Hyrje:
1- Njohje me librin dhe autorin
2- Shpjegimi i ajeteve për vlerën e dhikrit.
Me lejen e Allahut kam menduar që sot të fillojmë një seri mësimesh shumë të rëndësishme për çdonjërin prej nesh. Ato lidhen me një prej adhurimeve më madhështore dhe më të rëndësishëm në fenë tonë e ai është Dhikri (përmendja e Allahut). Këto mësime do të jenë të bazuara në shpjegimin e një prej librave më të njohur dhe më të populluar që titullohet: Mburoja e Muslimanit.
Pse kemi zgjedhur këtë temë dhe këtë libër?
Feja jonë islame është e ndërtuar nga një shumëllojshmëri adhurimesh. Nëse do ti analizonim këto lloje adhurimesh do ti gjenim ato të kufizuara me kohë, vend dhe gjendje të caktuar. Kështu namazi është i lidhur me kohë të caktuar, mënyrë të caktuar, vend të caktuar, po kështu agjërimi, haxhi e të gjitha llojet e adhurimeve,përveç një lloji adhurimi i cili nuk është i kufizuar as me kohë, as me vend dhe as me gjendje të caktuar. Është adhurim i cili të shoqëron ty në çdo kohë, në çdo vend, në çdo gjendje, që kur ngrihesh prej gjumit, gjatë gjithë ditës dhe deri kur shkon me fjetë, ai është bashkë me ne. Siç e përmend edhe një prej dijetarëve islam Ibn Kajjim exh-xheuzij kur thotë se ky lloj adhurimi të ndjek ty gjatë gjithë jetës tënde në dunja, por vazhdon me ty edhe në Ahiret. Ky është Dhikri (përmendja e Allahut). Siç e dimë dunjaja eshtë botë ku punohet dhe s’ka llogari, e Ahireti ka llogari pa punë, përveç dhikrit i cili është edhe në dunja, vazhdon edhe në Ahiret. Për këtë shkak kemi zgjedhur këtë temë dhe këtë libër.
Mburoja e muslimanit është një libër i begatë që përmbledh lutjet dhe dhikrin (përmendjen e Allahut) për të cilin ka nevojë muslimani gjatë ditës dhe natës si dhe në raste të ndryshme me të cilat përballet gjatë jetës së tij. Është prej librave më të populluar në gjithë botën, sa nuk mund të gjeshë shtëpi muslimani që mos ta kenë këtë libër dhe kjo për shkak të thjeshtësisë që autori ka përdorur në këtë libër. Ky libër është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe atë në miliona e miliona ekzemplarë, në më tepër se 40 gjuhë.
Autori i këtij libri është Seid b. Ali b. Vehf El Kahtani i cili është autor i më shumë se 100 librave, temave të ndryshme, ligjëratave, hytbeve dhe fetvave të shumta.
Vëllezër të nderuar!
Dhikri (përmendja e Allahut) është prej adhurimeve më madhështorë dhe më me dobi me të cilat muslimani afrohet tek Allahu i Lartësuar. Këtë gjë e argumenton shumë qartë edhe ajeti kuranor ku thuhet :
وَلَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ ۗ وَاللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ
{…dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.} Ankebut 45.
Sahabiju i nderuar Selman Farisiu r.a është pyetur: ‘Cili është adhurimi më i mirë dhe më madhështor?’ Është përgjigjur: A nuk e lexoni Kur’anin : وَلَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ
Dhikri ka vlera dhe mirësi të shumta, ashtu siç ka dobi dhe përfitime të shumta prej tij. Nuk do mundeshim që ti përmendim të gjitha pasi janë shumë por ne do qëndronim duke i përmendur dhe shpjeguar disa prej këtyre vlerave dhe mirësive, si dhe dobitë e përfitimet që kemi prej tij.
Autori e fillon librin e tij me përmendjen e disa ajeteve dhe haditheve të cilat flasin për vlerat, virtytet dhe mirësitë e dhikrit.
Edhe ne do të qëndrojmë me përmendjen e këtyre ajeteve apo haditheve të cilat flasin për vlerat dhe virtytet e përmendjes së Allahut, duke shpjeguar këto ajete dhe hadithe dhe duke nxjerrë prej tyre përfitime dhe dobi.
E fillojmë me ajetin 152 në suren Bekareh thotë Allahu i Lartësuar:
((فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُوا لِي وَلَا تَكْفُرُونِ))
{Më përkujtoni Mua, Unë ju përkujtoj juve, më falenderoni dhe mos më mohoni}.
Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për ta kujtuar, për ta përmendur Atë dhe ka premtuar se do ta shpërblejë atë i cili e përkujton dhe e përmend me një shpërblim të madh. Kush e përmend Allahun, Allahu e përmend atë, kush e përkujton, e përmend Allahun me bindje dhe adhurime, Allahu do ta përmendë, do ta përkujtojë me mëshirë dhe falje. Kush e përmend Allahun në bollëk dhe mirësi, Allahu e përmend në vështirësi dhe fatkeqësi. Këtë gjë e shpjegon edhe hadithi kudsij, transmetuar nga goja e Profetit a.s ku ai thotë: {Thotë Allahu i Lartësuar: “…. kush më përkujton (përmend) Mua në veten e tij, Unë e përkujtoj e përmend në Veten Time, e kush më përmend në një grup, Unë e përmend në një grup edhe më të mirë se ata”.
Dhikri është kreu, maja, më i larti lloj i falenderimit. Dhikri dhe Shukri (falenderimi) janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, ata bëhen me zemër, me gojë dhe me gjymtyrë.
{Dhe mos mohoni} dmth. Mos mohoni mirësitë e shumta që Allahu ju ka dhënë juve, si dhe mos mohoni duke mos ju bindur Allahut dhe duke mos kryer detyrimet që Ai i ka caktuar njeriut.
Tregohet se Musa a.s ka thënë:{O Allah! O Zoti im! Si të të falenderoj? Allahu i tha: “Të më përmendësh dhe mos të më harrosh, nëse më përmend më ke falenderuar, e nëse më harron, më ke mohuar.”}.
Ajeti tjetër që e përmend autori i librit është ajeti 41 nga surja Ahzab thotë Allahu i Lartësuar:
((يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا))
{O ju që keni besuar, përkujtoheni Allahun sa më shumë dhe sa më shpesh}.
Allahu i Lartësuar i drejtohet besimtarëve ‘O ju që keni besuar’ me një çështje të rëndësishme, ‘përkujtoheni Allahun sa më shumë dhe sa më shpesh’. Po të hulumtojmë në Kur’an të kërkojmë ajetet në të cilat përmendet dhikri (përmendja e Allahut), do të gjejmë se fjala ‘dhikër’ është e shoqëruar gjithmonë me një fjalë tjetër ‘shumë’. Kjo ndodh, pra kërkesa që Allahu i bën besimtarëve që ta përmendin sa më shumë, sepse siç e kanë përmendur dijetarët e sheriatit islam, zemra e njeriut , padyshim që është e mbushur me gjynahe, gabime, neglizhencë ndaj adhurimit dhe përmendjes së Allahut, vepra të këqija, ka nevojë të pastrohet dhe pastrimi më i mirë bëhet me dhikër (me përmendje) të Allahut. Për këtë dijetarët islamë e kanë krahasuar zemrën e njeriut me një gotë të mbushur, me një lëng të zi, që nënkupton gjynahet dhe gabimet në zemrën e njeriut. Po si pastrohet? Thonë dijetarët ky lëng i zi në gotë largohet duke marrë një enë tjetër me ujë të pastër dhe duke e hedhur pak nga pak dhe vazhdimisht në gotën e mbushur me lëngun e zi. Çfarë do ndodhi? Lëngu i zi do fillojë të rrjedhë prej gotës duke i lënë vëndin ujit të pastër, derisa gota të mbushet e gjitha me ujë të pastër. Kështu është edhe zemra e muslimanit, ai i cili e përkujton Allahun shpesh dhe shumë, zemra e tij me kalimin e kohës do të pastrohet krejt prej gjynaheve dhe gabimeve dhe do të bëhet më e lidhur me Allahun xh.sh. në një ajet tjetër në suren Xhumua Allahu thotë : {Përmendeni Allahun shumë, në mënyrë që të shpëtoni}. Përmendja e Allahut duhet të bëhet me zemër dhe gojë në çdo situatë dhe çdo gjendje.
Ajeti tjetër të cilin e përmen autori është ajeti 35 në suren Ahzab, thotë Allahu i Lartësuar :
وَالذَّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيرًا وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لـَهُمْ مَغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا
{Ata që e përmendin Allahun shumë dhe ato që e përmendin Allahun shumë, për ta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh}.
