhet një e dhënë fillestare, duhen analiza dhe sinteza të reja në përputhje me bazën, me mendimin për të kërkuar të vërtetën. Personi që mendon me këtë sistem, mund të arrijë konkluzione gjithnjë të reja e të vazhdueshme. Pastaj, duke i bërë këto konkluzione bazë për hapa të tjerë, mendimi mund të bëjë përpara dhe me kohë njeriu thellohet e dimensionohet në meditimin e tij. Ndryshe, konstatime të tilla si ylli polar qëndron këtu, dielli perëndon kështu, vështrimi në fytyrën e materies pa ndonjë synim të përcaktuar e në mënyrë vulgare, jo vetëm që nuk mund të jenë meditim, por as që ekziston mundësia për të arritur diku me këtë lloj meditimi. Edhe fitimi i ndonjë të mire prej tij, është çdo herë diçka e diskutueshme. Kjo nënkupton që njeriu meriton disa gjëra sipas mundit që ka dhënë. Duke arsyetuar mbi këtë bazë, besimtari pa meditimin në fjalë, e ka kryer detyrën e adhurimit të Zotit si rob i Tij, pavarësisht se në ç’formë, dhe konsiderohet të ketë kaluar në disa lloj marrëdhëniesh me Të. Vetëm se nuk ka mundur të përftojë gjërat që prodhohen prej meditimit.

Mirëpo, një pyetje na vjen ndërmend: A e zëvendësojnë meditimin ajetet kuranore që nxisin për meditim dhe lutjet e bëra në heshtje? Ashtu si në leximin dhe kuptimin e Kuranit, Fjalës së Krijuesit, edhe kjo varet nga të qenët i vetëdijshëm për çka po bën. Lutja e vetëdijshme, përgjërimi i vetëdijshëm disa herë në botën e brendshme të njeriut, mund të hapë edhe drynat më të ndryshkur. Nëse ato s’kuptohen dhe njeriu nuk thellohet në to, nuk ka meditim. Ka të mirë, por jo meditim. Meditimi vjen nga të vrarët e mendjes. Meditim do të thotë të bashkosh dukuri të reja me ato ekzistueset dhe t’i analizosh ato. Që të arrijmë të meditojmë, duhet të kemi parasysh se sa e vëmë në punë mendjen dhe shpirtin, se sa qëndrojmë dhe kërkojmë mbi objektin që merret për meditim, se sa i thellojmë dhe i përforcojmë marrëdhëniet me Zotin. Fatkeqësisht gjëja më e paktë e më e rrallë në ditët tona është meditimi!

Meditimi është një ritual që të afron shumë me Zotin dhe t’i forcon lidhjet me Të, si dhe të bën prej të dashurve të Tij. Meditimi ndahet në dy pjesë: E para, të njohësh dhe të besosh se Zoti ekziston. E dyta, të njohësh cilësitë e Zotit, madhështinë e Tij, të njohësh autoritetin, ta duash dhe të jesh në vazhdimësi i lidhur me Zotin. Profeti Muhamed (a.s.) çdo ditë shkonte në shpellën Hira dhe mendonte për veprat dhe shenjat e mëshirës së Allahut Fuqiplotë. E shikonte Qaben, vështronte thellë në dimensionet e qiellit e përkujtonte thellësitë e tokës, deteve, shkretëtirave, maleve dhe luginave. Kur i shihte gjithë këto madhështi, thellohej në mendime rreth fuqisë së paskajshme të Zotit. Në çdo gjë që shihte vërente urtësinë dhe madhështinë e pafundme hyjnore.

Transmeton Aishja (r.anha): Profeti (a.s.) u ngrit dhe filloi të falej. Gjatë këndimit të Kuranit qante. Ra në ruku dhe qau, u ngrit prej saj dhe vazhdonte të qante. Ra në sexhde dhe qau, u ngrit nga sexhdja dhe qau. Vazhdoi të falej në atë formë, derisa erdhi Bilali për të thirrur ezanin e sabahut. Kur e pa duke qarë, Bilali e pyeti: “Çfarë të ka bërë të qash, o i dërguari i Allahut?!” Profeti (a.s.) ia ktheu: “E si të mos qaj o Bilal, ndërkohë që sonte më janë shpallur këto ajete: Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit[2]. Pastaj, Profeti (a.s.) shtoi: “I mjeri ai që i lexon dhe nuk mediton rreth tyre”.[3] Një numër i madh sahabesh i kanë dhënë rëndësi ritualit të meditimit duke treguar se meditimi është drita e besimit. Kur Omer ibnu Abdul Aziz u pyet: “Cili është adhurimi më i mirë?” u përgjigj: “Të meditosh mbi krijesat e Zotit.” Transmetohet nga Ibni Abasi se ai ka thënë: “Dy rekate të thjeshta, por me meditime, janë më të vlefshëm sesa falja gjithë natën, nëse zemra është indiferente.”[4]

Të medituarit rreth krijesave të Zotit, është një ritual që largon preokupimet dhe shqetësimet, sepse pas kësaj, njeriu e ndjen se kjo botë, me gjithë hallet e saj, është shumë e vogël në krahasim me madhështinë e universit, e ndjen se problemet dhe vuajtjet janë shumë të vogla në krahasim me kënaqësinë e Krijuesit. Nëse mbajmë lidhje të vazhdueshme me Zotin tonë, edhe Ai nuk do të na braktisë në dorë të djallit, të armikut tonë. Ai që e rinon vazhdimisht lidhjen me Zotin e vet me anë të meditimit, djalli nuk gjen dot rrugë për t’i shtënë dyshim e lëkundje. Për këtë arsye, duhet të kërkojmë rrugët për rinovimin e vetes. Kjo mund të bëhet disa herë me anë të meditimit, disa herë me anë të mendimit për vdekjen, disa herë me anë të leximit, disa herë duke kënduar Kuran… Nuk ka ndonjë kufi për këtë gjë, por ne kemi shumë nevojë për këtë, po aq sa kemi nevojë për ajrin, ujin dhe bukën.

Në çdo kohë, lutja jonë, me të cilën i drejtohemi Allahut, duhet të jetë që të na mbrojë nga e keqja e egos dhe e djallit, në mënyrë që të mund ta vazhdojmë jetën në atmosferën e mirësisë hyjnore. Njëkohësisht, lusim Allahun (xh.sh.) që nëpërmjet meditimit, t’i kuptojmë dhe t’i konceptojmë mirë, në pikëpamje shumëdimensionale mesazhet e Islamit dhe, duke i përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, të fitojmë kënaqësinë e Krijuesit tonë.

Dorian Demetja

[1] Al-‘Imran, 3:190.

[2] Al-‘Imran, 3:190-191.

[3] Buhari – Muslim.

[4] Isbahani, Kitabu’l-Adhame, v. I, f. 297, nr. 42.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit