Qabeja zë një vend shumë të rëndësishëm në fenë Islame. Është vend-adhurimi i parë i ndërtuar në tokë, vend i shenjtë të cilin e vizitojnë me miliona besimtarë çdo vit, vend udhëzimi dhe bereqeti për të gjithë njerëzimin.
Këto veçori të Qabesë janë të përmendura edhe në suren Ali Imran, ajeti 96:
اِنَّ اَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذ۪ي بِبَكَّةَ مُبَارَكاً وَهُدًى لِلْعَالَم۪ينَۚ
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin”.
Qabeja gjithashtu është quajtur edhe Mesxhidi Haram, në kuptimin e vendit të mbrojtur, të paprekur sepse në këtë vend është ndaluar që të dëmtohen gjallesat e parrezikshme dhe bimësia.
Jemi mësuar ta shikojmë të rrethuar nga mijëra besimtarë që bëjnë tavaf dhe madhërojnë Allahun, mirëpo pas përhapjes së COVID -19 autoritet vendosen që ta mbyllin atë për ritet fetare të përditshme, duke mos lejuar që të frekuentohet nga besimtarët dhe momentalisht falet vetëm namazi nga punonjësit që punojnë për mirëmbajtjen e saj por ky nuk është rasti i parë që Qabeja mbyllet për besimtarët.
Po të hulumtojmë historinë Islame do të konstatojmë se ka edhe raste të tjera, ku më të rëndësishmet janë këto:
1- Në vitin 899 pas një sërë kryengritjesh ndaj perandorisë Fatimi një shtet me emrin Karmati do të formohej me qendër Bahrejnin. Të udhëhequr nga parime ekstrem shiite, Karmatitë do të sulmojnë rrugët e Haxhit, do të vrasin dhe plaçkisin pelegrinët dhe si rrjedhojë në vitin 930, ngaqë nuk kishte mbetur siguria e jetës dhe e pasurisë, dijetarët Islamë dhanë fetvanë që lejohet të mos kryhet riti i Haxhit.
Po në këtë periudhë lideri i tyre Ebu Tahir el Karmati sulmoi Qabenë duke vrarë më shumë se 20 mijë pelegrinë. Para se të largohej plaçkiti derën e Qabesë dhe Gurin e Zi. Më pas guri i zi do të blihet nga perandoria Abasite me vlerën e 120 mijë dirhem të kohës dhe do të kthehej në Qabe.
Historianët Islamë transmetojnë që Karmatitë besonin se haxhi ishte zakon i mbetur nga koha e injorancës dhe idhujtarisë dhe e ndaluan më shumë se 10 vjet atë.
2- Në vitin 1629 pas shirave të rrëmbushën në Mekë ndodhën përmbytje të mëdha dhe u dëmtuan disa nga muret e Qabëse, të cilët u rindërtuan me urdhrin e sulltan Muratit të katërt. Edhe në këtë kohë u ndalua riti i Umres për një kohë të shkurtër.
3- Në vitin 1814 në zonën e Hixhazit u përhap sëmundja e murtajës në të cilën vdiqën më shumë se 8 mijë persona.
Edhe këtë vit prej përhapjes së sëmundjes nuk u bë e mundur që të kryhet haxhi. Kjo epidemi do të përhapej përsëri në haxhin e viti 1837 dhe do të vazhdojë deri në vitin 1892, në këtë periudhë kohore çdo ditë ndërronin jetë më shumë se 1000 pelegrinë.
4- Më 20 nëntor të 1979 një grup prej 200 personash nën drejtimin e Xhuhejn el Utejbi pas namazit të sabahut, bastisën Qabenë, duke mbyllur dyert e saj dhe ndaluar aktivitetin fetar.
Kishin disa kërkesa politike:
1- Ti jepej fund sundimit të mbretërisë, 2- të ndaloheshin marrëdhëniet e Arabisë Sauditë me vendet perëndimore, 3- të ndalohej shitja e naftës vendeve perëndimore, 4- të mbylleshin bazat e huaja ushtarake, etj.
Pasi Komisioni i lartë i dijetarëve dha fetvanë për ndërhyrje të armatosur, forcat e sigurisë së Arabisë Saudite me ndihmën e ushtarëve francezë do të neutralizonin kryengritësit duke e kthyer në normalitet funksionimin e Qabesë.
Lutemi që me lejen e Allahut kjo pandemi të përfundojë sa më parë dhe aktiviteti në Qabe të kthehet në normalitet.
Erjol Haxhiu