Po të shikojmë dhe të analizojmë këtë ajet, shikojmë se në të përmenden 10 kategori njerëzish (burra dhe gra):
1-muslimanët /et 2-besimtarët /et 3- adhuruesit/set (të bindurit ndaj Allahut). 4-të sinqertët/at 5-durimtarët /et 6-të përulurit /at 7-bamirësit/set 8-agjëruesit /set 9-ruajtësit/set e nderit 10- ata/ato që e përmendin Allahun shumë.
Dijetarët e tefsirit thonë pse ky ajet është mbyllur me këtë kategori të muslimanëve? Një prej dijetarëvë të tefsirit Emin Shenkiti Allahu e mëshiroftë thotë: “Është mbyllur ky ajet me përmendjen e dhikrit, sepse çështjet janë sipas përfundimit të tyre”.
Kështu ditët më të mira të ramazanit janë 10 të fundit, ditët më të mira të vitit janë 10 ditët e muajit të fundit dhulhixhe në të cilat është haxhi, pjesa më e mirë e natës është 1/3 fundit e natës. Po kështu të gjitha kategoritë që përmenden para dhikrit janë të lidhura ngushtë me të. Nuk mund të jeshë pjesë e njërit prej grupeve pa ndihmën e dhikrit. Shpërblimi i këtyre kategorive është falja e gjynaheve një shpërblim të madh (që vetëm Allahu e di).
Fjala ‘adhim’ është kuptimplote, tregon mëshirën, respektin dhe vlerësimin që Allahu u ka bërë këtyre kategorive. Një prej dijetarëve të tefsirit thotë: ‘Nëse Allahu e madhëron diçka, dije se ajo është më madhështorja se çdo gjë’.
Kështu dhikri i Allahut është prej çështjeve, prej adhurimeve që Allahu e ka madhëruar, ndaj edhe ne duhet ta madhërojmë, duke e shtuar sa më shumë dhe sa më shpesh përmendjen e Allahut.
Një argument i fortë që tregon se dhikri është prej adhurimeve të pandashme me njeriun dhe që nuk ka kufizim në kohë, në vend dhe gjendje është ajeti kuranor në Suren A’raf 205 ku Allahu i Lartësuar thotë:
{Ti përmende Zotin tënd në vete ( në heshtje), me respekt e me frikë, (përmende) me zë mesatar, në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj prej atyre që nuk kanë kujdes}.
Këto ishin disa prej ajeteve kuranore të cilat flisnin për vlerën dhe mirësinë që ka përmendja e Allahut.
Më pas autori i librit Mburoja e Muslimanit përmend disa hadithe të cilat edhe ato flasin për mirësitë e përmendjes së Allahut.
Hadhithi i parë të cilin e përmend autori ëhtë hadith të cilin e transmetojnë Buhari dhe Muslimi prej Ebu Musa Esharij r.a se Profeti a.s ka thënë: {Shembulli i atij që e përkujton Allahun dhe atij që nuk e përkujton , është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit}.
E ka përngjasuar Profeti a.s atë që e përmend Allahun me të gjallin sepse zemra e tij është e gjallë dhe nëse zemra është e shëndoshë ai është i shëndohë, siç përmendet në hadithin: në trup është një copë mishi nëse rregullohet ( është e shëndoshë ajo) rregullohet i gjithë trupi, e nëse prishet prishet i gjithë trupi , ajo është zemra.
Dhe e ka ngjasuar atë që nuk e përmend Allahun me të vdekurin, sepse zemra e tij ka vdekur, edhe pse ne e shikojmë të gjallë me trup. Gjallëri e vërtetë është gjallëria që buron nga përmendja e Allahut. Sa e sa njerëz i shikojmë të gjallë, por zemrat e tyre janë të vdekura, janë larg Allahut.
Lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë neve prej të gjallëve me trup e zemër, të na bëje neve prej atyre të cilët e përmendin shpesh dhe e falenderojnë shumë.
Lusim Allahun të na japë sinqeritet, të mëshirojë, të na falë gjynahet dhe të na mundësojë që të jemi gjithmonë të lidhur me të, duke zbatuar fenë e Tij dhe duke pasuar Sunetin e të Dërguarit të Tij salallahu alejhi we selem.
Përgatiti: Petrit Zharova
Hamburg 2014